Më tej Llalla u shpreh se Reforma ka një rëndësi të veçantë për qytetarët pasi korrupsioni në drejtësi lejon edhe korrupsionin në çdo aspekt të administratës publike. Sipas kryeprokurorit shqetësim mbeten edhe vonesat në dhënien e drejtësisë.
"Duhet forcuar sistemi i drejtësisë, përse ai duhet të jetë sa më larg ndikimeve politike dhe të grupeve të tjera që synojnë shkeljen e ligjit. Një sistem drejtësie i pastër ndikon drejtëpërdrejtë në uljen e korrupsionit në të gjitha hallkat e tjera të shtetit. Duke u zbehur elementi korruptiv në administratën shtetërore, rritet niveli i shërbimeve publike dhe ndikon drejtëpërdrejtë në cilësinë ekonomike të qytetarëve.Duke qëndruar tek projekti madhor i shtetit shqiptar për realizimin e Reformës në Drejtësi, është shumë e nevojshme që kjo çështje të diskutohet në sa më shumë rrethe publike, institucionale dhe shoqërore. Shqipëria ka arritur pjekurinë e nevojshme për të besuar se rruga për integrimin në Bashkimin Europian kalon, krahas çështjeve të tjera, edhe nëpërmjet forcimit të sistemit të drejtësisë", tha Llalla.
Gjykata e Tropojës pakëson vonesat e paarsyeshme të gjyqeve
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë paraqiti sot rezultatet e para të projektit “Për një drejtësi pa vonesa”, të nisur nga OSBE-ja dhe USAID-i, të cilat tregojnë se efiçenca e seancave gjyqësore është përmirësuar ndjeshëm.
Një vit pas fillimit të projektit, gjykata ka ulur numrin e seancave joproduktive nga 40 në 8 për qind në çështjet civile dhe nga 38 në 23 për qind në çështjet penale. Këto rezultate u arritën falë menaxhimit aktiv të çështjeve nga gjykatësit dhe personeli i gjykatës, me gjithë shtrëngesat infrastrukturore dhe pa asnjë ndryshim ligjor apo pajisje a buxhet shtesë.
“Qytetarët meritojnë një sistem gjykatash të efektshëm, të pavarur dhe të besueshëm, që garanton drejtësi të vërtetë dhe në kohë”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, në veprimtarinë e sotme, në të cilën u mblodhën zyrtarë të lartë shqiptarë, gjykatës, prokurorë dhe avokatë. Në të folën edhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kryetari i gjykatës së Tropojës, Artan Hajredinaj dhe drejtori i USAID-it në Shqipëri, Marcus Johnson.
Raunig tha se Prezenca e OSBE-së është një pjesëmarrëse aktive në reformën në drejtësi, por theksoi se “reforma mund ta arrijë objektivin 'drejtësi për të gjithë’ vetëm nëse zbatohet këtu, mes maleve të Tropojës, si dhe në çdo gjykatë tjetër të Shqipërisë”. Ai shtoi se Prezenca pret të shohë një debat politik konstruktiv për përfunduar reformën në drejtësi.
“Për një drejtësi pa vonesa” filloi si projekt pilot në gjykatën e Krujës, në shkurt 2014 dhe u përqafua shpejt edhe nga gjykatat e Korçës, Pukës dhe Tropojës. Prezenca e OSBE-së dhe Projekti i USAID-it për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST) e krijuan këtë projekt pasi një studim i kryer nga Prezenca tregoi se rreth gjysma e seancave në gjykatat shqiptare ishin joproduktive – nuk paraqitej asnjë argument, nuk qarkullohej asnjë dokument, nuk merrej asnjë provë dhe nuk bëhej asnjë kërkesë. Projekti mori mbështetjen e fortë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Prezenca e OSBE-së synon të ndihmojë edhe gjykata të tjera, në të tërë Shqipërinë, që të integrojnë teknikat për menaxhimin aktiv të çështjeve në punën e tyre, për të siguruar drejtësi pa vonesa për të gjithë qytetarët.
Fjala e plote e kryeprokurorit Llalla
Prokuroria Shqiptare ka pranuar me kënaqësi të jetë pjesë aktive e programit “Drejtësi pa vonesa”. Që në momentin e parë, kemi menduar se është një mënyrë efikase për rritur shpejtësinë e hetimit dhe sidomos gjykimit.
Dhe në fakt, kur u njohëm me rezultatet konkrete të projekteve pilot në disa rrethe të vendit, realisht u surprizuam për mirë.
Mendimi i parë që na u krijua ishte se “kjo është rruga e duhur për të realizuar reformën në drejtësi”. I gjithë diskutimi publik, politik e mediatik për reformimin e sistemit të drejtësisë ka si synim afrimin e drejtësisë tek qytetarët. Pra, dhënien edrejtësisë në një kohë sa më të shpejtë dhe të bazuar në ligj. Programi “Drejtësi pa vonesa” duket se e ka realizuar më së miri qëllimin e tij në ato gjykata ku po aplikohet.
