VARSHAVË, Poloni - Debutoi në stolin e Shqipërisë tre vite më parë pikërisht në këtë stadium, por trajneri Sylvinho sot vjen më i pjekur dhe me më shumë ide sesi të "marrë hak" në një ndeshje historike për kuqezinjtë. Mbrëmjen e 27 marsit 2023 në 'PGE Arena' të Varshavës Polonia fitoi 1-0 kundër Shqipërisë me golin e Karol Swiderski në minutën e 41-të, por nesër kombëtarja e Shqipërisë kërkon fitoren që do na dërgonte më pranë ëndrrës së madhe, kalimit për herë të parë në finalet e një Botërori.
Të enjten (nesër) në orën 20:45 Shqipëria ka shansin të bëjë diçka të tillë dhe trajneri Sylvinho e di mirë. Nga salla e konferencave në 'PGE Arena', braziliani tregoi se ka dy muaj që nuk fle duke menduar për ndeshjen. Ai shtoi se ekipi është përmirësuar gjatë tre viteve që ka qenë në stol, ndërsa u step kur u pyet nëse Muçi apo Pllana do jenë në formacion. Sipas tij Polonia është një rival shumë i fortë dhe tanët duhet të përshtaten me rivalët. Këtë grumbullim për kuqezinjtë mungojnë emra si Manaj, Daku, Medon Berisha apo Kumbulla.
"Rrugëtimi dhe ndeshja e nesërme, Muçi dhe Mehmeti do kenë minuta?
Polonia nuk ka një mbajtje topi shumë të madhe, por në tranzicion janë shumë të fortë dhe dominojnë në pjesë të caktuara të fushës me emrat që kanë. Kundër Holandës bënë mirë dhe mbetën vetëm tre pikë pas. Ata janë mësuar të luajnë në Evropian apo Botëror. Kanë emra që të ndëshkojnë, me një trajner shumë të mirë dhe të organizuar. Është një ekip më i mirë se një vit më parë.
Muçin dhe Mehmetin i kam parë që nga e hëna në stërvitje, është e pamundur të di sesi do jetë zgjedhja në vazhdim, por ne i kemi në ekip dhe janë lojtarë që arrijnë të shënojnë. Duhet t'i përshtatemi situatave, por e dimë që po t'i hedhim në fushë gjejnë portën.
Debutuat në mars 2023, sa ka ndryshuar ekipi tre vite më pas? A është kjo ndeshja më e rëndësishme e ekipit?
Duhet ta thoni ju, unë mendoj se për tre vite jemi përmirësuar shumë që nga viti 2023. Kemi pasur përvojë në Euro 2016 dhe Euro 2024, kemi bërë edhe ndeshje shumë të mirë me Serbinë.
Do flesh sot?
Unë kam dy muaj që nuk fle.
Ju jeni njeriu i surprizave, do kemi të tilla nesër?
Kjo skuadër është rritur, kemi lojtarë që mund të luajnë në krahët e sulmit dhe në qendër. Duhet t'i përshtatemi rivalëve, mua nuk më pëlqen të qahem.
Trajneri polak tha se Shqipëria surprizon, por jo nesër. Jeni dakord?
Nuk e njoh personalisht, por më duket një trajner i mirë. Ka përgjegjësi të madhe dhe luan në shtëpi. Ne jemi shumë të mirë gjithashtu, është vetëm një ndeshje dhe ka presion.
Si jeni? Kemi tre lojtarë që e njohin kampionatin polak, Pllana, Muçi dhe Shehu; sa na ndihmon ky fakt?
Jam mirë, nuk fle prej kohësh, por jam mirë. Mendoj për këtë ndeshje që prej shortit. E kam ndjekur kampionatin polak, kam qenë këtu për Muçin, kam ndjekur Pllanën dhe Shehun. Nuk e di nëse do luajnë, por jam i kënaqur që i kam në ekip. Pllanën kam gjashtë muaj që e shoh, e kam stërvitur vetëm dy herë. Do shohim edhe sot. Nuk e di se kush do luajë.
Priten shumë tifozë shqiptarë. Nga ndeshja e fundit që fituat, mendoni se do e bëni sërish kundër Polonisë?
Tifozët janë forca jonë, janë kudo. Shqiptarë ka kudo dhe kjo na gëzon që i kemi. Sa i takon ndeshjes së fundit, ka qenë një moment tjetër. I kam parë ndeshjet e shkuara, do jetë një ndeshje e vështirë, duket përqëndrim dhe mund të ndodh gjithçka.
Si do e ndalni Lewandowskin dhe cilët janë emrat e tjerë kyç të Polonisë?
Është një nga sulmuesit më të mirë në botë, e kam parë sepse e dua edhe Barcelonën. Duhet të kemi kujdes nga të gjithë, jo vetëm nga ai. Polonia ka shumë emra të rrezikshëm", tha Sylvinho.
Historia dhe përballjet Shqipëri - Poloni:
Të dyja skuadrat janë përballur 15 herë në histori, me dhjetë fitore të Polonisë, dy fitore të Shqipërisë dhe tre barazime. Nga këto takime, vetëm pesë kanë qenë miqësore. Fitoret e Shqipërisë datojnë më 29 nëntor 1953, 2-0 në 'Qemal Stafa' me golat e Loro Boriçit dhe Refik Resmjas, si dhe në takimin e fundit mes tyre, po 2-0 më 10 shtator 2023 në 'Air Albania', me golat e Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut.
Takimi Poloni - Shqipëri do të luhet më 26 mars, në orën 20:45, në stadiumin “PGE Narodowy” të Varshavës. Në rast se kuqezinjtë kalojnë polakët në këtë ndeshje teke, më 31 mars do luajnë sërish në udhëtim për finalen play-off kundër fituesit e çiftit Ukrainë - Suedi, me shpresën për një vend historik në finalet e Botërorit 2026 që këtë vit do zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Nga Varshava, kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti ka thënë se të futesh në historinë e Shqipërisë do jetë e mrekullueshme.
"Hera e parë në këtë nivel? Përvoja në ndeshjet e fundit ka treguar se jemi rritur dhe kemi bërë mirë. Rivalët kanë nivel të lartë, ne do provojmë gjithçka për ëndrrën tonë. Jemi gati, ky është një rast i madh dhe nuk ka shumë rëndësi përvoja. Djersa që lë në fushë të bën të fitosh.
Sa e vështirë është të markosh Lewandowskin? Është shumë e vështirë, nuk ka dyshime. Në vitet e fundit ai ka një nivel shumë të lartë, ka një karrierë shumë të gjatë në nivele të larta. Unë nuk jam vetëm, kam ndihmë nga mbrojtja dhe sulmi.
Çfarë do të thotë kjo ndeshje për ju si kapiten? Si kapiten, të bësh histori me Shqipërinë do jetë e mrekullueshme. Nesër e kemi ndeshjen më të rëndësishme.
Sa shanse keni kundër Polonisë, duke marrë parasysh rezultatet tuaja shumë të mira në ndeshjet e fundit?
Shanset kur futesh në fushë janë të barabarta. Futem në fushë për fitore, ashtu si Kombëtarja. Kemi marrë përvojë që do na ndihmojë. Trajneri vendos skemën, por si mbrojtja dhe sulmi duhet të jenë perfekte për një fitore kundër Polonisë", tha Gjimshiti.
Komente








