TIRANE - Një ditë pas arrestimit të zyrtarëve të tatimeve dhe të njësisë se lojërave të fatit për akuzën e mashtrimit dhe korrupsionit, policia dhe njësia Task Force e prokurorisë së Tiranës, zbulojnë skemën e funksionimit.
 
Burime nga prokuroria bëjnë me dije se zyrtarët e tatimeve dhe të Njësisë së Lojërave të fatit të arrestuar nga policia dhe Prokuroria e Tiranës për akuzën e korrupsionit, dyshohet se kanë konsumuar veprën penale së paku në tetë raste. Rastet janë zbuluar pas përgjimeve dhe vëzhgimeve të policisë ndaj personave të akuzuar. 

Burimet thanë se personat e arrestuar dyshohet se kanë favorizuar subjekte të ndryshme duke mos mbajtur procesverbalet e konstatimit dhe të konfiskimit për rastet kur janë gjetur makina të lojërave të fatit të palicencuara. 

Hetimet zbuluan se një prej personave, Metjon Bijo dhe një person tjetër i arrestuar nga policia me kërkesë të Prokurorisë kryenin rolin e sekserit. 

Më parë inspektorët e Lojërave të fatit dhe të Tatimeve kryenin konstatimin dhe më pas iu bënin të ditur që makinat e lojërave të fatit do t’iu konfiskoheshin. 

Situata zgjidhej pasi një prej të akuzuarve si sekserë, ndërmjetësonte me drejtuesit e aksionit dhe kundrejt pagesës së shumës prej 90 mijë lekësh të reja.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)