Në bazë të këtij projekti, Gjykatat zhvillojnë gjykim të pandërprerë, prokurorët dorëzojnë në gjykim listën e provave dhe dëshmitarëve në një kohë sa më të shpejtë, marrin pjesë në çdo seancë dhe pranojnë gjykimin e shkurtuar në çdo rast që plotësohen kushtet ligjore. Po ashtu, komisariatet e policisë sigurojnë praninë e dëshmitarëve në seanca pa vonesa dhe avokatët përmbushin plotësisht misionin e tyre për sigurimin e mbrojtjes efektive të klientëve të tyre.
Praktikisht, i gjithë ky angazhim ka ndikuar që proceset gjyqësore në Tropojë, Krujë, Pukë dhe Korçë, në përgjithësi, të përfundojnë brenda afateve optimale.
Tashmë është e qartë se për të arritur në zgjidhje të mëdha, duhen bashkuar të gjithë idetë e thjeshta dhe vullneti i mirë për të qenë në shërbim të plotë të publikut.
Përvoja ndërkombëtare, e cila është përcjellë nëpërmjet OSBE-së dhe USAID-it, synon gjykimin e shpejtë. Nëpërmjet këtij procesi ritmik, natyrisht zvogëlohet ndjeshëm edhe mundësia e korruptimit të zyrtarëve që ushtrojnë funksionet në sistemin e drejtësisë.
Të gjithë duhet të angazhohemi për të forcuar besimin e opinionit publik tek sistemi i drejtësisë. Rritja e shpejtësisë në dhënien e drejtësisë është mënyra më e mirë për të arritur këtë qëllim. Natyrisht, vonesa në dhënien e drejtësisë është një problematikë e mbartur ndër vite. Ajo lidhet edhe me mënyrën e funksionimit të organeve të drejtësisë, ngarkesës së tyre, numrit të pamjaftueshëm të prokurorëve e gjyqtarëve dhe efikasitetit jo të lartë në bashkëpunim me institucionet e tjera.
Por projekti “Drejtësi pa vonesa” po na ndërgjegjëson dita-ditës se zgjidhjet i kemi shumë pranë dhe janë të thjeshta. E rëndësishme është që të forcohen kapacitetet dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë.
Në këtë mënyrë, edhe qytetarët do të jenë përfituesit e drejtëpërdrejtë të Reformës në Drejtësi. Duke qëndruar tek projekti madhor i shtetit shqiptar për realizimin e Reformës në Drejtësi, është shumë e nevojshme që kjo çështje të diskutohet në sa më shumë rrethe publike, institucionale dhe shoqërore. Shqipëria ka arritur pjekurinë e nevojshme për të besuar se rruga për integrimin në Bashkimin Europian kalon, krahas çështjeve të tjera, edhe nëpërmjet forcimit të sistemit të drejtësisë.
Tashmë janë kushtet e nevojshme që vendi ynë të marrë përsipër nismat e nevojshme për t’u përafruar me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Të gjithë faktorët vendimmarrës në Shqipëri kanë shprehur vullnetin e plotë për forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Nga ana tjetër, partnerët tanë ndërkombëtarë po mbështesin maksimalisht nismat e shtetit në këtë drejtim. Misioni OPDAT dhe projektet e Bashkimit Europian janë fokusuar tërësisht në asistencën e nevojshme për institucionet tona, me qëllim realizimin në një kohë sa më të shpejtë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të reformës në drejtësi.
Objektivi kryesor dhe madhor i reformës natyrisht është realizimi i një sistemi të drejtë dhe larg korrupsionit. Është e qartë se perceptimi i opinionit mbi korrupsionin në Shqipëri shtrihet në pjesën më të madhe të sektorëve të jetës publike. Qytetarët janë të bindur se ka korrupsion në shërbimet publike, në shëndetësi, në arsim, në tendera e konçensione. Natyrisht, pjesë e perceptimit për korrupsionin, dhe jo pa të drejtë, është edhe sistemi i drejtësisë.
Për më tepër, korrupsioni në drejtësi lejon edhe korrupsionin në çdo aspekt të administratës publike.
Kjo është arsyeja kryesore se përse duhet forcuar sistemi i drejtësisë, përse ai duhet të jetë sa më larg ndikimeve politike dhe të grupeve të tjera që synojnë shkeljen e ligjit.
Një sistem drejtësie i pastër ndikon drejtëpërdrejtë në uljen e korrupsionit në të gjitha hallkat e tjera të shtetit. Duke u zbehur elementi korruptiv në administratën shtetërore, rritet niveli i shërbimeve publike dhe ndikon drejtëpërdrejtë në cilësinë ekonomike të qytetarëve.
Këto janë arsyet se përse është shumë e nevojshme që drejtësia shqiptare të afrohet me standartet europiane. Ajo duhet të jetë në shërbim të qytetarëve në mënyrë direkte, pikërisht me projekte si ky për të cilin jemi mbledhur sot në Tropojë.
Por, drejtësia duhet të jetë në krah të qytetarëve, edhe në mënyrë indirekte, duke goditur fuqishëm korrupsionin brenda vetes dhe jashtë saj, me qëllim përmirësimin e jetës së të gjithë shqiptarëve.
Redaksia Online
Gre.M/Shqiptarja.com