TIRANE- Nga Vlora Adriatik Llalla ka paralajmëruar se do ketë arrestime të drejtuesve lokalë, pasi pjesa më e madhe e tyre janë pasurur, duke kryer veprimtari kriminale. Deklarata e papritur e kryeprokurorit është dhënë pikërisht në Vlorë, ku kryebashkiaku i këtij qyteti Shpëtim Gjika, është marrë i pandehur për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave”. Llalla, ka marrë pjesë në analizën një vjeçare të prokurorisë, ku prokurori i rrethit Kosta Beluri i ka paraqitur punën një vjeçare të institucionet që drejton.

Beluri ka theksuar se vëmëndja më e madhe është përqëndruar në hetimin e zyrtarëve lokalë të këtij qarku, ndërkohë shqetësuese vijon të mbeten vrasjet dhe veprat kundër pronës, si vjedhje dhe grabitjet. Nga ana e tij, Adriatik Llalla inkurajoi prokurorët për vijimin e punës me qëllim hetimin me saktësi dhe shpejtësi,të çdo kallëzimi që kryhet ndaj një zyrtari apo funksionari shtetërot. “Pasuria e tyre është vënë në rrugë kriminale, ndaj duhen hetuar dhe vendosur para ligjit”-tha Llalla. I shqetesuar është shprehur serish numri një i akuzës edhe për punën e punonjësve të policisë gjyqësore. Kryeprokurori prej ditësh ka nisur takimet me vartësit e tij në rrethe.

Duke marrë në analizë punën e tyre vjetore, ai ka renditur dhe problematikat sipas specifikave që paraqet çdo zonë. Në Durrës ai kërkoi vënien para përgjegjësisë të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve të korruptuar. Një ditë më pas në Elbasan, ai tha se pas krimit ekonomik, fshihen persona me pushtet, dhe për të luftuar fenomenin, kërkohen prokurorë të përkushtuar. Pritet që shumë shpejt kryeprokurori Llalla të hartojë dhe raportin përfundimtar mbi gjëndjen e kriminalitetit gjatë vitit 2013. Ky rasport do të lexohet në parlament ku Llalla, do japë shpjegime duke ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve në parlament.

Shkrimi u publikua sot (15.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)