Lista sekrete e mbushje kutish/ Historia e manipulimit të zgjedhjeve në PD që Basha e Berisha janë gati ta përsërisin më 13 qershor! Denoncime e fakte deri tek përgjuesit në dhomat e votimit

Lista sekrete e mbushje kutish/ Historia e manipulimit të zgjedhjeve në PD që Basha e Berisha janë gati ta përsërisin më 13 qershor! Denoncime e fakte deri tek përgjuesit në dhomat e votimit

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Ajo që Sali Berisha dhe Lulzim Basha pretendojnë se ka ndodhur në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, për të justifikuar humbjen dhe për mbajtur nën kontroll partinë duke u hedhur ‘hi syve’ demokratëve, në fakt e kanë aplikuar dhe realizuar vetë dy herë brenda Partisë Demokratike, duke manipuluar zgjedhjet për kryetarin në 2013 dhe 2017, histori të cilën po përgatiten për ta përsëritur në 13 qershor 2021. Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë akuzuar jo vetëm nga figurat kryesore të Partisë Demokratike, por edhe nga diplomatët perëndimorë, për manipulimin flagrant të zgjedhjeve për drejtimin e PD-së, për të nxjerrë fitues Lulzim Bashën si i besuar i Familjes Berisha, për kontrollin e partisë. 

Në 27 qershor 2013, 5 ditë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, Sali Berisha dha dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike, për ta drejtuar këtë parti, siç e vërtetoi koha, përmes Lulzim Bashës. Në garë për pasardhësin e Berishës ishin Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, ndërsa procesi i votimit u zhvilluar në 22 korrik 2013. Sali Berisha doli garant i procesit zgjedhor! Olldashi, në atë kohë ende ministër Transportesh, njohës në detaje i strukturave, me lidhje të forta me bazën e partisë dhe një nga zërat më potentë të PD-së, shihej nga Berisha si rrezik për Bashën, i cili nuk kishte asnjë lidhje me strukturat, pasi ishte katapultuar direkt ministër në qeverinë Berisha, falë njohjes me Argitën në UNMIK. 

Në këto rrethana, Sali Berisha, siç edhe u akuzuar publikisht më pas nga Sokol Olldashi, u angazhua në prapaskenë për të manipuluar procesin zgjedhor, për të shpallur fitues Bashën, si i besuari i Familjes. Çfarë ndodhi? Sali Berisha hartoi një listë të re sekrete me njerëz të besuar, të cilët do të votonin Lulzim Bashën, ndërsa përjashtoi nga lista e zgjedhësve anëtarët e identifikuar si mbështetës të Sokol Olldashit. Lista e re votuesve , 80 % e të cilëve punonin në administratë, u mbajt sekret. Këtë listë e kishte vetëm stafi i Lulzim Bashës. Me listë sekrete u operua edhe në zgjedhjet e 2017. Të gjithë kandidatët për drejtimin e PD-së kanë akuzuar Berishën dhe Bashën për listën sekrete të votuesve. Vetëm në Durrës, aty ku Olldashi kishte mbështetjen më të madhe, 1 mijë mbështetës të tij u hoqën nga lista disa ditë para ditës së votimit. Është njësoi sikur mazhoranca të heqë nga lista e zgjedhësve mbështetësit e opozitës, diçka e paimagjinueshme dhe kriminale njëkohësisht. Pas kësaj ndërhyrje të Berishës dhe rrethit të tij në proces, dita e votimit ishte kaotike në të gjitha degët, pasi mbështetësit e Olldashit nuk gjenin emrat në lista, për të votuar. Në disa degë pati përplasje, ndërsa procesi i votimit nisi pas orës 12:00. 

Pas zgjedhjeve, Olldashi akuzoi hapur Bashën për manipulimin e zgjedhjeve, por në fakt mesazhi i tij ishte për Berishën.

Ndër të tjera, Olldashi u shpreh se “Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD”.

Numri i anëtarëve realë të PD-së, në momentet e saj kulmore, nuk i ka kaluar 60 mijë. Por, disa ditë para zgjedhjeve, nga selia blu u deklaruar se numri i anëtarësisë së Partisë Demokratike, që do të votonin për kryetarin e ri të partisë, ishte 106 mijë. Jo vetëm kaq. Procesi i votimit nuk ishte i fshehtë, një fenomen që u përsërit edhe në zgjedhjet e 2017, me qëllim për të identifikuar të gjithë ata që votonin kundër Bashës.

“Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjetër, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm”, denoncoi Olldashi. 

Më tej Sokol Olldashi akuzoi hapur Sali Berishën se kishte angazhuar njerëzit e tij në administratë, për të votuar për Lulzim Bashën.

“Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua – siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë – apo u pushua nga puna, – siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë”. 

Administrata zgjedhore në PD përbëhej nga të besuarit e Berishës, i cili kishte nën kontroll të plotë partinë. Kryetar i komisionit të zgjedhjeve ishte Gjergj Lezhja, sekretar i përgjithshëm në Kryeministri, i besuar i Berishës. Përfundimi nuk rezervoi surpriza. Basha fitoi me 80 % të votave. 

Tre ditë pas zgjedhjeve, në 25 korrik 2013, Aleksandër Arvizu, në atë kohë ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, hodhi dyshime mbi procesit.

“Disa njerëz kanë ngritur pikëpyetje se sa efektiv dhe transparent ishte procesi i votimit. Janë pikërisht këta njerëz, të cilët e kuptojnë më mirë procesin, se sa unë”, tha Arvizu. 

Berisha arriti të mbante nën kontroll partinë, por me një kosto, që ishte përçarja e saj si kurrë më parë. Pasojat u reflektuan në rezultatin e zgjedhjeve të 2017, ku Partia Demokratike mori vetëm 43 mandate, duke shënuar rënien me dramatike në historinë e saj.

Megjithatë, historia e manipulimit të zgjedhjeve në PD, do të përsëritej edhe pas humbjes së zgjedhjeve të 2017, këtë herë me protagonist kryesor Lulzim Bashën. Pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 2017, Lulzim Basha deklaroi ‘ngrirjen’ e funksioneve të kryetarit, një lëvizje që u përcoll me ironi, por që ishte një tjetër manovër për t’u rikonfirmuar në krye të PD-së deri në 2021, sigurisht me miratimin e Berishës. 

Data e zgjedhjeve u caktua sërish 22 korriku. Përballë Bashës ishte kandidati Eduard Selami, i cili edhe pse një figurë e moderuar e PD-së, ish-kryetar i saj etj., më shumë se sa një rival i Bashës, u konsiderua si një lojë e Berishës dhe Bashës për të legjitimuar procesin e paracaktuar. Kjo për shkak se partia ishte nën kontrollin e plotë të Berishës dhe Bashës, ndërsa Selami ishte shkëputur për gati dy dekada nga PD-ja. 

Zgjedhjet u kthyen në një formalitet që kur Asrit Patozi u tërhoq nga vendimi për të sfiduar Lulzim Bashën. Arsyet ishin po ato që denoncoi Sokol Olldashi në korrik të 2013: Lista sekrete me votuesit, kontroll absolut të procesit, presione etj., pra një garë e pabarabartë dhe rrjedhimisht e paracaktuar. 

“Në asnjë rast unë nuk do pranoja të futesha në një garë pa rregulla, ku listat janë sekret. Çështja e listave u ngit për herë të parë në 2013, por pati zgjidhje. Për shkak se nuk vinin nga drejtimi. Dy të tjerët nuk patën akses në lista, mirëpo Berisha tha jam unë garanti. Ky problem u tejkalua, ne bëmë një informatizim të rregullave. Tani thuhet se listën nuk mund ta kesh. Nuk ka pse të fshihen se dihet se kush janë. Ata thonë t’i mund të bësh fushatë në ajër, kurse ai vetë i drejtohej njerëzve që e dinte se kush ishin”, deklaroi Patozi në atë kohë. 

Patozi paralajmëroi para votimit se rezultati ishte paracaktuar.

"Jemi në një garë farsë të zgjedhjes së kryetarit të PD, pasi rezultati është i paracaktuar. Eduard Selami i shërben Bashës për të legjitimuar një proces që nuk është legjitim. Jemi në një situatë shumë të rëndë në PD”. Ndërsa ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli deklaronte se “Në PD nuk ka garë. Selami nuk është kandidat i vërtetë”. Në të njëtën linjë ishte edhe një nga ish këshilltaret më të besuar të Sali Berishës, Suzana Guxholli, e cila deklaronte se “Për ne nuk është një garë e vërtetë. Që të jetë një garë e vërtetë duhet të ketë rregulla loje”. 

Edhe pse Selami i shpërbeu Berishës dhe Bashës, disa ditë para zgjedhjeve, denoncoi se lista e votuesve po mbahej sekret.

