Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019. Të drejtën e votës për zgjedhjet lokale e kanë 3,536,015 shqiptarë, ndër ta, 132.788 zgjedhës votojnë për herë të parë, nga të cilët 51% janë meshkuj dhe 49% vajza dhe gra.
Ministria sqaron se listat janë përditësuar, pasi janë hequr dublikimet dhe adresat fiktive, ndërsa thekson se dy kategorive u është hequr e drejta e votimit. Bëhet fjalë për personat që janë mbi 100-vjeç dhe të dënuarit sipas përcaktimeve të ligjit të dekriminalizimit.
Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka mësuar se janë 1100 personat e dënuar që u është hequr e drejta për të votuar në zgjedhjet e 30 qershorit (lexo ketu te gjitha kategorite). Ndërkohë që të gjithë personat që nuk e gjejnë emrin në listat e zgjedhësve mund t'i drejtohen gjykatës.
Theksojmë që në Janar u vendos shtyrja e vlefshmëria së kartave të identitetit të cilat skadojnë këtë vit. Pra edhe personat që karta e identitetit u ka skaduar kanë të drejtë që të votojnë, pasi është i vlefshëm deri në 31 dhjetor 2019.
Në prag të zgjedhjeve, teksa duhen 36 ditë nga votimi, opozita ka bojkotuar duke dalë në protesta dhe refuzuar dialogun me qeverinë, pasi kërkon largimin e Ramës me cdo kusht. Nisur nga situata, Presidenti shprehu dje gatishmërinë që nëse palët kanë vullnet është gati që të ndryshojë datën për të shtyrë datën e zgjedhjeve.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Brendshme
Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,536,015 shtetas shqiptarë, ndër ta, 132.788 zgjedhës votojnë për herë të parë; 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra. Lista Përfundimtare e Zgjedhësve ka përmirësime të dukshme në raport me zgjedhjet e kaluara, qoftë ato për pushtetin vendor të vitit 2015, ashtu edhe ato parlamentare të vitit 2017. Për herë të parë u arrit të zbardheshin adresat e sakta për rreth 285 mijë zgjedhës, të cilët në vend të adresës së vlefshme kishin kodet 999, 888 dhe 000 në listën zgjedhore, duke i eleminuar këto kode.
Në listën e përditësuar janë hequr dublikimet dhe votuesit mbi 100-vjeçarë, si dhe emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të ‘Dekriminalizimit’. Ministria e Brendshme thekson se i gjithë procesi i hartimit të Listës Përfundimtare të Zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të KQZ-së, të cilët kanë pasur akses të plotë në çdo etapë të këtij procesi. Në vijim të komunikimeve për listën e zgjedhësve, nënvizojmë se ky proces ka nisur në zbatim të dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.
Më pas u hartua dhe miratua Udhëzimi nr.295/1, i datës 06.11.2018 “Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore”.
Hapat e procesit ishin:
– ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhor u publikua më datën 4 dhjetor 2018;
– ekstrakti i dytë i përbërësve zgjedhor u publikua më datën 3 janar 2019;
– ekstrakti i tretë i përbërësve zgjedhor u publikua më datën 1 shkurt 2019;
– ekstrakti i katërt i përbërësve zgjedhor u publikua më datë 1 mars 2019;
– ekstrakti i pestë i përbërësve zgjedhor u publikua më datë 29 mars 2019;
– ekstrakti i gjashtë i përbërësve zgjedhor u publikua në datë 28 prill 2019.
Lista përfundimtare përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve.
DPGJC, ashtu sikurse deri tani, do të përmbushë në vijim çdo detyrim ligjor që rrjedh në bazë të Kodit Zgjedhor, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore
Po si esht e mundur 3.5 miljon votues kur ne gjith si popull jemi 2.8 miljom
Përgjigju