Benjamin Karl shkroi historinë në Lojërat Olimpike, duke u bërë sportisti i parë që fiton 4 medalje në ‘snowboard’. Austriaku ia doli të mbronte medaljen e artë nga ‘Pekin 2022’, duke mposhtur në finale koreanin Kim Sangkyum. Ky sukses në Giant Slalom për meshkuj i dha Austrisë medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike Dimërore në Milano dhe Cortina. Sigurisht dhe festa ishte e pazakontë. Benjamin Carl hoqi me radhë uniformën dhe të gjithë bluzat duke treguar muskujt në Cortina. 

Garë e jashtëzakonshme në patinazh për Sander Eitrem, i cili vetëm dy javë pasi vendosi rekord botëror në disiplinën 5000 metra për meshkuj, fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike duke vendosur edhe rekord. Norvegjezi përmirësoi kohën e tij me gati 3 sekonda, duke e ndalur kronometrin në kohën 6 minuta, 3 sekonda e 95 të qintat. Numri 1 në botë i këtij sporti Matodej Jilik, i cili garoi kundër Eitrem në çiftin e parafundit, mori medaljen e argjendtë. 

Ky sukses i Sander Eitrem i dha Norvegjisë medaljen e tretë të artë në këto Lojëra Olimpike, duke lënë pas në vendin e dytë Amerikën me dy të artë deri më tani. Delegacioni i SHBA, duhet theksuar se është më i madhi në Lojërat Olimpike të Milano-Cortina-s me 232 atletë. Megjithatë Norvegjia kuptohet si shteti i cili do të marrë më shumë medalje në këto Lojëra Olimpike. Për t’u theksuar që në ditën e tretë Italia fitoi 6 medalje, 5 të bronzta dhe 1 të argjendtë. Rekord për axurrët të cilët deri më tani janë shteti më me shumë medalje, 9.  

Ndërkohë gara e parë për sportistët shqiptarë do të jetë me 11 shkurt me Deni Xhepën, i cili garon në skitë alpine në disiplinën Super G. I njëjti skiator garon më 14 shkurt në disiplinën Giant Slalom, ndërsa me 15 shkurt do të jetë Lara Colturi nga e cila pritet medalje për Shqipërinë. 

Deri më tani janë kompletuar 13 evente nga 116 të parashikuara në Lojërat Olimpike Dimërore të Milano-Cortina.