“Ana tjetër është mospublikimi i listave dhe ajo çka mua më ka zhgënjyer dhe me shumë është ndrydhja e garës... Dhe fatkeqësisht më kujton më shumë liderin e fundit komunist, Ramiz Alinë i cili bënte gjithçka dhe të pamundurën për një fasadë demokratike, një pluralizëm mendimi dhe i shmangej asaj që ishte më kryesorja që shqiptarët më në fund e arritën”, shprehej Selami. 

Edhe pse askush nuk besonte se kishte garë reale, lista sekrete me votues të besuar nuk ishte i vetmi element manipulues në zgjedhjet e 22 korrikut 2017. Fletët e votimit ishin sërish të identifikueshme me numra, të cilat mundësonin lehtësisht identifikimin e votuesit dhe preferencën e tij. Ndërkaq, në disa qendra votimi ishin vendosur kamera që përgjonin votuesit për kë votonin. Report Tv solli prova filmike se si një kamer ishte vendosur edhe në hollin e selisë PD-së, mbi dhomën e ‘fshehtë’ të votimit. 

Në disa zona u votua në zyrat e kryetarëve të degëve të PD-së, të cilët ishin të besuar të Lulzim Bashës. Nga ana tjetër, krerët e degëve u dërguan SMS anëtarëve për të votuar Bashën. Kandidati Eduard Selami denoncoi ditën e zgjedhjeve, duke deklaruar se “Disa kryetarë dege kanë ndërhyrë, kanë bërë presione dhe kanë kërkuar që të votohet për z. Basha, kjo është shkelje e rëndë. Po ashtu, fleta e votimit ku votohet Lulzim Basha është varur në disa qendra votimi. Kemi të bëjmë me shkelje të neutralitetit”. 

Anëtarët, të cilët ishin identifikuar si mbështetës së Selamit, nuk u lejuan që të votonin, pasi emri i tyre ishte fshirë nga lista. Nga ana tjetër, ata që kishin emrin në listë votuan me mjete identifikimi. Në fund, kutitë e votimit u sollën në selinë kryesore të PD-së, duke u numëruar në mesnatë dhe në mënyrë aspak transparente. 
 
Për herë të parë, pati akuza për mbushje kutish, për të nxjerrë fitues Lulzim Bashën. Topalli deklaroi se “luftë të ashpër për të mbushur kutitë e votimit, pasi demokratët e refuzuan me përçmim rizgjedhjen e Bashës”. Ndërkaq, Astrit Pazoti u shpreh se “Vota u vodh brenda PD. Kam publikuar video ku duken mbështetës të Bashës që votojnë 2-3 herë për Bashën”. Ndërsa, Genc Ruli, pas procesit tha se “Zgjedhjet e fundit. Nëse të parën e quajmë dramë, të fundit ishin farsë. Na shpiku një term “ngrirje”. Demokracia nuk luhet me hile”. 

Sipas gjasave historia do të përsëritet për herë të tretë në 23 qershor 2021, kur Lulzim Basha do të rikonfirmohet edhe një herë në krye të Partisë Demokratike, me miratimin dhe mbështetjen e Familjes Berisha, ndoshta këtë radhë pa një kandidat qoftë edhe formal përballë. Dhe ndërsa po përgatisin farsën e radhës zgjedhore në Partinë Demokratike, Lulzim Basha dhe Sali Berisha vijojnë përpjekjet për t’u mbushur mendjen demokratëve se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 janë manipuluar, për të justifikuar humbjen e 7 radhazi në 8 vite.

 

Eduard Selami duke denoncuar manipulimin e zgjedhjeve në PD të 22 korrikut 2017

 

Kamera që 'përgjonte' votuesit e PD-së në selinë e partisë

 

Reagimi i Astrit Patozit pas zgjedhjeve në PD në 2017

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Begu: 19/05/2021 08:47

    Nuk ka me aniormalitet me banal kur,Hajni thot: Mos vidhni!Vrasesi thot: Mos vrisni! dhe tradhtari thot:Mos tradhtoni!

    Përgjigju
  • Kshu do ndodhi perseri ne 13 qershor: 18/05/2021 18:30

    Cfare ndodh me zgjedhjet per Lulin eshte i njejta situate cfare ndodhte me zgjedhjet e Berishes, qe kutite mbusheshin per faqen e zeze, gjate rruges per ne KZAZ-te. Kudo gjendeshin flete te hedhura andej ketej, ngaqe shtupeshin me shumice dhe ne gadishmeri per tu zevendesuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë