Vllaznia dhe Bylisi luajnë të shtunën në orën 16:00 në 'Loro Boriçi' të Shkodrës. Sfida vlen për raundin e 34-t të Superligës, ndërsa për mediet foli mbrojtësi i Vllaznisë, Erdenis Gurishta. Ai tha se Bylisi është një rival që meriton respekt, ndërsa të tijtë duhet të futen në fushën e lojës për tri pikë dhe kreun, paçka se e kanë siguruar zonën 'Final 4'.

Gurishta tha se Vllaznia nuk ka nevojë për aleanca dhe se titullin do ta fitojë në fushë pa i thënë askujt faleminderit.

"Pjesa psikologjike në këtë moment nuk është ajo e duhura. Megjithatë, nuk ka mbaruar akoma asgjë. Duhet medoemos të merren tre pikët me Bylisin për të rikthyer moralin dhe entuziazmin tek ekipi. Nuk ka vend për zhgënjim, sepse kemi edhe tre ndeshje përpara 'Final 4'.

Rivalët - Bylisi duhet vlerësuar maksimalisht. Duhet të kemi vlerësimin dhe seriozitetin e duhur gjatë ndeshjes. Është ndeshje e vështirë. Bylisi meriton vlerësim maksimal, sepse ka futbollistë cilësorë brenda ekipit të tij. Për ne, është i vlefshëm tri pikëshi dhe duhet ta marrim me çdo kusht.

A ka aleatë Vllaznia? Vllaznia ka luajtur vetëm, pa aleanca. Në qoftë se e meritojmë për ta marrë titullin kampion, do ta marrim pa i thënë faleminderit askujt. Jemi vetëm në këtë garë dhe në fushën e lojës. Përgjatë gjithë sezonit, e kemi merituar që të jemi në krye të tabelës. Kemi qenë shumicën e kohës aty.

Ndoshta, herë pas here për gabimet tona apo për mungesë përqendrimi e kemi humbur vendin e parë, por gjithsesi jemi në lojë. Nuk na interesojnë ekipet e tjera. Nuk na interesojnë llogaritë e ekipeve të tjera. Ne jemi në lojë për nëntë pikë dhe në qoftë se i marrim këto nëntë pikë, jam i sigurt që do të jemi në vendin e parë dhe do të shkojmë në 'Final 4' me një motivim tjetër dhe me një moral tjetër", tha Gurishta për mediet.

Shkodranët kanë tre ndeshje radhazi pa fitore, mes tyre dy humbjet e fundit kundër Dinamos dhe AF Elbasanit, çka ka bërë që të humbasin kreun. Shkodranët do garojnë në 'Final 4' pas sezonit të rregullt dhe shpresojnë që të sigurojnë titullin kampion në Superligë pas një mungese 25-vjeçare.


Lajmi kryesor:

Superliga/ Nga përballjet për mbijetesë, te gara për 'Final 4'! Java e 34-t luhet e gjitha të shtunën