Duhet të shtoni numrin e hetimeve për korrupsionin dhe kontrabandën. Është kjo porosia që Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla u ka dhënë atyre të Korçës dhe Pogradecit.

Gjatë fjalës së tij në analizën vjetore të prokurorëve në nivel Apeli në qytetin e Korçës, Llalla vuri theksin tek nevoja e bashkëpunimit mes institucioneve në luftën kundër korrupsionit e krimit.

“E kam përmendur edhe në analizat e tjera dhe këtu po e them me forcë: prokurorët duhet të shtojnë numrin e hetimeve proaktive dhe hetimeve kryesisht. Vetëm në këtë mënyrë do të bindim edhe institucionet e tjera të forcojnë aktivitetin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit,” tha Llalla.

Po ashtu ai kërkoi nga prokurorët analiza periodike me institucionet e tjera ligjzbatuese.

“Në Prokurorinë e Korçës dhe të Pogradecit konstatohet një numër i lartë mosfillimesh dhe pezullimesh. Këto raste kanë shtuar ndjeshëm ngarkesën e punës në Prokurori. Për të menaxhuar si duhet ngarkesën e punës, si edhe për të mos trajtuar rastet që dukshëm nuk përmbajnë elementë të veprës penale, ju nxis që të zhvilloni analiza periodike me institucionet e tjera ligjzbatuese. Vetëm në këtë mënyrë, duke diskutuar paraprakisht çdo aspekt të rasteve, prokuroria do të ketë më shumë mundësi të ulë ngarkesën e tepërt dhe të rrisë efektivitetin,” u shpreh kryeprokurori.

Në fjalën e tij nuk mungoi edhe vlerësimi pozitiv për Njësinë anti-korrupsion në Prokurorinë e Korçës.

“Dua të shpreh vlerësimet pozitive për punën e Njësisë Antikorrupsion në Prokurorinë e Korçës. Në bazë të statistikave të përpunuara në Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton që kjo njësi ka ndër rezultatet më të mira të çështjeve të dërguara në gjykim, krahasuar me numrin e rasteve të trajtuara. Gjithësesi, shpreh bindjen që Njësia këtu ka më shumë mundësi për të rritur efikasitetin dhe rastet e korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës,” shtoi Llalla.