Lirohet piloti italian, tregoi
emrat e porositësve të drogës

Lirohet piloti italian, tregoi<br />emrat e porositësve të drogës
Një avion i vogël i llojit “Piper”, i nisur nga Bari i Italisë është gjetur i rrëzuar pas një defekti në fshatin Gotull në grykëderdhjen e Ishmit, në Thumanë. Siç raporton nga vendi i ngjarjes gazetari i Report Tv, avioni drejtohej nga piloti italian Guido Andrea Guidi dhe ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 08:45.
 
Menjëherë pas marrjes në pyetje të pilotit ai ka pranuar se kishte ardhur në Shqipëri për të testuar pistën e improvizuar ndërkohë që ka shtuar se qëllimi ishte që rrugën tjetër të mund të merrte rreth 200 kilogram lëndë narkotike.

Por, pas një marrëveshje me Prokurorinë e Krimeve të Rënda piloti është lënë i lirë. Piloti italian ka treguar emrat e porositësve të drogës, mes të cilëve edhe shqiptarë, që do të transportohej nga pista ku u rrëzua avioni tip "piper" mëngjesin e ditës së enjte.

Report TV dhe Shqiptarja.com sigurojnë foto nga vendgjarja ku ka rënë avioni. Sipas fotove që ka siguruar gazetari Arsen Rusta, mendohet se vendi ku ka rënë avioni i vogël italian, është e ngjashme me një pistë të improvizuar ku ulen mjetet fluturuese. Por do të jenë hetimet e nisura sot nga Krimet e Renda që do zbardhin plotësisht ngjarjen.

Zhvillimet orë pas ore

Ora 11:40 Prokuroria sekuestron telefonat e hetuesve
Prokuroria vijon hetimet për zbardhjen e porositësve të drogës e cila do të transportohej me avionin "Piper" i cili u ul dje në zonën e Ishmit, i ardhur nga Italia.
 
Shqiptarja.com ka mësuar se hetimet do të kryhen në sekret të plotë dhe për të garantuar këtë, janë sekuestruar telefonat celularë të të gjithë anëtarëve të grupit hetimor.
 
Ky vendim i titullarëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka ardhur pas dyshimeve për dekonspirim të hetimeve.
 
Ndërkohë sot pritet që avioni i vogël të transportohet diku tjetër, duke u zhvendosur kështu nga zona mes Ishmit dhe Laçit ku ra dje teksa pilotohej nga italiani 69-vjeçar Guido Andrea Guidi.
 
Avioni do të zhvendoset për t’iu bërë ekspertiza dhe veprime të tjera hetimore. Nuk dihet ende nëse ky avion është përdorur herë të tjera për transport të lëndëve narkotike.
 
Piloti italian është liruar nga policia, pas një pakti të tij me Prokurorisë. Ai tregoi përpara hetuesve emrat e porositësve të drogës, shqiptarë dhe italianë, duke pranuar kështu bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese, Prokurori e Polici.  
 
69-vjeçari italian pritet të merret sërish sot në pyetje nga grupi hetimor.
 
Përkohësisht ndaj tij rëndojnë vetëm dy akuza, shkelje të rregullave të fluturimit dhe shkelje të paligjshme të kufirit.
 
Ora 02:38 Del nga prokuroria gazetari Artan Hoxha: Mbroj burimin
Gazetari Artan Hoxha ka dalur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi u pyet për 3 orë. Hoxha u shoqërua në prokurori për nxjerrje të sekretit hetimor. Pas daljes nga prokuroria Hoxha deklaroi se informacioni që kishte dhënë ishte i vërtetë. Gazetari deklaroi se prokuroria i kishte konfiskuar telefonat.
 
