Lista e parë/ Zhbllokohet Kushtetuesja, 4 kandidatët e parë për 6 vende vakante

Lista e parë/ Zhbllokohet Kushtetuesja, 4 kandidatët e parë për 6 vende vakante

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka hapur rrugë dje plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, boshatisja e të cilës për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, është kthyer në ‘mollë sherri’ mes opozitës dhe mazhorancës. KED ka publikuar ditën e djeshme listën e parë me katër kandidatë për gjashtë vende vakante në Kushtetuese, të shpallura nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi.

Pjesë e listës së parë për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese është këshilltarja ligjore në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi, e cila është kualifikuar për vendet vakante të shpallura nga Presidenti në datat 7 korrik 2018 dhe 4 mars 2019, si dhe për vendet vakante të shpallura nga Kuvendi në datat 12 shkurt 2018 dhe 4 mars 2019. Kandidati tjetër është prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, i cili është kualifikuar si kandidat për vendi vakant i shpallur nga Presidenti në 7 korrik 2018 dhe nga vendi vakant i shpallur nga Kuvendi në 13 shkurt 2018.

Fiona Papajorgji, këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, është shpallur kandidate për t’u bërë pjesë e kësaj gjykate, për vendet vakant të shpallura nga Presidenti në 7 shkurt 2018 dhe 4 mars 2019 si dhe për vendit vakant të shpallur nga Kuvendi po në 4 mars 2019. Kandidatja e katërt është Regleta Panajoti, e kualifikuar për vendin vakant të shpallur nga Presidenti në 7 shkurt 2018.

Ndërkaq, KED ka përjashtuar nga gara Anila Gurin,  Dedë Kasnecin, Ilir Mustafajn, Mimoza Qinamin dhe Vladimir Gërmenjin. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po verifikon edhe kandidatët e tjerë nëse plotësojë apo jo kushtet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Kur të plotësohen tre kandidatë për çdo vend vakant të shpallur, KED do t’u dërgojë për votim emrat Kuvendit dhe Presidentit. Në mbledhje e radhës, KED të vendosë lidhur me lejimin ose ndalimin e kandidimit e kandidatëve Elsa Toska dhe Gëzim Allaraj në vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, si edhe për kandidaten Eris Hysi për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shtyhen për mbledhjen e radhës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, tre nga Presidenti dhe tre nga Gjykata e Lartë, pas verifikimit dhe me propozim të KED. Aktualisht janë 8 vende vakante në Kushtetuese, e cila ka mbetur vetëm me një anëtare, Vitore Tushës, të cilës i ka mbaruar mandati, por që mund të qëndrojë në detyrë deri kur të zëvendësohet.

Zgjedhja e tre anëtarëve nga Presidenti

Presidenti i Republikës ka një rol formal dhe figurativ në zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit është i detyruar që për çdo vend vakant në Gjykatën Kushtetuese të zgjedhë një emër mes tre emrave të parë në listën e renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Nëse Presidenti refuzon që ta ushtrojë këtë të drejtë brenda 30 ditëve, kandidati i renditur në krye të listës konsiderohet i emëruar. Procedura e emërimit parashikohet në nenin 7/b të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ndryshuar në vitin 2016. Pika 4 e nenit 7/b parashikon që “Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar”.

Zgjedhja e tre anëtarëve nga Kuvendi

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgon Kuvendit një listë me kandidatët e renditur sipas meritës si në rastin e Presidentit. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, sipas renditjes, brenda një afati të arsyeshëm, organizon seancat dëgjimore me kandidatët. Pas këtyre seancave, Komisioni i dërgon Kuvendit emrat e tre kandidatëve për çdo vend vakant bashkë me raportin e arsyetuar për secilin kandidat të përzgjedhur. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar.

Kandidatët për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka kualifikuar gjyqtarin Artur Malaj për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa ka përjashtuar nga gara Altin Hazizajn dhe Mimoza Qinamin. Malaj është kualifikuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, por Komisioneri Publik e ka ankimuar këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra. Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet nga Kuvendi nga radhët e kandidatëve të

përzgjedhur dhe të renditur nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi.

Procesi i përzgjedhjes

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka sqaruar se kandidatët janë verifikuar në mënyrë rigoroze dhe të thelluar. “Shqyrtimi i rasteve të kandidatëve për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë është vendosur në përfundim të procedurave të verifikimit rigoroz dhe të thelluar të ndjekura nga Këshilli, sipas ligjit dhe standardeve tashmë të njohura e të aplikuara që kërkohen për përzgjedhjen, qenien dhe konfirmimin në detyrën e magjistratit apo anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, vlerëson se është rasti për të përshëndetur dhe falënderuar për përgjegjshmërinë, korrektësinë dhe shpejtësinë, në dhënien e përgjigjeve dhe sjelljen e informacioneve të plota dhe profesionale të kërkuara nga shumica dërmuese e institucioneve publike dhe subjekteve private”, ka sqaruar KED.

Emrat e përjashtuar për të kandiduar

Anila Guri

Dedë Kasneci

Ilir Mustafaj

Mimoza Qinami

Vladimir Gërmenji

Kandidatët e kualifikuar për 6 vende vakante në Kushtetuese

1. Arta Vorpsi, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;

2. Arta Vorpsi, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 12.02.2018;

3. Arta Vorpsi, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 04.03.2019;

4. Arta Vorpsi, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 04.03.2019;

5. Besnik Muçi, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;

6. Besnik Muçi, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 12.02.2018;

7. Besnik Muçi, për vendin vakant, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;

8. Fiona Papajorgji, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 04.03.2019;

9. Fiona Papajorgji, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 04.03.2019;

10. Regleta Panajoti, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;

11. Regleta Panajoti, për vendin vakant, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt (VIDEO)

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt (VIDEO)