Lobimi i PD në SHBA, dëshmon
në Prokurori Arben Ristani

Lobimi i PD në SHBA, dëshmon<br />në Prokurori Arben Ristani<br /><br>
TIRANE-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani është marrë në pyetje mëngjesin e sotëm për kontratat e lobimit të Partia Demokratike në SHBA. Ish-deputeti i PD, që vijon të mbajë postin e sekretarit të PD, iu përgjigj fletëthirrjes së bërë dy javë më parë nga prokurori Gjergji Tako duke u paraqitur sot në orën 09:00. Ai ka dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës për rreth 30 minuta për lobimin  me vlerë 675 mijë dollarë në SHBA që PD bëri para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit.

Ristani dëshmoi për kontratat me kompanitë lobuese në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm që ka dijeni për këtë çështje. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës, Arben Ristani deklaroi në një prononcim për Report Tv se PD nuk ka asgjë për të fshehur në këtë histori. “Shkova në Prokurori pas urdhrit të Taulant Ballës, i cili e paralajmëroi nga salla e parlamentit. Dëshmova mbi pagesat e PD për lobim. Prokurorët morën indicie nga kontratat e publikuara në SHBA. PD nuk ka asgjë për të fshehur, ka zbatuar me përpikëri kontratat” deklaroi Ristani për Report Tv.

Ai gjithashtu theksoi se të gjitha pagesat për këto kontrata janë lëvruar përmes rrugëve bankare. Ristani është titullari i parë i PD që dëshmon në prokurori, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ketë edhe persona të tjerë që të dëshmojnë. Prokuroria nisi hetimet pak muaj më parë pas publikimeve në media dhe akuzave nga PS, se PD ka paguar 675 mijë dollarë nëpërmjet një kompanie offshore. Report Tv mëson se autoritetet shqiptare kanë dërguar një letërporosi në SHBA për të kuptuar si është bërë pagesa dhe si janë mbledhur fondet. Prokuroria ka hetuar lëvizjet që ka pasur PD me thesarin dhe KQZ për shumat e paguara. Pagesat që janë kryer në territorin shqiptar janë pasqyruar, por mungon vlera 500 mijë dollarë. Argumenti që përdoret nga PD është se mbledhja e fondeve është bërë jashtë vendit.

Tre ditë më parë gazeta amerikane ‘Mother Jones’ pas një investigimi zbuloi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e Shqipërisë dhe financimin nga kompani ruse të lobimit të Lulzim Bashës në SHBA pranë republikanëve dhe Donald Trumpit. Pas sulmeve nga PD, dje prestigjiozja amerikane ka reaguar sërish duke sjellë faktet që sipas saj janë të pa kontestueshme. “Mother Jones” tregon se si Basha ra në kontakt me kompaninë ruse për të paguar lobistin Nick Muzin i cili do ta  reklamonte në Uashington.

Kompanitë dhe lobimi
Paratë kanë shkuar për kompanitë "Stonington Strategies", "Muzin Capitol Partners" dhe "Biniatta Trade LP". Pagesa për lobim në SHBA (675 mijë dollarë), PD ka bërë edhe gjatë kohës kur ishte në "Çadrën e Lirisë" përpara Kryeministrisë. Pjesë e pagesave të këtyre kontratave, krahas suportit politik nga DASH, ka qenë edhe mundësimi i një takimi të kryetarit të PD, Lulzim Basha me presidentin e SHBA, Donald Trump, takim ky i zhvilluar në një mbrëmje për mbledhje fondesh në Uashington vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Dy nga kontratat me "Stonington Strategies", PD i ka nënshkruar pak ditë përpara zgjedhjeve.

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga sistemi mbrojtës kundërajror rus! Vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga sistemi mbrojtës kundërajror rus! Vetëm 28 mbijetuan