"Me kane sekuestruar telefonat. E mirëkuptoj hetimin, bënë detyrën e tyre.Isha në prokurori se mbrojta burimet e mija. Kam dhënë një informacion të vërtetë", deklaroi gazetari Artan Hoxha

procesverbali
(Proçesverbali për sekuestrimin e telefonit të Artan Hoxha)



Ora 01:00 PD: Operacioni u dekonspirua nga Tahiri
PD ka reaguar pas vendimit për lirimin e pilotit italian, pasi bashkëpunoi me policinë dhe tregoi emrat e porositësve të drogës. PD akuzon ministrin Tahiri për dekonspirim të operacionit.

"Partia Demokratike shpreh shqetesimin e thelle per dekonspirimin nga Ministri i Brendshem te hetimit qe po behet ndaj pilotit italian, te kapur sot ne Ishem. Ky dekonspirim qeveritar behet me qellim per ti dhene kohe dhe mundesi trafikanteve shqiptare qe kane porositur avionin qe te mbrohen e ti shpetojne ligjit. Partia Demokratike i kerkon Prokurorise të marrë masa të shpejta dhe energjike ndaj çdo personi me pushtet qe dekonspiroi sonte hetimin", thuhet në deklaratën e PD.

Ora 00:40 Shoqërohet gazetari Artan Hoxha: Nxorri sekretin hetimor
Gazetari Artan Hoxha është shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pas dëshmisë që dha për pilotin italian. Hoxha akuzohet për nxjerrje të sekretit hetimor.

Ora 00:30 (16 shtator) - Lirohet piloti italian, tregoi emrat e porositësve të drogës, do hetohet në gjendje të lirë
Pas një marrëveshje me prokorinë dhe policinë, piloti italian Guido Guidi është liruar për t'u hetuar në gjendje të lirë. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe piloti bënë marrëvëshjë mes tyre. Piloti italian ka treguar emrat e porositësve të mallit që do të transportohej nga pista ku u rrëzua avioni tip "piper" sot në mëngjes. Aktualisht emrat treguar nga italiani nuk bëhen të ditur. Piloti italian është shoqëruar edhe njëherë në vendin ku u rrëzuar avioni për të treguar detaje më të hollësishme mbi mënyrën se si do të kryhej transportimi i drogës. Sipas prokurorisë, hetimi ndaj tij për momentin është vetëm për shkelje të rregullave të fluturimit.

Imazhet e para të avionit menjëherë pas rënies në Thumanë

demtimet e avionit
demtimet e avionit
demtimet e avionit
(Avioni i dëmtuar pasi është rrëzuar)
Foto të tjera..



Ora 22:15  Rrëzimi i avionit, piloti Italian pranon: Ishte test për të transportuar drogë
Piloti i avionit të rrëzuar sot në Ishëm ka folur përpara grupit hetimor, ku ka thënë se ka ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe ky fluturim ishte për të testuar pistën e improvizuar në mënyrë që rrugën tjetër të mund të merrte 200 kilogram lëndë narkotike.

Kjo është bërë e ditur nga burime të Shqiptarja.com brenda grupit hetimor të cilat thonë se, ai ka dhënë disa dëshmi për të cilat është duke u punuar por që nuk jepen më shumë detaje për shkak të hetimit.
 
Fillimisht, piloti tha se kishte qenë duke parë territorin shqipytarë pas ardhjes nga Milano dhe se avionic i tij kishte pësuar defekt.Ndëkrohë, ekspertët vijojnë që të marrin në pyetje pilotin në mënyrë që të zbardhen më shumë detaje rreth dyshimeve se ai është përfshirë në transport droge

Ora 21:30: Piloti italin kishte ardhur edhe dy here ne Shqiperi
Udhëtimi i mëngjesit të 15 shtatorit të Duido Andrea Gudi mbi Shqipëri nuk ishte i vetmi. Referuar sistemit TIMS Guidi ka qenë në Shqipëri dhe tre herë të tjera.
 
Dy udhëtimet e tij janë në vitin 2013 me charter nga Rinasi dhe në vitin 2014 është hera e fundit që ai ka shkelur Shqipërinë.

