Listë-pagesat nga Rusia e spiunët, Shqipëria peng i 'rublave' e dosjeve?!

Listë-pagesat nga Rusia e spiunët, Shqipëria peng i 'rublave' e dosjeve?!

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Nuk është aspak komode të mësosh se për 32 vite me radhë të gjitha zhvillimet politike dhe ekonomike në vend kanë qenë të varura dhe të diktuara nga humori i Moskës si dhe Beogradit.

Është një “mallkim” që po i ndjek me sa duket shqiptarët gjatë gjithë historisë, ku të paguarit prej këtyre qendrave aspak miqësore ndaj Shqipërisë, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e vendit tonë, thjeshtë e vetëm duke luajtur lojën politike sipas muzikës dhe ritmit të Rusisë si dhe aleates së saj Serbisë, duke qenë në shërbim të plotë të tyre.

Ka qenë një “lojë vdekjeje” për kombin shqiptar, pa pasur brenda asnjë pikë kalkulimi në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por vetëm përfitime për aktorët që kanë pasur në dorë qeverisjen. Të cilët përpos përfitimit vetjak, politik dhe monetar, s’kanë bërë asnjë përpjekje për të siguruar përfitime dhe për vendin që udhëheqin, që të zhvillohet dhe prosperojë krah kombeve të tjera.

Nuk e kanë bërë këtë. Përkundrazi, sipas asaj që po dëgjojmë çdo ditë nëpër podiumet e mediumet politike, kanë menduar vetëm për xhepin e tyre, i kanë shërbyer ‘borderosë’ misterioze në Moskë dhe Beograd, duke e zhytur akoma më tej Shqipërinë nga sa është zhytur nga vetë “mallkimi” shqiptar, pikërisht në momentet kyçe kur vendosej për të ardhmen e vendit.

Nuk paska qenë rastësi fakti që, sa herë që Shqipëria apo Kosova kanë qenë përpara një hapi të madh apo pritshmërie, me ndikim të fortë në fatet e kombit, është sajuar një skandal, një veprim apo një tragjedi e madhe, që ka prevaluar mbi atë që mund të kishin arritur shqiptarët. Jo vetëm duke e penguar, por dhe duke e rikthyer vendin përtej pikës së nisjes, pa shënuar asnjë hap para.

Kështu ka ndodhur me zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, teksa vetëm tre ditë më pas u gatua masakra e 2 prillit në Shkodër. Jo pa qëllim ishte përzgjedhur Shkodra, kryeqendra e veriut dhe e qëndresës shqiptare ndaj komunizmit, për të aplikuar skenarin ogurzi të minimit të demokracisë shqiptare që në fillesën e saj. Për ta “helmuar” atë.

U vranë 4 djem të rinj më 2 prill, vrasje që dhe sot e kësaj dite ka mbetur zyrtarisht pa autor. Por në Shkodër të gjithë e dinë, skenari e kishte zanafillën në kryeqendrën e atëhershme të federatës ish Jugosllave. Pasi ende pa u marrë vesh nga ata që ishin afër në protestë aty, se kush ishte vrarë para selisë së ish komitetit të PPSH të asaj kohe në Shkodër, stacionet televizive dhe radiot në ish Jugosllavi jepnin emrat e viktimave, detajet, dhe asaj që po përgatitej në Shqipëri dhe që ndodhi për një vit rresht.

Gishti ishte drejtuar nga ish kreu i opozitës së asaj kohe Sali Berisha. Pikërisht nga qendra e njërës prej segmenteve të Federatës ish Jugosllave, Podgorica lakohej emri i Berishës. Bënin dhe biografinë e tij dhe familjes, me lidhje shumë të afërta pranë kupolës së Milosheviçit, apo më saktë shërbimit sekret ish jugosllav. Asokohe askush nuk e vuri re, askush nuk e besoi.

