Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla ka apeluar se problematika e Reformës në Drejtësi në Kosovë duhet dhe mund të shmanget në Shqipëri.
 
Problematikat e reformimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë mund të shërbejnë si një bazë e konsiderueshme për t’u shmangur gjatë hartimit të saj në Shqipëri. Prokuroria Shqiptare është e angazhuar dhe mirëpret Reformën në Drejtësi, e cila do të realizojë forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe të mekanizmave për luftën kundër korrupsionit si brenda radhëve, ashtu edhe në administratën e lartë publike” ka thënë Llalla. 
 
Nga pala kosovare, Prokurorit Llalla iu sugjerua që strukturat përgjegjëse në Tiranë që janë angazhuar në Reformën në Drejtësi, të vlerësojnë problematikat e Kosovës në këtë drejtim, me qëllim që të mos përsëriten të njëjtat gabime edhe në Shqipëri.
 
 Këto deklarata Adriatik Llalla i ka bërë gjatë një vizite në Kosovë, ku autoritetet atje kanë sjellë përvojën e tyre, e cila është e ngjashme me situatën aktuale në Shqipëri dhe u shprehën se nevoja për reformimin e drejtësisë zbuloi, pas zbatimit të saj, faktin se problematika qëndronte kryesisht në inkoherencën e kuadrit ligjor dhe jo domosdoshmërisht në të gjithë zyrtarët që ushtronin funksionin e prokurorit dhe gjyqtarit.
 
 Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë që reforma të jetë një proces dhe jo një fushatë, si edhe duhet vlerësuar paraprakisht nëse masat që priten të ndërmerren do të sjellin përmirësime apo deformime të sistemit.
 
Ky takim i Lallës me me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, me Kryetarin e Kuvendit,  Kadri Veseli, ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si edhe me drejtues të institucioneve të drejtësisë ëhstë bërë në kuadër të bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në aspektin penal.
 
Llalla dhe Lumezi diskutuan  për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme në të dy anët e kufirit. Gjithashtu, temë diskutimi ishin edhe masat e marra në evidentimin dhe parandalimin e rasteve të rekrutimit të qytetarëve me origjinë shqiptare për dërgimin në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme.
 
Megjithatë, fokusi kryesor i diskutimeve gjatë vizitës dy-ditore në Prishtinë ishte përvoja e autoriteteve atje në reformimin e sistemit të drejtësisë. Në vitin 2010, institucionet e drejtësisë në Kosovë u përfshinë në një reformë të thellë, për të cilën, aktualisht, autoritetet shtetërore besojnë se, pavarësisht gjetjeve pozitive, u shoqërua edhe me problematika që ndikuan drejtëpërdrejtë në cilësinë e funksionimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)