Në 2014 Guidi ka ardhur në rrugë tokësore nga pika kufitare e Muriqanit me automjet në rrugë tokësore për të dalë më 16 janar 2014 nga Rinasi me avion.

Këto udhëtimet Guidi i ka pranuar dhe para oficerëve të policisë gjyqësore teksa ka deklaruar se ka vizituar Shqipërinë i ftuar nga disa miq për turizëm.
 
0ra 17:30  Piloti: Si përfundova nga Milano në Shqipëri
Piloti italian teksa ka folur për grupin hetimor, ka thënë se kur ishte mbi qiellin shqiptar në lartësitë 4-5 mijë metra, aeroplani ka pësuar avari dhe ai ka bërë ulje të detyruar.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, bëhet e ditur se ai ka shtuar se ka qenë duke udhëtuar nga Milanoja drejt Shqipërisë e më pas Malit të Zi e Kroacisë, por i kanë thënë se moti atje ishte i paqëndrueshëm.

Ora 16:30 Rrëzimi i avionit, piloti jep dëshmi kontradiktore, pritet që të shoqërohet
Piloti i avionit që u rrëzua në Ishëm ka folur përpara grupit hetimor, në ambientet e spitalit të Durrësit, ku burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ai ka dhënë dëshmi kontradiktore.

Për këtë, piloti pritet që të shoqërohet në polici.

Ndërkohë, sa i përket tokës ku është rrëzuar avioni, ajo është përshtatur së fundmi, pasi nuk ka qenë më parë kështu.


Ora 16:10 Foto nga vendi ku ka rënë avioni në Ishëm

pista e vionit
pista e vionit
pista e vionit
pista e avionit

Ora 15:35 Basha: Avioni erdhi në Ishëm për të marrë drogën e Artur Bushit
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar ndaj rrëzimit të avionit në Ishëm ku ka thënë se avioni erdhi posaçërisht nga Italia për të marrë në Thumanë drogën e Artur Bushit.
 
Sipas tij, kjo tregon se karteli i drogës punon do ditë, pa ndërprerje në të gjitha rrugët e vendit.
 
Ja reagimi i plotë i Lulzim Bashës
"Avioni i rënë sot në Ishëm është prova e re që tregon se Karteli i Drogës punon çdo ditë, pa ndërprerje, në të gjitha rrugët.
Mohimi nga Rama i denoncimit që bëri në parlament opozita, është përpjekje për të fshehur ngjarjen, për të fshehur të vërtetën e trafikut ajror të drogës.
Të gjitha të dhënat janë se avioni është porositur pikërisht nga Karteli i Droges në zonën e Krujës, për të marrë drogën e Bushit te Rames, që ka mbuluar gjithë zonën deri 2 kilometra larg Aeroportit të Rinasit ku sic kemi denoncuar me foto dhe fakte janr mbjellë mbi 50 mijë rrënjë.
Ky është realiteti. Kjo është Shqipëria e zhytur në drogë dhe narkotrafik në të gjitha format.
Ka ardhur koha që shqiptarët ta çlirojnë vendin nga sundimi i Kartelit te Droges që shkatërron ekonominë, sjell krime, dhe vret votën e lirë.
#Shqiperia me mire pa Edi Ramen".​

 
 Ora 15:30 Policia shoqëron kater persona, Ja dëshmitë përpara grupit hetimor
Kater persona janë shoqëruar në polici nga ana e grupit hetimor ndërkohë që burime brenda këtij të fundit thonë se ata kanë deklaruar se avioni i rrëzuar ka rënë në fund të pistës pas një rrotullimi.
 
Po ashtu, ata kanë deklaruar se kur avioni ka tentuar të ngrihet është rrëzuar.

15:00 Krimet e Rënda hetime për pilotin
Prokuroria e Krimeve të Rënda do të marrë në pyetje pilotin Italian Guido Guidi mbi udhëtimin e këtij të fundit në Shqipëri.
Prokurori Përparim Kulli do të marrë në pyetje pilotin.