Dhe pikërisht nga Podgorica, po të udhëtojmë më pas në kohë, disa javë më parë u dha lajmi në një gazetat më të mëdha të vendit, se Sali Berisha ishte njeriu dhe pika e kontaktit e Moskës, për pasojë dhe skutave të errëta të Beogradit në Ballkan. Madje jepnin dhe motivacionin: “Për të shtrirë ndikimin rus në këtë rajon, dhe për ta pasur gjithnjë një “pushkë të ngehur” në favorin e vet”. Ngjarjet janë të lidhura, dhe në funksion të njëra tjetrës.

Pra pikërisht Sali Berisha, i cili që në krye të herës sipas të gjitha akuzave publike, paska qënë në listë-pagesën e Moskës dhe Beogradit, ku me ndihmën e tyre ia doli që të marrë drejtimin e PD dhe të vendit, dhe të mbetej aty për 32 vite me radhë, pa u tërhequr.

Nuk janë teori konspirative këto, ngjarjet e mëvonshme kanë lënë për të dyshuar se Berisha paska qënë njeriu i këtyre forcave më të errëta kundër Shqipërisë, duke mos e lënë këtë vend të ngrejë kokën dhe të prosperojë si vendet e tjera. Qoftë krahasuar dhe me të rajonit. “Mallkimi” shqiptar i qeverisjes përmes udhëheqësve të shitur, ka bërë që Shqipëria të jetë gjithnjë e fundit, ndërsa sjellja e këtyre të paguarve ka rrënuar dhe po rrënon vendin.

Duke qënë përfitues i shumave marramendëse nga këto dy qendra aspak mike më Shqipërinë, me sa duket nuk ka qënë e paqëllimtë skema e qeverisjes së vendit pa asnjë normë demokratike që në nisje të periudhës post-komuniste, përndjekja e shqiptarëve që kërkonin demokraci apo që kishin sjellë më saktë këtë demokraci, deri në eleminime fizike, përndjekja e udhëheqësve të UÇK, burgosja e dëbimi i tyre duke filluar nga legjenda Adem Jashari e përfunduar te udhëheqësi i kësaj lufte Hashim Thaçi. Po po, Thaçi u dëbua nga Shqipëria, Jashari u arrestua dhe u përcoll më pas në Kosovë, duke dhënë dhe detajet e lëvizjes së tij.

Pra u lëshua në pritën serbe. E thonë ish luftëtarët e UÇK, e kanë thënë dhe figura të caktuara, të cilët si “rastësisht” s’jetojnë më, ku akuzat janë se janë eleminuar përmes sherreve të momentit, aksidenteve apo shuarja e ngadaltë nga sëmundje misterioze. Nuk jetojnë më, sepse dinin shumë ndoshta dhe për fatkeqësinë e tyre nisën të zbardhin të vërtetat e frikshme. Ua mbyllën gojën.

Kemi deri më tani dy ish kryetarë të shërbimit sekret, përkatësisht ish kreu i SHIK-ut Bashkim Gazidede dhe ish kreu i SHISH Kujtim Hysenaj, që u shuan ngadalë nga sëmundje misterioze. I pari kishte qenë bashkëpunëtori më i afërt i Berishës dhe leva kryesore e tij. Dinte shumë, që nga takimi Berisha-Milosheviç-Grigorov në Shën Naum më 1995, takimi me Arkan dhe zullume të tjera në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Thjeshtë sipas madhësisë së zarfit që vinte dhe mbante listëpagesën.

Ndërsa i dyti, ish ambasador në Beograd në kohën e diktaturës, për fatkeqësinë e vet, kishte bërë dhe shoferin për Berishën, të cilin e shoqëroi deri në aeroport, për të shkuar drejt Francës. Janë akuza të bëra nga kundërshtarët politikë këto, të cilat nuk janë përgënjeshtruar nga Berisha. Pra, dinte shumë thonë “gojët e liga” për Hysenajn. U shua ngadalë i ndjeri, në mënyrë misterioze.

