TIRANË- Inspektorati i Lartë të Drejtësisë ka nisur hetimin ditën e sotme administrativ ndaj gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.

Një vendim i tillë ka ardhur si rezultat i ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë për lirimin e shumë personave të dënuar me burg për jetë, mes tyre dhe Endrit Doklen, ish-numri dy i bandës së Durrësit. 

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se ILD-ja i kërkon gjyqtares Hoxha që paraqesë pretendimet e saj në lidhje me ankesën e ardhur në drejtim të saj, e ndërsa sa i përket caktimit të një mase ndaj saj, ILD shprehet se nuk ka një vendim pasi i përket prokurorisë ta vendosë.

Kush është Enkelejda Hoxha? Emri i gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha tashmë lidhet me lirimin nga burgu të disa të dënuarve, përmes vendimeve të dyshimta, para se ajo të përballej me Vetingun. Enkeleida Hoxha u ka hapur dyert e burgut ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle, duke i shuar dënimin përjetë, Genc Tafilit, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim. Shqiptarja.com ka sjellë në vëmendje ekskluzivisht  historinë e 15 gjyqeve, se si Endrit Dokle përdori gjyqtaren e Krujës, me pasurinë e pazakontë, për të fituar lirinë. Në një dalje të veçantë për mediat, lirimin e Dolkes, ministrja Etilda Gjonaj, e cilësoi një kambanë alarmi për drejtësinë. Ministrja deklaroi se ka kërkuar pezullimin e gjyqtares Enkeleda Hoxha, si edhe ka kërkuar prokurorisë ndjekje penale për të.