14:50 Avioni u tërhoq zvarrë për 100 metra
Nga të dhënat e para, mësohet se, avionit gjatë uljes së detyruar i është këputur një rrotë dhe për shkak të kësaj, mjeti i fluturimit është tërhequr zvarrë mbi 100 metra.

14:30 Një prokuror i krimeve të rënda në vendin ku u rrëzua avioni
Një prokuror i krimeve të rënda ndodhet në vendin ku u rrëzua avioni. Sipas burimeve, nëse në avionin e rrëzuar kostatohet trafik drogë, çështja do të hetohet nga Krimet e Rënda, nëse kemi të bëjmë vetëm me shkelje të hapësirës ajrore shqiptare, çështja do të hetohet nga prokuria e Durrësit

14:20 Report TV siguron videon e pilotit të avionit të rrëzuar



piloti avionit ishem
(Foto e pilotit të rrëzuar)


14:15 Berisha: Iku Riformato dhe erdhi Guidi
Ish-kryeministri Berisha ka folur në kuvend për avionin që u rrëzua në Ishëm. Berisha deklaroi se sapo iku Riformato, erdhi Guidi. Sipas Berishës Guidi është i dënuar në Itali.

14:10 Avioni që u rrëzua kishte vetëm një motor
Mësohet se avioni që u rrëzua sot në grykëderdhjen e Ishmit kishte vetëm një motor.

13:45 Kryeplaku i fshatit ishem,Lulzim Bega: Zona ku ra avioni e pabanuar dhe pa rrugë.
Kryeplaku i fshatit ishem,Lulzim Bega, ka deklaruar për Report TV se vendi ku është rrëzuar avioni është një zonë pa banesa dhe pa rrugë. Ai pohoi se nuk kanë qarkulluar asnjëherë avionë të vegjël, pasi zona është e pabanuar.
 
 "Aty ku ka rënë një avioni është një vend pa banesa dhe pa rrugë. Banesa më e afërt është rreth 4 km.Nuk kemi patur kurrë rastë të tilla. Nuk kanë qarkulluar asnjëherë avionë të vegjël. Zona është e thellë dhe e pabanuar. Është një pyll pa rrugë", deklaroi Lulzim Bega.

13:10 Shqiptarja.com siguron foto të avionit në hangar në Bari
Shqiptarja.com siguron foto ekskluzive të avionit në hangar në Bari, para se të nisej për fluturim.

avioni ishem
(Ekskluzive, foto e avionit në hangarin e një aeroporti në Itali)

13:05 Publikohen foto të avionit të rrëzuar në Ishëm
Report Tv ka mundur të sigurojë foto të avionit që u rrëzua mëngjesin e sotëm në grykëderdhjen e Ishmit.

avioni ishem
avioni ishem
avioni i rrezuar
avioni i rrezuar
avioni i rrezuar
(Foto të avionit të rrëzuar)

avioni
avioni
(Ekskluzive/Avioni në pistën e aeroportit në Itali, piloti në bord është Guido Andrea Guidi, që u rrëzua sot në Ishëm)


13:00 Burime nga Spitali i Durrësit: Piloti nuk ka mbërritur në spital
Burime pranë Spitalit të Durrësit bëjnë me dije se piloti italian nuk ka mbërritu i plagosur në spital. Burimet bëjnë me dije se nuk dihet ku ka marr mjekimin piloti i plagosur italian.

