Liruan të dënuarin për drogë nga qelia/ Pushohet akuza për kryekomisarin, i pandehur vetëm një polic

Hetimi për lirimin nga ambientet e komisariatit të Kukësit të kosovarit Naser Gashi, i dënuar me 7.4 vite burgim për trafik droge, ka përfunduar në gjykatë me vetëm një të pandehur. Kujtim Spahia, një efektiv policie me detyrë specialist i Policimit në Komunitet, është marrë i pandehur nga prokuroria e Lezhës, për këtë rast të lirimin nga dhomat e shoqërimit të një trafikanti droge, i cili u kap në kufirin e Morinës, teksa kërkonte të kalonte nga Shqipëria në drejtim të Kosovës.

Ndërkohë ndjekja penale është pushuar për ish-shefin e komisariatit të Kukësit, Agim Basha, dhe dy policët e tjerë, Shkëlzen Ibaj dhe Ferdinand Gjeta. 

Naser Gashi, kërkohej prej 5 vitesh nga drejtësia shqiptare pasi ishte dënuar me 7.4 vite burgim për “Trafik të narkotikëve”. Sipas dosjes së prokurorisë mbrëmjen e 17 tetorit 2018, Gashi së bashku me shokun e tij Ron Nimani, kanë tentuar të dalin nga Shqipëria në Kosovë, me një makinë "Audi" duke përdorur pikën e kalimit kufitar Morinë. Pikërisht në këtë pikë kufitare, ata i janë nënshtruar kontrolleve, ku Gashi ka paraqitur dokumente identifikuese me emrin Saimir Bula. Si pasojë e dyshimeve të ngritura mbi këto dokumente, është vendosur nga policia kufitare që kosovari të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë Kukës, ku t’i nënshtrohet identifikimit nëpërmjet gjurmëve të gishtave. Por edhe pse u bë identifikimi që personi i shoqëruar nuk ishte Saimir Bula por i shumëkërkuari Nasër Gashi, Prokurorja e Kukësit, firmosi urdhrin e lirimit të menjëhershëm, vendim i cili u ekzekutua nga Policia në datë 18 tetor 2018. Si për ndalimin por edhe për lirimin e trafikantit, Policia e Kukësit nuk dha asnjë njoftim për mediat, duke e nisur që në atë kohë fshehjen e kësaj ngjarjeje.

Skandali i nxjerrjes nga qelia të trafikantit Gashi, madje edhe duke i kthyer pasaportën dhe kartën e identitetit kosovare të falsifikuar me emrin “Saimir Buli”, bëri “kurban” zv/drejtorin e hetimit në Drejtorinë e Kukësit Shkëlqim Pepkolaj, i cili u pezullua nga detyra, duke u vënë në procedim disiplinor.

Por pas hetimeve prokuroria lëshoi urdhër-arrestet për drejtuesit e komisariatit të Kukësit Agim Basha, i cili në atë periudhë ju fsheh drejtësisë. Më pas kërkimi ndaj Agim Basha u ndërpre derisa ju pushua totalisht çështja. Naser Gashi rezulton se është dënuar nga Nertina Kosova më 21 shkurt 2013 me 7 vite e 4 muaj burg për trafik droge, vendim i lënë në fuqi edhe nga apeli i krimeve.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston