Lirimi nga ambientet e komisariatit të Kukësit të Naser Gashit, kosovarit të dënuar me 7.4 vite burg për trafik droge, ka sjellë dënimin e njërit prej policëve që i hapi derën Naser Gashit, duke e lënë të lirë. Gashi ishte në kërkim nga Policia e Shtetit, por megjithëse ai u arrestua në pikën kufitare nën emrin e rreme Saimir Bula, ai kurë nuk u verifikua për dënimin në Shqipëri dhe kërkimin e tij. Efektivi i policisë Kujtim Spahiu që besohet se i hapi derën dhe nxori nga qelitë e komisariatit të Kukësit, Naser Gashi, është dënuar dje nga gjykata e Lezhës me 2 vjet e 8 muaj burgim. Njëherësh me këtë dënim, gjykata ka urdhëruar që efektivit të policisë Spahiu ti hiqet e drejta për të mbajtur funksione publike për një periudhë 3 vjeçare.

Me këtë vendim përmbyllet dhe historia e skandalit të ndodhur në fund të vitit 2018 në Komisariatin e Policisë Kukës, ku një i kërkuar nga drejtësia Shqiptare edhe pse u arrestua, sërisht u la i lirë, duke sjellë përplasje mes drejtuesve të Komisariatit Kukës dhe Drejtorisë së Policisë Kukës. Skandali i nxjerrjes nga qelia të trafikantit Gashi, madje edhe duke i kthyer pasaportën dhe kartën e identitetit kosovare të falsifikuar me emrin “Saimir Buli”, bëri “kurban” në fillim të 2019 zv/drejtorin e hetimit në Drejtorinë e Kukësit, Shkëlqim Pepkolaj, i cili u pezullua nga detyra, duke u vënë në procedim disiplinor. Por pas hetimeve prokuroria lëshoi urdhër-arrestet, për drejtuesit e komisariatit të Kukësit, Agim Basha, i cili  në atë periudhë, ju fsheh drejtësisë. Për këtë çështje fillimisht u arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe dy efektivë të tjerë të policisë Kukës, Shkëlzen Ibaj dhe Ferdinand Gjeta, të cilët më pas u liruan nga gjykata.

Çështja i kaloi për hetime të mëtejshme në prokurorinë e Lezhës, e cila vendosi të pushojë hetimet për tre zyrtarët e komisariatit të Kukësit dhe të kalojë çështjen për gjykim me një të pandehur, policin e thjeshtë Kujtim Spahiu. Ky i fundit dje u dënua me 2.8 vite burgim. Ndërkohë ended he sot i liruari Naser Gashi është në listën e personave në kërkim të publikuar nga Policia e Shtetit. Dënimin e ai e ka marë nga gjyqtarja Nertina Kosova më 21 shkurt 2013 ku është deklaruar fajtor dhe dënuar me 7 vite e 4 muaj burg për trafik droge, vendim i lënë në fuqi edhe nga apeli i Krimeve të Rënda.