12:54 Aviacioni civil: Nuk na rezulton se ka marrë leje fluturimi
Drejtori i Aviacionit Civil ka deklaruar për Report TV se nuk na rezulton që piloti të ketë marrë leje fluturimi, megjithate po vijojne verifikimet

12:52 Njoftimi i Policisë për ngjarjen: Nuk kishte drogë
"Avioni ka kryer ulje të detyruar rreth orës 08:00 të mengjesit dhe kishte në bord vetëm pilotin. Avioni që është ulur ka të dëmtuar krahun e djathtë. Piloti i avionit është transportuar në spitalin e Durrësit. Ai ka marrë plagë të lehta dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Rreth orës 08:45, Policia e Durrësit ka marrë një njoftim se në fshatin Gotull, Njësia Administrative Ishëm është parë të ulet një avion i përmasave të vogla.Menjëherë është shkuar në vendin e ngjarjes ku është konstatuar i dëmtuar gjatë uljes një avion i përmasave të vogla, ndërsa Piloti nuk kishte pesuar lëndime gjatë uljes.

Piloti i avionit është një shtetas italin, Guido Andrea Guidi, 69 vjeç.Në shpjegimet e para që jep ky shtetas thotë se është ngritur nga Bari dhe ka dashur të bëjë një udhëtim me destinacion veriun e Italisë. Për shkak të kohës së bukur ka vendsour të kryejë një fluturim mbi det.

Në lartësinë 4 000-5 000 këmbë ky shtetas deklaron se i ka dhënë defekt avioni.Ka parë nga lartësia një tokë arë të punuar, të cilën e ka konsideruar vendin më të përshtatshëm për t’u ulur.Është përpjekur të ulet dhe gjatë uljes avioni ka pësuar dëmtime.

Piloti është shoqëruar në Spitalin Rajonal Durrës për një kontroll mjekësor, megjithëse nuk ka pësuar dëmtime.Është njoftuar Prokurori i gatshëm. Gjate kontrollit në brendësi të avionit nuk është gjetur asnjë send i kundraligjshëm.

Të gjitha Shërbimet kanë kryer krehjen e vendit ku është gjetur avioni dhe zonës përrreth.Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave e rastit në fjalë"

avioni ishem

(Avioni i rrëzuar në grykëderdhjen e Ishmit)

Foto të tjera

12:50 Dëshmia e pilotit: Do vizitoja veriun e Italisë, për shkak të kohës së bukur erdha në Shqipëri
Piloti i avionit është një shtetas italin, Guido Andrea Guidi, 69 vjeç.Në shpjegimet e para që jep piloti, thotë se është ngritur nga Bari dhe ka dashur të bëjë një udhëtim me destinacion veriun e Italisë. Për shkak të kohës së bukur ka vendosur të kryejë një fluturim mbi det.

12:47 Policia konfirmon uljen e avionit: Nuk kishte drogë
Policia e Durrësit konfirmon uljen e detyruar të avionit. Sipas policisë avioni drejtohej nga një pilot italian dhe pas kontrolleve nuk është gjetur drogë, duke hedhur poshtë akuzat e Flamur Nokës

12:45 Noka: Është rrëzuar një avion me drogë në Durrës
Deputeti i PD, Flamur Noka ka denoncuar rrëzimin e një avioni që transportonte hashash në Durrës. Sipas Nokës, avioni më drogë ka vetëm 5 minuta që është rrëzuar. Noka deklaroi se rezultati i Dibrës u ndikua nga paratë e drogës dhe krimit.

"“Javën e kaluar Rama tha se nuk ka drogë e hashash në Shqipëri, e mohon vazhdimisht. Por një avion me drogë është rrëzuar në Durrës, ka vetëm 2 minuta. Shqipëria është mbushur më mushkonja që transportojnë drogë. Droga, armët dhe paratë ndikuan gjithcka në rezultatin e Dibrës", deklaroi Flamur Noka.

12:35 Një avion bë ulje të detyruar në grykëderdhjen e Ishmit.
Një avion i vogël tip "piper" mësohet se ka bërë ulje të detyruar në në grykëderdhjen e Ishmit në fshatin Gotull

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidenti i Këshillit Europian: Zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, investimi më i madh gjeopolotik

Samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidenti i Këshillit Europian: Zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, investimi më i madh gjeopolotik