Policia polake ka arrestuar një tjetër person të dyshuar për kërcënime ndaj drejtuesve të lartë të shtetit, vetëm pak ditë pas ndalimit të një burri që dyshohet se po planifikonte një sulm ndaj kryeministrit Donald Tusk dhe ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.
I arrestuari i dytë është 46 vjeç dhe u ndalua në qytetin Oborniki, në perëndim të Polonisë.
Zëdhënësi i qeverisë Adam Slapka dha njoftimin në një postim në platformën X:"Dje në Oborniki, policia ndaloi një 46-vjeçar të dyshuar për thirrje publike në internet për vrasjen e përfaqësuesve të autoriteteve polake, përfshirë Kryeministrin dhe Kryetarin e Sejmit.".
Rasti i parë u regjistrua të dielën, kur policia ndaloi një burrë rreth të 60-ave në rajonin e Silesisë së Poshtme, nën dyshimin se po planifikonte një sulm ndaj kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.
Autoritetet polake po vijojnë hetimet për të dyja rastet, në një kohë kur kërcënimet ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë kanë shtuar vëmendjen e strukturave të sigurisë.
Lajmi kryesor:
Polonia në alarm, kërcënohen me jetë Donald Tusk dhe ministri i Mbrojtjes! Arrestohet personi që dyshohet se po planifikonte të kryente sulmin