Dikush mund të thotë se janë rastësi. Po. Kur ndodh njëherë. Por jo kur përsëritet e përsëritet pafundësisht, aq sa të gjithë ish bashkëpunëtorët e Berishës nuk jetojnë më. Shumica prej tyre hynë në një spital në jug të Italisë thjeshtë për kontrolle rutinë, dhe dolën me arkivole. Që nga Ali Spahia, ish kreu i grupit parlamentar i PD dhe dëshmitar i 2 prillit e deri te Pjetër Arbnori.

Dikush mund të thotë se nuk do të thotë asgjë mbajtja afër duke i promovuar me poste e trashëgimtarëve të këtyre njerëzve të ndarë nga jeta në mënyrë misterioze. Themi për ata që kanë vendosur të jetojnë në Shqipëri. Pasi të tjerët janë mbrojtur deri në azilin politik jashtë vendit, siç është rasti i oficerëve të SHIK, të cilët pas zhdukjes misterioze së veprimtarit për çlirimin e Kosovës, Remzi Hoxha në Kune Vain në Lezhë, janë marrë nën mbrojtje. Kush është përpjekur t’i dënojë me burg është denigruar, deri dhe ka humbur jetën. Si i ndjeri prokurori Xhevat Hana. Janë publike gjërat.

Dhe me sa duket listëpagesa paska qënë tepër e rëndë, duke parë dhe shërbimet që i janë bërë Serbisë dhe Moskës deri më sot. Pikërisht në momentet kyçe. Sapo UÇK nisi luftën për çlirimin e Kosovës dhe po bëhej faktor, dhe duke parë se akuzat ndaj saj si grup terrorist nuk po bënin punë, Berisha i quante grupe terroriste Marksiste, atëherë u shkatërrua shteti nga themelet në mars 1997 dhe një vit më vonë u bë dhe grusht shteti, pas vrasjes së Hajdarit. Pa harruar thyerjen e embargos së OKB për Milosheviçin, ku Shqipëria nën qeverisjen e Berishës e furnizoi me karburant makinën luftarake të Serbisë që përgjaku Bosnjën dhe Kosovën. Shërbim neto ky, dhe me përfitim të dyanshëm me sa duket.

Kështu ka vazhduar deri ditët e sotme. Në shërbim të Rusisë e aleatit të saj në Ballkan, Serbisë. Këtë e tha në mënyrë të detajuar dhe kreu i grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla. Në mes të Parlamentit, duke bërë që Berisha të ulë kokën teksa u përpoq të japë përgjigjie që tregonin “destabilizimin” e plotë të tij përballë këtyre akuzave. Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se Berisha ka marrë para ruse dhe se emri i tij ndodhet në llogaritë e Kremlinit. Madje dhe paralajmëroi se në ditët në vijim do të dalin fakte që vërtetojnë se është financuar nga Rusia.

“Sot Irani është aleat me mikun tënd, Vladimir Vladimiroviç Putin. Mbi ty Sali do të bëjmë publike fakte sesi lidhesh ti personalisht. Nuk është rastësi që vota jote në 2011 është dhënë pro një rezolutë të sponsorizuar nga Valdimir Vladimiroviç Putin. Të është tërhequr vëmendje nga aleatet që po planifikohet një baltë e madhe kundër Shqipërisë, kundër UCK dhe ti s’ke reaguar.

Me porosinë tende kryetari i delegacionit ka votuar pro një rezolute që i ka bërë shqiptarët në sytë e evropianëve vrasës dhe trafikantë të organeve njerëzore. I ke bërë ti Sali dhe ti ke hyrë në llogaritë e Kremlinit dhe listpagesat e Kremlinit.

Ditët në vijim do të dalin faktet e kësaj liste që kulmoi përdorimin e firmës së Lulit, por me porosinë e Saliut për të ashtuquajturat 600 mijë dollarë. Unë po flas mbi bazën e disa dokumenteve që Saliu e di shumë mirë që ne i kemi. Listpagesat janë marrë nga Luli, por për llogari të Saliut, ndajeni te “përputhen” se kush e ka fajin. Se është njoftuar para 15 prillit të 2008. Para një momenti të rëndësishëm bënë një zhurmë të madhe. Në 15 mars të 2008 ndodhte Gërdeci”, tha ndër të tjera Balla.

E zeza mbi të bardhë kjo deklaratë e Ballës. Që i kujton “thikën pas shpine” ndaj Kosovës, duke përlyer luftën e saj e na vënë “damkën” e tmerrit të gjithë shqiptarëve, atë të trafikut të organeve njerëzore. Jo vetëm që shqiptarët nuk e bëjnë këtë, por dhe sikur të duan nuk kanë logjistikën e duhur. Këtu s’kemi aparatura për gjëra më të thjeshta, vetë Berisha sulmon qeverinë e Ramës se e ka lënë shëndetësinë në gjendje të mjerueshme. Lërë më atëherë kur ishte vërtetë ku thërret qameti.

Berisha nuk u përgjigjet këtyre akuzave. Madje as Ramës, i cili ia përmend sa herë që del para mediave, apo në takimet me qytetarët, duke e quajtur “opozita e rublave”. Madje dhe sot Rama akuzoi Berishën duke thënë se “…Çdo shqiptar që i ndjek këto hiena nga mbrapa duhet të pyesë veten çfarë shqiptari është dhe çfarë kërkon pas atyre, që kërkojnë vetëm rrëmujë, konflikt, gjak mundësisht, e që hanë bukën e Shqipërisë po bëjnë duvanë e Rusisë!” Berisha hesht, akuzon për gjëra të tjera, kthen kokën mënjanë, duke rritur akoma më shumë hijen e dyshimit.

Shqiptarët nuk mund të bëhen budallenj. Pasi ata dinë t’i lidhin ngjarjet me njëra tjetrën, që nga koncidenca mes akteve të rënda në Shqipëri dhe hallit të Rusisë e Beogradit, duke filluar nga 2 prilli, marsi 1997, shtatori 1998, “Rambujeja”, apo më të rejat, nga “Gërdeci”, “21 janari”, djegia e mandateve, sulmi ndaj institucioneve dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore në vitin 2019 e deri në ditët e sotme ku po tentohet destabilizimi i vendit. Pikërisht në kulmin e luftës Rusi-Ukrainë.

Paraja hedh ujin përpjetë, politika shqiptare i ka shërbyer listë-pagesës ruse e serbe me sa duket, ndaj dy partitë më të mëdha të opozitës, janë nën hetim, në SHBA dhe në Shqipëri për financim rus. Nuk janë të rastësishme përkimi i ngjarjeve që korrespondojnë me momentin e mbushjes së “borderosë” së tyre me paratë e nëndheshme të shërbimit sekret rus dhe krimit po rus.

Por me sa duket kjo s’paska qënë e keqja e vetme e Shqipërisë. Vënia në shërbim të shërbimeve sekrete ruse, të cilët kanë shfrytëzuar dhe listën e ish agjentëve të UDB të Beogradit në Shqipëri për t’i pasur plotësisht nën kontroll dhe pika kontakti në Ballkan, paska qënë e kombinuar dhe në aleancë me të gjithë ish spiunët e Sigurimit në Tiranë. Janë kontigjenti që ‘peshkohet’ më lehtë nga shërbimet e huaja sekrete, për t’i përdorur kur t’ua lypë nevoja. Kundrejt pagesës.

Të ngjitur në postët më të larta të shtetit, pikërisht nga ky shërbim dhe në aleancën me shërbimet e huaja inteligjente. Duke u tundur dosjen, duke i mbajtur nën kontroll e duke i hedhur në veprim sipas një regjie të caktuar, me emërues të përbashkët: dëmtimin e aspiratës së Shqipërisë për integrim në Europë dhe prosperitet kombëtar.

