TIRANE- Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla do të mbajë përkohësisht edhe postin e Drejtorit të Hetimit në Prokurinë e Përgjithshme. Vendimi është mësuar sot ndërkohë që ky post, tepër i rëndësishëm në organin e akuzës mbahej nga prokurori Sokol Stojani, një nga të besuarit e ish kryeprokures Ina Rama dhe që dha dorëheqjen pas emërimit të Llallës në detyrë.

Ndërkohë Llalla prezantoi sot Adnand Kosovën në krye të Prokurorisë së Tiranës. Adnand Kosova është vënë në krye të prokurorisë së kryeqytetit  pas dorëheqjes së Sokol Malajt. Ky i fundit kërkoi dorëheqjen pak ditë pas emërimit të kryeprokurorit të përgjithshëm, Adratik Llalla. 

Prokuroria e Krimeve të rënda do të drejtohet nga Eugen Beçi, pas dorëheqjes së Olsian Çeles.Ndryshime te tjera pritet te kryen edhe në krerët e prokurorive të rretheve.

Këto janë ndryshimet e para që përfshinë organin e akuzës që prej emërimit në këtë detyrë të Adriatik Llallës.

LLALLA MBESHTET DREJTORINE E HETIMEVE

Gjatë një takimi me prokurorët e rretheve të mbajtur dy ditë më parë në Tiranë, kryeprokurori Adriatik Lalla ka dhënë një mesazh të veçantë duke mbështetur hapur një prej Drejtorëve më të rëndësishëm në prokurori i cili njihet edhe si mik i kryeministrit të vendit.

Në krye të Drejtorisë së Inspektimit është prokurori Arben Dollapaj. Ai e ka mbajtur këtë post edhe në periudhën kur prokurorinë e ka drejtuar Ina Rama dhe njihet si një ndër drejtuesit e emëruar me mbështetje të veçantë nga maxhoranca në vitin 2007.

INSPEKTIMI
Drejtoria e Inspektimit është një ndër më të rëndësishmet në strukturën e Prokurorisë së Përgjithshme. Praktikisht ajo është njësoj si SHKB-ja në Drejtorinë e Policisë, pra është drejtoria që heton dhe mbikqyr punën e prokurorëve dhe evidenton shkeljet e tyre gjatë punës. Aktualisht kjo drejtori ka vetëm katër prokurorë që janë nën varësinë e zotit Dollapaj ndërsa kryeprokurori i ri pritet që të zgjerojë këtë zyrë duke mundësuar trefishimin e stafit dhe t'i japë më shumë kompetenca në kontrollin e punës së prokurorëve. Konfirmohet ndërkohë se zoti Dollapaj jo vetëm do të vazhdojë të kryejë punën e drejtorit të kësaj drejtorie, por ai prej kohësh kishte propozuar zgjerimin e zyrës së tij kryeprokurores Ina Rama, kërkesë kjo që është duke u përmbushur vetëm tani, me ardhjen e kryeprokurorit të ri.

DOLLAPAJ
Dy vite më parë emri i Dollapajt është bërë pjesë e një skandali që përfshinte emrin e deputetit Erjon Braçe dhe atë të një trafikanti shqiptaromaqedonas Daut Kadriovski. Deputeti Braçe doli në një konferencë për shtyp ku denoncoi ardhjen me postë të një videoje ku trafikanti Kadriovski ishte i filmuar duke akuzuar deputetin socialist si bashkëpunëtor të tij në disa krime. Kadriovski ka qenë një emër i njohur i botës së krimit por në vitet e fundit ai ka degraduar si i alkolizuar dhe si një njeri që e gjen shpesh në pijetoret e Shkupit. Pas denoncimit publik të Braçes mediet kontaktuan Kadriovskin dhe ky i fundit jo vetëm deklaroi që e kishte bërë këtë video por tha se përpara se të xhironte videon ishte takuar me prokurorin Arben Dollapaj. Pasi ky prononcim i Kadriovskit u botua në medie Dollapaj reagoi menjëherë dhe mohoi kategorikisht çdo takim me Kadriovskin. Prokurori Dollapaj rezulton aktiv në dy dosje të rëndësishme. Gjashtë vite më parë ai ka hetuar dosjen e "Bandës së Lushnjes" si dhe ka qenë pjesë e grupit të hetuesve të dosjes "Gërdeci", ku ka mbuluar hetimet në lidhje me shkaqet e shpërthimit në Gërdec

Redaksia online
(sg/hh/eç/shqiptarja.com)