Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga Peshkopia bëri apel sot që të respektohen masat anti-COVID, ndërsa bëri publik rastin e një miku të tij që është infektuar me COVID. "Nëse nuk mbajmë shifrat nën kontroll është një risk për ata që do të vendosin për të ardhur dhe zonat e kuqe njerëzit i shmangin, nuk niset njeri drejt një zone të kuqe.
Jam marrë gjithë mëngjesin me një mikun tim që nuk e besonte kurrë që mund ta kapte, por tani është në vështirësi vetë prej kësaj, është serioze dhe e rëndësishme që të bëjmë maksimumin, nuk po them të mbyllemi prapë, por ato minimume kujdesi duhet ti bëjë që të parandalojmë një riizolim" tregoi Lleshaj.
Deklaratën Lleshaj e bëri gjatë takimit me përfaqësues e të zgjedhur vendorë, Prefektin e Qarkut, drejtues të Policisë së Shtetit & IKMT, drejtues rajonalë, për të diskutuar për mbrojtjen e mjedisit, masat kundër ndërtimeve pa leje, dëmtimit e prerjes së pyjeve, luftën antikanabis, çështje të tjera që lidhen me sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik e projekte të zhvillimit të Dibrës.