Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken proteston te arbitrat e ndeshjes

Goli i barazimit (1-1) i shënuar nga Jude Bellingham në ndeshjen mes Anglisë dhe Norvegjisë ka ndezur polemika të forta (minuta 45+2), pasi sipas rregullave ai duhej të ishte anuluar pas ndërhyrjes së VAR-it.

Mesfushori anglez bëri atë që di të bëjë më mirë, mori topin në një moment kur askush nuk e priste, depërtoi nga e majta, çorientoi mbrojtjen norvegjeze dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer Anglinë në lojë. Megjithatë, aksioni duhej të ishte ndalur shumë më herët.

Gjatë zhvillimit të aksionit, topi, pasi u godit nga një goditje e lirë e Norvegjisë (portieri Nyland) dhe po kontrollohej nga një lojtar anglez, preku kabllon e kamerës ajrore ("spider-cam") që qëndron e varur mbi fushë.

Sipas rregullave të futbollit, një kontakt i tillë kërkon ndërprerjen e menjëhershme të lojës dhe rifillimin e saj me top në tokë nga arbitri. Ish-arbitri i Premier League, Mark Clattenburg, aktualisht analist për FOX Sports, konfirmoi se VAR duhej të kishte ndërhyrë.

"VAR mund të ndërhyjë nëse kontakti i topit me kabllon e kamerës është pjesë e një episodi të rishikueshëm. Meqenëse aksioni sulmues që çoi në gol nisi pas këtij kontakti, VAR duhej ta kishte evidentuar dhe ta anulonte golin", u shpreh Clattenburg.

Pavarësisht protestave të forta të futbollistëve norvegjezë, arbitrat nuk e vunë re incidentin dhe VAR nuk ndërhyri për ta korrigjuar vendimin. Si pasojë, goli i Bellingham u konfirmua dhe mbeti i vlefshëm në rezultat, duke shkaktuar polemika të shumta pas ndeshjes.

Përditësim: FIFA më vonë dha një koment mbi këtë çështje, duke thënë se kishin kontrolluar të dhënat, por nuk kishin marrë asnjë sinjal në grafik nga sensori i lidhur i kontaktit të topit dhe për këtë arsye VAR nuk u aktivizua.


Lajmi kryesor:

Botërori 2026/ Anglia ia bën 'me hile' Norvegjisë, e përmbys 1-2 me ndihmën e devijimit 'nga qielli' dhe shkon në gjysmëfinale pas 120 minutave lojë