TIRANE - Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, e konsideron marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Europian, si një përgjegjësi të madhe për të gjithë institucionet, përfshirë edhe institucionin që ai drejton, për të rritur efiçencën në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe forcimit të shtetit ligjor në përgjithësi.

Këtë qëndrim, Llalla e shprehu gjatë një takimi që zhvilloi me Ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, ditën e sotme në ambjentet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Duke u ndalur tek veprimtaria konkrete, Llalla u shpreh se institucioni që ai drejton ka ndërmarrë hapa konkretë në rritjen e efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale dhe goditjes së kriminalitetit. Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme theksoi se rekomandimet e progres-raportit kanë shërbyer si një udhërrefyes për punën e Prokurorisë.

“Prokuroria shqiptare ka ndërmarrë hapa konkretë në rritjen e efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale dhe goditjes së kriminalitetit. Rekomandimet e Komisionit Evropian të shprehura në Raport Progreset periodike kanë shërbyer si një udhërrefyes për punën e Prokurorisë dhe janë vlerësuar e trajtuar si prioritete të aktivitetit institucional”. theksoi Llalla

Kryeprokurori Llalla i shprehu diplomates së Brukselit zyrtar vlerësimin për rolin dhe kontributin e Delegacionit të BE në Shqipëri për asistencën e vazhdueshme dhe mbështetjen financiare që i është ofruar ndër vite prokurorisë shqiptare, të cilat sipas Llallës kanë ndikuar maksimalisht në rritjen e performancës së institucionit.

Në këtë drejtim, Llalla përmendi disa nga projektet më të rëndësishme që janë zhvilluar në bashkëpunim ndërmjet Prokurorsië shqiptare dhe Bashkimit Evropian të cilat siç nënvizoi shefi i akuzës, kanë patur një ndikim pozitiv në punën e Prokurorisë.

Në vijim të asistencës së Delegacionit të Bashkimit Europian për prokurorinë shqiptare, Llalla vlerësoi si të një rëndësie prioritare financimin për ngritjen dhe funksionimin e Sistemit të Menaxhimit të Rasteve (Case Management), një projekt që është parashikuar të aplikohet në fillim të vitit 2015 dhe dixhitalizon përpunimin e të dhënave hetimore. Në bazë të këtij Sistemi, prokuroria shqiptare do të gjenerojë statistika në kohë reale; do të koordinohet në kohë reale me Policinë e Shtetit që në momentin e referimit dhe më tej në fazat e tjera të hetimit, si edhe do të forcojë kontrollin e brendshëm

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)