Përfaqësues të Listës Serbe mbajtën më 5 shtator një konferencë të jashtëzakonshme për media, lidhur me ftesën që kanë marrë nga autoritetet e Kosovës për intervistim. Nga kjo parti, thanë se do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese.
Autoritetet e Kosovës kanë konfirmuar se do të intervistohen pesë persona nga pesë institucionet paralele serbe, që u mbyllën në fund të gushtit. Personave që u janë dërguar këto thirrje për intervistim janë zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Në konferencën për media, Igor Simiç, duke folur në emër të personave që kanë marrë këto ftesa për intervistim, tha se ato i shohin si “përndjekje politike” jo vetëm të individëve që kanë udhëhequr institucionet paralele, të cilët janë ftuar për intervistim.
Ai tha se ky vendim është “persekutim i popullit serb”, pasi sipas tij, institucionet e mbyllura ofronin shërbime për qytetarët.
“Nuk është çështja se si do të veprojë nesër Igor Simiqi, Ivan Zaporozhiani, por si do t’ia bëjnë njerëzit të cilëve u shërbyen sa ishim në krye [të institucioneve paralele]. Sa i përket këtyre institucioneve, autoritetet e Kosovës gjithmonë e kanë ditur ekzistencën e tyre. Nuk është asgjë e re që këto institucione kanë ekzistuar në këtë qytet dhe për to është diskutuar në nivel ndërkombëtar, dhe është negociuar në Bruksel se sido të funksionojnë këto institucione në të ardhmen”, tha Simiç.
Më 30 gusht, autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës, që kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.
Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Simiç tha se këto institucione kanë ofruar shërbime juridike për të gjithë qytetarët, dhe “nuk kanë shkelur asnjë ligj”.
Gjatë konferencës, Simiç, që më herët kishte qenë deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, foli edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve.
Qeveria e Kosovës ka shprehur synimin që kjo urë të hapet, por ka hasur në kundërshtimin e ndërkombëtarëve të cilët kanë argumentuar se për shkaqe sigurie, ura nuk duhet të hapet tani.
Simiç tha ky është momenti që “bashkësia ndërkombëtare të tregojë fytyrën e saj”.
“Do të shohim nëse do të bëjnë ndonjë gjë”, shtoi ai.REL