Mes kanionit të Langaricës dhe rrjedhës së Vjosës, Llixhat e Bënjës prej vitesh janë një nga pasuritë natyrore më të veçanta të jugut të vendit. Ujërat termale, të hapura në natyrë dhe me temperatura që variojnë nga 26 deri në 32 gradë Celsius, janë të njohura për vlerat e tyre kurative dhe për numrin në rritje të vizitorëve nga Shqipëria dhe rajoni.
“Ndodhemi te Llixhat e Bënjës, që kanë veti të jashtëzakonshme kurative për disa sëmundje. Qeveria shqiptare ka disa muaj që po investon në rigjenerimin total të këtyre llixhave. Janë katër vaska që do të vihen në funksion tërësisht për sëmundje të ndryshme dhe për pacientë, të cilët vuajnë nga këto sëmundje. Vlera totale e investimit të qeverisë shqiptare është gati 2 milion Euro. Punimet parashikohet të përfundojnë në sezonin e ri turistik.”
Përvec përmirësimit të kushteve për shfrytëzimin e ujërave termale, ndërhyrjet do të shtrihen dhe në hapësirat përreth.
“Ky projekt zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ka si qëllim përmirësimin e infrastrukturës së ujërave termale të Bënjës, të cilat janë monument natyre. Ndërhyrjet janë minimale dhe të kontrolluara, të realizuara në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për zonat e mbrojtura”, thotë Avni Sadiku, inxhinier pyjesh.
Projekti parashikon rehabilitimin e rrugëve që të çojnë drejt llixhave, mbrojtje lumore dhe ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse. Do të krijohen parkime për automjete dhe biçikleta, stacione karikimi për mjete elektrike, tualete publike, mobilim urban, sinjalistikë orientuese dhe tabela informuese.
Inxhinier Sadiku hedh poshtë zërat kritik për dëme të mundshme në mjedis
“Ka pasur pretendime se investimi mund të dëmtojë mjedisin, por kjo nuk qëndron. Projekti është hartuar në përputhje të plotë me ligjin e zonave të mbrojtura dhe aktet nënligjore përkatëse. Çdo ndërhyrje është menduar për të mbrojtur natyrën dhe për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit”, nënvizon ai.
Llixhat e Bënjës janë të njohura për efektet e tyre shëndetësore, veçanërisht për sëmundjet reumatizmale, muskulore, problemet e kockave dhe lëkurës. Çdo vit, dhjetëra vizitorë nga qytete të ndryshme të vendit dhe nga rajoni frekuentojnë zonën për trajtime natyrore.
“Ujërat termale janë kurative për disa lloje sëmundjesh, si ato reumatizmale dhe muskulore, problemet e kockave, lëkurës, presionin e gjakut dhe sistemin tretës. Ky investim i shërben jo vetëm rritjes së turizmit dhe ekonomisë lokale, por edhe ruajtjes së vetë kësaj pasurie natyrore”, thekson Sadiku.
Projekti është i ndarë në disa zona funksionale. Në të përfshihen hapësira parkimi, zona për kampera, ambiente për piknik, një hapësirë për shitjen e produkteve lokale dhe artizanale, zona e vaskave termale, një amfiteatër për aktivitete kulturore, si dhe një zonë shërbimesh me dushe dhe dhoma zhveshjeje.
Burimet termale të Bënjës ndodhen 14 kilometra larg Përmetit, në njësinë administrative Petran, pranë bashkimit të lumit Vjosa me përroin e Langaricës.
Zona ndodhet shumë pranë Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës”. Përveç vaskave termale, turistët vizitojnë edhe urën e Kadiut, kanionin e Langaricës, shpellat natyrore dhe monumente të tjera që ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht.
Komente












