Llalla-Van Leeuw: Belgjika hetim
shqiptarëve të akuzuar për krime

TIRANE - Zhvillimi i hetimeve nga ana e autoriteteve belge për çdo qytetar shqiptar që dyshohet nga Belgjika për përfshirje në trafiqe të paligjshme dhe kriminalitet të organizuar, ishte tema e diskutimi sot mes Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, dhe homologut të tij belg, Frédéric Van Leeuw.

Sipas të dyja palëve, kjo vjen në kuadër të nevojës për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar.

Në fjalën e tij Llalla i shprehu homologut të tij belg gatishmërinë e plotë të prokurorisë shqiptare për të zhvilluar hetime në territorin e Shqipërisë për çdo qytetar shqiptar që dyshohet ose është i akuzuar nga autoritetet belge për përfshirje në trafiqe të paligjshme dhe kriminalitet të organizuar. Sipas Llallës, duke pasur të parasysh faktin se numri i emigrantëve shqiptarë në Belgjikë është relativisht i madh, “ekzistojnë mundësitë reale që shtetas të ndryshëm shqiptarë të jenë të përfshirë në krimin e organizuar dhe që mbajnë lidhje me vendin e origjinës, sidomos në tentativat për të pastruar produktet e veprave penale, pra të ardhurat e krijuara nga veprimtaria e paligjshme”.

Në këtë këndvështrim, të dy bashkëbiseduesit shprehën qëndrim të njëjtë se goditja kundër grupeve dhe organizatave të përfshira në krim të organizuar, ka sukses nëse goditen në aspektin financiar të tyre.

“Krimi i organizuar ka si karakteristikë të tij synimin e përhershëm të përfshihet në ekonominë legale. Për këtë arsye, është shumë i nevojshëm të rritet volumi i shkëmbimi të informacionit ndërmjet strukturave hetimore për të frenuar shtrirjen e aktivitetit kriminal në veprimtari të ligjshme financiare”, u shpreh Llalla.

llalla

Nga ana e tij, Prokurori federal i Belgjikës, Van Leeuw, teksa vlerësoi nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit, theksoi sipas tij punën e bërë nga ekipet e përbashkëta hetimore, të ngritura mes dy vendeve për çështje konkrete.

Në këtë kuadër, Van Leeuw, solli si shembull konkret një aksion të përbashkët të kohëve të fundit, në të cilin nëpërmjet bashkëpunimit mes autoritetet hetimore të të dyja palëve, u arrit të goditej në Belgjikë një grup i strukturuar kriminal që merrej me vjedhje, i përbërë nga shtetas shqiptarë, të cilët të ardhurat i dërgonin pranë të afërmëve të tyre në Shqipëri.

Në përfundim të këtij hetimi të përbashkët, në Belgjikë u arrestuan 15 persona, 13 prej të cilëve shqiptarë, kryesisht nga zona e Shkodrës.

Në vijim të bisedës, drejtuesit e prokurorisë shqiptare dhe belge u shprehën se dy vendet tona, gjeografikisht janë të vogla. Për këtë arsye, është shumë e nevojshme që të forcojmë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin për të shënuar suksese të vazhdueshme.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

NJË NGA NE/ Artizania fierake rikthen veshjen myzeqare: Duhet mbrojtur nga UNESCO

NJË NGA NE/ Artizania fierake rikthen veshjen myzeqare: Duhet mbrojtur nga UNESCO