Mbi 200 rusë kanë marrë shtetësinë serbe përmes procedurave të përshpejtuara, mes tyre edhe persona të lidhur me Kremlinin dhe të përfshirë në të ashtuquajturën “Lista Putin”.
Shqetësimin për këtë praktikë e ka ngritur analisti politik serb, Aleksandar Gjokiqç, duke marrë si shembull rasti i fundit me Jakub Zakriev, nipi i liderit çeçen Ramzan Kadyrov. Zakriev fillimisht mori shtetësinë serbe me arsyetimin e “interesit të Republikës së Serbisë”, por vendimi u anulua pak ditë më vonë nga autoritetet, duke u cilësuar si potencialisht i rrezikshëm për sigurinë kombëtare.
Në mesin e përfituesve përfshihen miliarderi Oleg Boyko, zyrtarë të sanksionuar të kompanisë Gazprom, si dhe Viktor Shendrik, ish-oficer i njësisë elitare Vympel të shërbimit sekret rus. Sipas raportimeve, disa prej këtyre individëve janë pjesë e “Listës Putin”, të përpiluar nga Thesari amerikan, që përfshin persona të afërt me presidentin rus Vladimir Putin dhe të sanksionuar ndërkombëtarisht.
Zakriev, sipas raportimeve, është i përfshirë në menaxhimin e degës ruse të kompanisë “Danone”, pas ndryshimeve të ndërmarra nga autoritetet ruse në bizneset e huaja në vend.Çështja ka tërhequr vëmendjen edhe të Bashkimit Evropian, i cili ka shprehur shqetësim se pajisja e shtetasve rusë me pasaporta serbe mund t’u mundësojë atyre lëvizje pa viza në zonën Shengen.
Brukseli i ka kërkuar Serbisë të forcojë kontrollet dhe të harmonizojë politikën e vizave me atë të BE-së, përfshirë vendosjen e vizave për shtetasit rusë dhe përafrimin me sanksionet ndaj Moskës.
Ndërkohë, çështja ka hapur debat politik edhe brenda Serbisë. Kritikët në Beograd e shohin këtë politikë si të lidhur me marrëdhëniet e ngushta me Moskën, ndërsa qeveria këmbëngul se veprimet e saj janë në interes të shtetit dhe politikës së jashtme pragmatike.
Komente