Autoriteti Kombëtar i Dosjeve për herë të parë i bëri shërbim vendit, zbardhi një nga dosjet më të rënda të Sigurimit të Shtetit, atë të I.M që sipas dokumenteve që po rrjedhin ditë pas dite paska qënë as më pak dhe as më shumë por ish ministri, ish zv.kryeministri, ish kryetari i Kuvendit, ish Presidenti i Republikës dhe aktualisht kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Themi këtë referuar dokumenteve që kanë “rrjedhur” nga Autoriteti i Dosjeve, pas atij kërkimi fatkeq të një prej viktimave Filip Talo të dosjes së tij, i cili njëherësh tregoi se në cilin cep të dollapit ishte dosja e Ilir Metës. Pavarësisht se për shkak të kësaj dosjeje, Filip Talo ishte mbajtur afër pa e ditur nga ana e Metës, duke i dhënë poste në institucionet ku kishte lekë. Sa herë ka qënë në pushtet.

Një natë më parë, për fat dhe me votën e pjesës më të përgjegjshme të PD në opozitë, u miratua ligji që hap të gjitha dosjet e këtyre politikanëve. Dhe Meta atë që nuk e bëri këtu e disa muaj, pra për të kërkuar vetë hapjen e dosjes për të pastruar figurën e tij, tashmë do të jetë i detyruar ta shohë të zbardhur dhe të publikuar për shkak të detyrës që mban, kryetar i PL por dhe paguhet ende nga paratë e shtetit si ish President. Sipas ligjit kuptohet.

Dhe nëse vertetohet zyrtarisht kjo gjë, atëherë sipas ndryshimeve të reja, ai jo vetëm nuk mund të jetë deputet apo në qeveri, por as kryetar partie. Dhe Ilir Meta ka një akuzë se ka lobuar në SHBA me para që nuk u dihet burimi, akuzat thonë se është financuar nga oligarkët rusë të lidhur direkt me Putinin. Jo pa qëllim në raportet e shërbimit sekret shqiptar qarkullonte si spiun rus dhe një nga ish këshilltarët e Metës. Madje më i rëndësishmi.

Sa për financimin, janë shumë para për të qënë të vetat, për një rrogtar shteti që ka dëshira të realizuara të ketë vila, të jetojë mirë, të shkollojë fëmijët në shkollat më të shtrenjta të Londrës, të bëjë udhëtime të shpeshta, por dhe të marrë familjarisht kujdesin e estetëve për rregullime plastike. Kushtojnë këto, shtuar dhe udhëtimet e shpeshta në çdo cep të globit, me para që nuk u dihet burimi, pa qënë i ftuar në takime ndërkombëtare ku i heqin vetë shpenzimet.

Parë në këtë këndvështrim ajo që mund të themi është se Shqipëria duket se është qeverisur nga politikanë të cilët ishin dhe janë në listëpagesat e Kremlinit. Fatet e Shqipërisë dhe shqiptarëve kanë qënë gjithnjë në ‘tehun e thikës’, të varura nga humori i pagatorëve të këtyre politikanëve, Amplituda e destabilizimit të vendit ka lëvizur sa herë kanë pasur hall Kremlini dhe vendet e tjera jo mike të Shqipërisë. Dhe kjo është tragjike me të vërtetë.

Shqipëria vijon ende të jetë pa drejtësi të mirëfilltë që të marrë masat ligjore, por ngushëllohemi që këta politikanë kanë marrë dënim nga partnerët tanë, duke u shpallur “non grata” apo dhe izoluar totalisht. Për të mbetur njëherësh dhe jashtë pushtetit, pra vendimmarrjes që mund të shtonte më tej keqbërjen ndaj vendit dhe në shërbim të vendeve aspak mike. Shpresojmë të dalim nga ky qerthull, me ndihmën e Zotit dhe të partnerëve tanë, SHBA dhe BE.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • beni: 21/10/2022 21:17

    ti duet ti dish mire se i ke dosjet atje te ministria

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!