Lojërat me VAR-in dhe telekomanda në zyrat e FSHF-së

Lojërat me VAR-in dhe telekomanda në zyrat e FSHF-së

Sistemi VAR dhe arbitri Kridens Meta

Futbolli shqiptar pa dje edhe njëherë shfaqje të dhunës në ndeshjen e javës së 35-të dhe të parafundit të Superligës. Barazimi 2-2 i Tiranës me Bylisin solli reagimin e tifozëve bardheblu në "Arena Egnatia" në Rrogozhinë, me ultrasit që u futën në fushë dhe dhunuan arbitrat e ndeshjes. Pamjet janë të dënueshme dhe dhuna ca më shumë, teksa gjithçka erdhi pasi kryesori Kridens Meta akordoi penallti për Bylisin në minutat e fundit të ndeshjes.

Një dyluftim në zonë dhe ndërhyrja e Behiratche u konsiderua 11 metërsh nga Meta, me arbitrin e Kolegjiumit të Tiranës që nuk u konsultua me VAR. Investimi më shumë se 1 milionë euro i FSHF-së duket se ishte "i fikur" për këtë rast, teksa as arbitri Olsion Yzeiraj që ishte në "regji" duket se nuk e ka konsideruar rastin për konsultim.

Një moment që mund të vendosë fatet e sezonit është lënë në mënyrë të çuditshme pa u konsultuar me teknologjinë, kjo për të qartësuar edhe idetë. Kujtojmë se ky nuk është rasti i parë që këtë sezon dhe atë paraardhës, VAR-i nuk përdoret në raste të tilla, me arbitrat që "fikin" dhe "ndezin" VAR-in sipas dëshirës së eprorëve.

Nuk duket çudi që në një kampionat të dyshimtë tifozët numërohen me gishtat e dorës, teksa shkallët e stadiumit janë dëshmia më e mirë sesi mosbesimi te gara është rritur edhe pse me VAR në lojë. Veç saj, janë vetë klubet që në reagimet zyrtare kanë shpallur "non-grata" të gjithë arbitrat, me FSHF-në që është vendosur shpeshherë në siklet.

Nëse bëjmë një rikthim në kohë, nuk do ishte rasti i parë që Superliga telekomandohej nga lart. Sezoni 2016-17 është rasti më i mirë për të treguar se arbitrat manipulojnë garën. 20 maji i 2017 do mbahet mend për grisjen e kartonit të kuq nga Hamdi Salihi, me arbitrin Enea Jorgji që e pranoi se në atë ndeshje e "katranosi" me vendimet e tij. Ndeshja Kukësi - Skënderbeu foli për vendasit, që pas fitores 2-0 siguroi trofeun e parë historik në Superligë.

Nëse i hedhim një sy këtij sezoni, duket se gara për kampionin e Superligës do shkojë me "fotofinish", pasi Partizani dhe Tirana ndajnë kreun me 64 pikë, me "Demat" që janë në vendin e parë për shkak të ndeshjeve direkte. Me FSHF-në që ka "kyçur gojën" për ndeshjen e Kupës së disa sezoneve më parë, ku Bylis dhe Tirana morën raporte për trukime, nuk është çudi që fati i fituesit të sezonit të komandohet nga zyrat e FSHF-së, edhe me VAR të fikur.

"Qyfyret" e radhës priten të hënë me fillim nga 16:00, aty ku do vendoset edhe kampioni i Superligës, skuadrat evropiane dhe ato të zonës së mbijetesës. Partizani luan me Teutën në shtëpi, teksa Tirana udhëton për në "Niko Dovana" dhe ndeshet me Erzenin që kërkon të mbijetojë.

Nëse klubet i quajnë arbitrat "kamikazë" dhe këta të fundit nuk tregohen profesionistë në fushë, skena të shëmtuara si ato të Rrogozhinës janë të destinuara të përsëriten për shkak të mosbesimit të tifozëve mbi garën e ndershme.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar