Lleshanaku: Ju rrëfej Mississipin, jugu “i ngrohtë” i Amerikës

Lleshanaku: Ju rrëfej Mississipin, jugu “i ngrohtë” i Amerikës
Në shkurt të 2009, isha e ftuar si shkrimtare, në Universitetin e Mississippit. Ishte hera e parë që shkelja në jugun e SHBA-së, për të cilin dija aq sa kisha pare nga filmat me subjekt Luftën Civile. Zbrita në një aeroport të Tenessit, meqenëse ishte më i afërti me qytezën Oksford në Mississippi, ku ndodhet edhe universiteti. Geri, drejtuesi i programit që ishte caktuar të më shoqëronte, sapo hymë në makinë, më dha lajmin e keq që Morgan Freeman, nuk do të ishte në restorantin e vet atë mbrëmje. Pra, rrugës për në Oxford, do të ndaleshim në një nga qytezat më interesante të Mississippit, në Clarksdale, ku ishte bërë edhe rezervimi për darkë: në restorantin e Morgan
Freeman- aktorit simpatik të Hollivudit. Gjatë rrugës, Geri po më tregonte për Robert Johnson, mjeshtrin e muzikës “blues”, madje edhe legjendën se si ai ia shiti shpirtin djallit, në shkëmbim të gjenialitetit me kitarën. Duke iu afruar Clarksdale, pata mundësi të shihja disa nga ndryshimet me veriun: stilin e përzier kreol, grek, viktorian dhe gotik të arkitekurës vendase. Prej avionit, kisha mundur të dalloja edhe pyjet që shoqëronin rrjedhën e lumit Mississippi.

Në supermerkatone parë në autostradë, u ndalëm për të blerë diçka të shpejtë. Ndryshe nga Neë Yorku, në Mississippi, qendrat tregtare ishin ku e ku më të zhurmshme: njerëzit përshëndesin njëri-tjetrin, njohur e pa njohur, flisnin me zë të lartë, dhe bënin komente mbi mallrat. Dhe, sigurisht..
karrocat ishin më të kursyera në ushqime. Veshjet ishin më uniforme, dhe më praktike, dhe një “si je, si e kalove ditën sot?” me një buzëqëshje miqësore nga ana e shitësit, duket mëse normale në jugun “e ngrohtë”.
Pra, ndalesa e parë, ishte në Clarksdale, epiqendra e Delta Blues. një qytezë në Deltën e Mississippit. Shkuam për darkë, ashtu siç e kishim parashikuar, në
restorantin “Madidi”, një restorant shumë elegant, I ndërtuar dhe diezenjuar në stilin e jugut, me tavane dhe dysheme prej druri dhe mura me tulla. Restoranti ishte me dy kate. Kati i parë, ishte për klientët, ndërsa i dyti ishte privat; Freeman, rrinte në katin e dytë me miqtë e tij, gjatë atyre ditëve të rralla të fundjavave, që ai nuk ndodhej në xhirime. Tavolinat ishin shumë luksoze dhe menyja ishte një lloje “kuzhine e amerikanizuar franceze”, siç e
quanin amerikanët. Vera gjithashtu shumë e mirë dhe klientët, ishin pothuajse të gjithë të bardhë. Restoranti, i cili ishte në pronësinë e Freeman dhe të një ortaku të tij jurist, u mbyll para pak kohësh.
“Ne nuk kishim asnjë fitim nga restoranti”, shprehet Bill Lucket, partneri i tij, “por jemi të kënaqur, që kemi ndikuar sadopak, në përmirësimin e jetës
së qytezës.” Pa dyshim që po. Nëse nisesh për një turne në Mississippi, është e pamundur të mos përfshish në axhendë një darkë në restorantin e aktorit
të madh, i cili ka lindur në Mississippi, dhe ka jetuar me gjyshërit deri kur u rrit, dhe iu bashkua prindërve, punëtorë në Çikago. Ai e njeh mirë shpirtin dhe mentalitetin e kësaj zone, dhe nuk është çudi që akoma në mimikën dhe tonin e tij si aktor, ruan ndjeshmërinë e “jugut”.

Historia e “blues”-it, është shpirti I Clarksdale-it. Një hotel që quhet “Riverside”, është bërë i famshëm prej Bessie Smith-it, ikonës së blues-it, e cila vdiq diku afër hotelit, pas një incidenti me makinë. Blues, pambuku dhe barbekju- ja, janë tre elementët identifikues të zonës. “Abe’s Bar-B-Q”, i krijuar që më 1924, ka si përshëndetje: “Hajde i uritur dhe porosity një Abe të madhe” , dhe ajo që ata ofrojnë, janë pikërisht specialitetet e jugut, ose “soul food”, siç e quajnë ata: ushqim i pasur me mish (kryesisht derri), të rënda e të ushqyeshme, dhe pikante. Ndryshe, ne mund ta quanim “ushqim që të mban shpirtin gjallë”. Dhe fundi i udhëtimit ishte qyteza e Oksfordit, vendi ku ka jetuar William Faulkner, shkrimtari i madh nobelist amerikan, emri i të cilit, e ka bërë të famshëm këtë qytezë.

Përveç statujës së tij para Bashkisë, një vend I rëndësishëm pelegrinazhi, është edhe shtëpia në Rowan Oaks që ishte bota e tij private. Shtëpia e tij e madhe, mendohet të jetë ndërtuar prej një koloneli nga Tenessi, daton që nga Lufta Civile dhe ndodhet mes një pylli shumë të lartë kedrash. Folkner e zgjeroi dhe transfomoi dhe e zhvendos aty bashkë me të shoqen Estela, dhe dy fëmijët e saj, nga martesa e parë. Këtu lindi edhe vajza e tyre, Jill Faulkner. Në 1972, Jill ia shiti shtëpinë Universitetit të Mississippit, në mënyrë që shtëpia, të mund të vizitohej prej admiruesve të tij nga e gjithë bota. Thuhet që historitë e Faulkner, janë nxitur pikërisht nga ambjenti ku ka jetuar: rrëfimet lokale të indianëve, arratisjet e skllevërve dhe rrëfimet e ish-kolonelëve.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Sarandë, arrestohet grabitësi serial, vodhi marketin (EMRI+VIDEO)

Sarandë, arrestohet grabitësi serial, vodhi marketin (EMRI+VIDEO)