MEXICO CITY - Ndeshja e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026 mes Meksikës dhe Anglisë është shtyrë për në orën 03:00 të këtij mëngjesi me kohën në Shqipëri. Shkak për këtë është bërë një stuhi me shi të dendur dhe rrufe në zonën pranë stadiumit 'Azteca' në kryeqytetin e Meksikës. Ndeshja fillimisht është shtyrë me një orë, në pritje të përmirësimit të situatës.
"Për shkak të kushteve të këqija të motit në Mexico City, përfshirë rrezikun e shkaktuar nga rrufetë në afërsi të stadiumit, fillimi i ndeshjes së raundit të 1/8-ave të Kupës së Botës 2026 midis Meksikës dhe Anglisë është shtyrë në orën 19:00 sipas orës lokale (03:00 të mëngjesit në Shqipëri). Siguria dhe mbrojtja e të gjithë individëve është përparësi e FIFA-s. Falënderojmë të gjithë tifozët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre", bën me dije FIFA.
Për shkak të rrezikut të lartë nga stuhia dhe rrufetë, zyrtarët kanë kufizuar hyrjen në fushë, duke ndaluar çdo prani në tapetin e gjelbër derisa kushtet të përmirësohen. Ndërkohë, mijëra tifozë të pranishëm jashtë stadiumit kanë mbetur të bllokuar, pasi hapja e portave u shty për shkak të motit të keq. Edhe përfaqësuesit e medieve janë detyruar të qëndrojnë brenda qendrës së komunikimit për arsye sigurie.
Mësohet se FIFA kishte shqyrtuar mundësinë e zhvendosjes së ndeshjes më herët gjatë ditës për të shmangur motin e keq, por ky propozim hasi në kundërshtimin e të dyja palëve. Federata Angleze e Futbollit u shpreh kundër ndryshimit të orarit për shkak të logjistikës dhe planeve të tifozëve. Nga ana tjetër, pala meksikane ndjeu shqetësime lidhur me sigurinë, sidomos pas festimeve tragjike pas ndeshjes me Ekuadorin, ku humbën jetën 4 persona.
Kjo nuk është hera e parë që moti po dikton agjendën e turneut. Stadiumi “Azteca” ishte përballur më parë me vonesa për shkak të stuhive gjatë përballjes Meksikë - Ekuador në raundin e 1/16-ave, ndërsa sfida Francë - Irak në fazën e grupeve u ndërpre për më shumë se dy orë.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente










