Lodrat e fëmijërisë së shqiptarëve, i mbani mend?

Lodrat janë tepër të rëndësishme në mirë rritjen e një fëmije. Nëse ne nuk u japim lodra fëmijëve tanë, të jeni të sigurtë së ata do i shpikin vetë ato. Shqiptarët kanë pasur një fëmijëri të lumtur nga vlera natyrore e veprimeve, pra kanë luajtur shumë në natyrë dhe kanë qenë të lidhur me të, ose të varfër për të blerë lodra në shumëllojshmërinë e tyre. Edhe ato lodra të pakta që mund të ishin, lodra plastike nga Plastika Durrës, ishin kthyer tashmë në markë shqiptare.

Kali i famshëm i fëmijërisë së shqiptarëve, arushat  plastikë me shumë ngjyra, flutura plastike e Lushnjës, bateria e famshme unike shqiptare me motive e prodhuar nga MMKS, çmimi 18 L. Arushët dhe kafshët prej gome që bëjnë fiq-fiq, kali kaf prej plastike, kukulla shqiptare prodhim vendi kanë qenë disa nga llojet e lodrave tona. Kemi pasur fëmijëri të mbushur me lodra. Për këtë temë, gazetari dhe prezantuesi i Emisionit Esencë Eljan Tanini, emision ky që shfaqet çdo të mërkurë në orën 23:00 dhe çdo të premte  në orën 21:00, u bisedua në studio me koleksionistët Bledar Këneta dhe Elton Caushi, me prezantuesen Androniki Kolka dhe me psikologen klinike Marsjola Domi.

Tanini: -Si e keni krijuar koleksionin tuaj me lodra të vjetra shqiptare, Bledar?

Bledar Këneta: -Është krijuar ndër vite, janë lodra plastike. Një ish magazinë e asaj kohe doli me lodra jo të përdorura, të pa hapura.

Elton Çaushi: -Nga pasioni i kam koleksionuar këto lodra, njerëzit e dinë të gjithë pasionin tim.

Tanini: Janë lodra plastike që e kanë ende aromën e tyre, nuk u ikën aroma.

Bledar Këneta: -Në vitet 80 ka filluar prodhimi më masiv i lodrave plastike shqiptare. Ato kanë vulën e tyre ‘Plastika Durrës’.

Bledar Këneta: -Mbaj mend që vapori rrinte pak shtrembër në ujë. 

Bledar Këneta: -Plastika Durrës ka nisur nga viti 48, si fillim fabrikë e kohës së Italisë. Modernizimi më i madh nisi nga vitet 80.

Tanini: -Krrabën nuk e kam përdorur kurrë për të vrarë kumuri e zogj, vetëm për të hedhur gurët sa më larg.

Bledar Këneta: -Ky është kallëpi në të cilin bëhej lodra. 

Tanini: -Karroca me kuzhinieta ka qenë luftë për pushtet në lagje. Karroca me kuzhinieta kishte zhurmën e saj, poshtë shkruanim diçka, anash po ashtu, burrat që ishin më të fortë e lëmonin mirë drurin, përpara e pas u vinim tapa për sinjale.

Tanini: -Rrëzoheshe kollaj me këto karroca!

Bledar Këneta: -Ishte e vështirë të krijoje një si këto.

Tanini: -Në lagje kemi bërë edhe nga këto skuterat prej druri, nga ato që sot janë elektrike.

Elton Çaushi: -Me karrocat me kuzhinieta kemi rrëshkitur te Medreseja dhe te Liqeni. Kur vriteshim, korja e këmbëve dhe e duarve shpesh herë nuk piqej.

Tanini: -Rasti më i mirë për të shëruar këmbët e vrara e që të piqej korja ishte urina.

Elton Çaushi: -West-i ka qenë i pranishëm në Shqipëri. Në fund të viteve 80 vinin njerëzit me gjujt me kuaj nëpër shkolla. Kalorësit e atyre viteve e mbanin vetën si djem seksi, të qenit kalorës për kohën ishte diçka e madhe. Sot në botë, mjetet që tërhiqen me kuaj janë ende në gjendje të mire.

Tanini: -Kali si simbol shkon shumë në Tiranë! I mbani mend kërrabat me plumça?

Elton Çaushi: -Si  nuk i mbajmë mend! Më mirë të haje një gur nga llastiqet se ato plumçat me tel. Ende më dhemb veshi ku më goditi vëllai dikur.

Tanini: -Bënim kërraba me llastik mbathjesh.

Bledar Këneta: -Unë kam jetuar në fshat dhe shumë nga këto lodra nuk i kam pasur. Fëmijët e fshatit bënin pushkë dhe shpata prej druri, karroca me timon dhe kapak, një lojë tjetër ishte rethi me shkop. Më tipikja ishte ajo që imitonte krismën e pistoletës me karbit. Kur prisheshin bateritë ne u merrnim atë pjesën sipër, i shponim, e mbushnim me barut të shkrepseve, i vendosnim një gozhdë dhe më pas e godisnim gozhdën dhe bëhej pëllcitja.

Elton Çaushi: -Këtë që permend ti ne e bënim me qese. Me një peshë të rëndë dhe një vidë të rëndë, e hidhje për  sipër dhe binte duke pëllcitur. Qejfi ishte kur kalonte ndonjë vajzë që trembej.

Tanini: -Po këto kallamat e instalimeve elektrike i mbani mend?

Tanini: -Me ato luanim me kausha! Merrnim disa libra fetarë me ngjyra, i grisnim bukur dhe pastër me të cilët bënim kausha. E prisnim fillimin dhe e bënim me pështymë majën që të ishte më e fortë…

Elton Çaushi: -Ato majat e kaushave shpesh herë ngelnin në tavan.

Tanini: -Letrat i fusnim në brez, kallami plastik po ashtu duhet të ishte rreth një metër. Për t’i bërë kallamit shenjestër shpesh herë në fund të tij ngjisnim një kuti shkrepëse që e vendosnim horizontalisht ose vertikalisht. Shpesh herë kallamin plastik e lidhnim me ngjice, nastro, ose një lloji ngjitëseje kafe. Kulmi ka qenë te Teta Resi në kat të parë. Ajo kishte disa kaktusa në ballkon, mund të ishin edhe fiq deti. I merrnim gjembat e kaktuseve dhe i vendosnim brenda te kaushët. Në raste të veçanta, vinim edhe gjilpëra për të gjuajtur macet, qentë dhe kumuritë. Luanim nga njëra lagje në tjetrën. Njëra anë e shkollës Qemal Stafa me anën tjetër të Institutit të Sigurimeve.

Elton Çaushi: -Luanim partizan-gjerman dhe ballist, ndaheshim me grupe. Me shumë vuajtje, ama ne kemi kaluar një fëmijëri fantastike. Shkonim te Liqeni 20 veta, ishim 8-9 vjeç. Nuk kishte merak në shtëpi.

Tanini: -Kapnit peshk te Liqeni? Si i kapnit?

Elton Çaushi: -Me kavanoza ose me qese dhe bukë brenda. Ne pranverë ose në verë. Aq shumë peshq kapja, sa mamasë i bllokokja legenin. Nuk e harroj kurrë kur mamaja i kishte duart me vajgur, i futi në ujë dhe ngordhën peshqit. Në liqen kishte tritona, është një lloji amfibi. Pastaj Toni dhe Arbëri mbaj mend që dilnin për gjarpërinj, dilnin vetë për to, sillnin edhe gjarpërinj uji. Ne kemi pasur shumë raport të mirë me natyrën. Me kumuri, harabela dhe me kafshë të tjera qyteti.

Tanini: Ne gjuanim pishat e pemëve te Zogu i Zi! Ose i merrnim sipër kur kishim mundësi, ose i gjenim poshtë të rëna. Sa shije të mirë kanë pasur! 26 mijë lekë kilja sot, të paktën aq i kam lënë unë!

Tanini: Po kakzozat i mbani mend?

Elton Çaushi: Kakzoza kishte në mes të lagjes. Mbrapa 15 katëshit, atje ku ishte Fusha e Ratit, familje shumë e mirë tironse me mbiemër Karapici, luanim te fusha dhe po të gërmoje pak gjeje kakzoza. Kishte flutura e nusespashke.

Tanini: Xixëllonja! Në qytet unë i mbaj mend shumë mirë

Bledar Këneta: -Unë psh kam bërë dikur koleksionin e fluturave, gjethet gjithashtu.

Tanini: -Bënim gara me kerminj, luanim edhe me ato figurat e Lucky Luck. Dikur bëja tregti me ato në shkollë.

Bledar Këneta: -Luanim edhe me Kopac!

Elton Çaushi: -Kopacat ishin 3, 6 dhe 12 leksh! Disa çuna në lagje u specializuan në këtë fushë me teknika të larta, dilnin edhe në autobuse për kopsa. Njëri e mbante xhaxhin, tjetri ia këpuste kopsën me bisturi ose brisk. Kishte kopaca, solda dhe pulla.

Tanini: -Me peta luanin edhe djemtë edhe vajzat, gjenim vetëm peta te rrumbullakta, i kishim fiksim të tilla!

Bledar Keneta: -Luanim doçe kanoçe, ajo që është sot në formën e bejsbollit amerikan.

Tanini: -Luanim me kapakun e kavanozit. E hidhte njëri nga njëra shkallë e pallatit për te tjetri. Kur e kapte ai tjetri duhet ta bënte kosh ose gol te tjetri e kështu me radhë sipas teknikave të ndryshme. Lojën me kapakun e kavanozit nisëm ta përsosnim.

Bledar Keneta: -Ne nuk arritëm të prodhonim lodra metalike, makina psh. Kemi prodhuar lodra druri dhe plastike, plastika nuk thyhej.

Tanini: -Unë kam pasur një luan kaf që tundte kokën. E thyen ose e theva vetë, flisja me të. Ne kemi kapur peshq me shishe plastike.

Elton Çaushi: -Peshqit ngordhnin nga temperatura e ujit dhe nga ushqimi i tepërt që u hidhnim atyre.

Bledar Keneta: -Ndërrimi i ujit ndikonte gjithashtu.

Elton Çaushi: -Peshkun e quajtën Valentin.

Tanini: -Peshqit nisëm t’i kapnim tashmë me kallama! I merrnim fshehurazi te Ambasada Kineze. Gjuanim edhe me toj më pas.

Elton Çaushi: 1986-1987 te zadrat, Komiteti i kohës hodhi edhe rërë për t’u larë në Liqenin Artificial të Tiranës, shkonim me gjyshat dhe shokët. Atje mësuam notin. Nismë shumë e bukur që duhet bërë edhe sot kur të rregullohet uji në Liqenin Artificial të Tiranës.

Bledar Këneta: -Në lum jemi larë gjithmonë, edhe në lumenj me mbeturina.

Elton Çaushi: -Në revista si Fatosi ka gjëra të mrekullueshme, vlerësim për fëmijët. Mënyrë e mirë për të propaganduar jetën etike dhe kulturore shqiptare. O Zot riktheheni Revistën Horizonti!

Tanini: -Bënim, sajonim figura të bukura me kallajin e baterive të makinave. Qirinjtë i mblidhnim dhe bënim të tjerë qirinj me to.

Bledar Këneta: -Është shumë e vështirë të gjesh lodra druri. Plastika e Durrësit bënte shumë gjëra, shumë sende, sandalle, shapka etj… Koleksionistët janë njerëz hermetikë, do të ishte mirë të bëheshin/të bënim katalogje me koleksionet tona.

Elton Çaushi: -Do të ishte mirë të bëheshin botime të mirëfillta shqiptare për fëmijët shqiptarë. Jo Art të importuar.

E.T/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 10/02/2024 01:06

    Emision i shkelqyer! Sa kujtime,sa nostalgji! Edhe une i kam ruajtur lodrat e femijerise.Ka njerez qe nuk na kuptojne pse i ruajme,pse i kujtojme,pse i koleksonojme,por une kam vetem dy pergjigje per keta tipa qe nuk na kuptojne-1-keta ose nuk kane luajtur kurre kur kane qene femije,pra i ka rritur jeta para kohe,ose 2- kane harruar se kane qene femije,ose cdo te thote te jesh femije! Me pelqeu qe u kujtuan jo vetem lodrat,por dhe lojrat,megjithse keta zoterinjte kujtuan vetem ato qe benin djemte,por ka patur lojra qe jane bere vetem nga vajzat,ashtu dhe lojra qe i benim bashke djem e vajza.Me pelqeu qe u kujtuan revistat per femije.Une kam qene e abonuar te /HORIZONTI/ dhe te /YLLKA/ qe ketu nuk u permend.Ideja e nje katalogu mu duk interesant,por do te ishte me mire te kemi nje muzeum kombetar te lojrave e lodrave,ku te ekspozohen jo vetem ato shqiptare,por dhe importet.Gjithashtu desha te kujtoj qe nje pjese te lodrave i siguronim nepermjet qendrave te punes te prinderve.Une merrja lojra dhurate deri ne nje fare moshe si nga puna e nenes,ashtu dhe nga ajo e babait.Z.Tanini,ju keni krijuar nje nga emisionet me interesante e me te bukura dhe po ju ndjekim rregullisht me familjen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it