Mirëseardhja franceze e 5 kontinenteve në Lojërat Olimpike kaloi mes polemikash të forta në opinionin ndërkombëtar por edhe gafash që ndodhën në ceremoninë hapëse.
Flamuri i eventit, me 5 rrathët që personifikojnë 5 kontentet e globit ishte vendosur përmbys, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, si një turp i rëndë.
Më tej, atletët e Koresë së Jugut u prezantuan gabimisht si të Koresë së Veriut nga spikerët francezë e ata anglezë. Në parakalimin e tyre, folësit i prezantuan si atletë nga “Republika Popullore Demokratike e Koresë”, emri zyrtar i Koresë së Veriut.
Por ajo që shkaktoi më shumë bujë ishte parodia e Darkës së Fundit me drag queens duke pozuar.
Një skenë që ngjalli zemërimin e klerikëve katolikë francezë e jo vetëm, por edhe qortime nga figura të rëndësishme të politikës italiane, si Matteo Salvini.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salvini shkruan se ajo skenë në hapje të Lojërave Olimpike të Parisit ishte një fyerje për komunitetin e krishterë në të gjithë botën. Edhe senatori italian Lucio Malan e quajti këtë skenë dhe ceremoninë në tërësi, si një turp për Francën dhe Evropën.
Sa i përket lojërave të zhvilluara, Kina ishte vendi i parë që siguroi medaljen e parë të artë të Lojërave Olimpike të Parisit në garën e qitjes, garë në të cilën vendi ynë, i përfaqësuar nga Manjola Konini, doli në vendin e parafundit, mes 44 sportistëve.
Xhudisti irakian Sajjad Ghanim Sehen Sehen dhe volejbollistja e kombëtares Domenikane, Lisvel Eve Mejia u përjashtuan nga gara për doping, ndërsa trajneri i ekipit të boksit të Samoas, Lionel Elika Fatupaito, humbi jetën në hotel për shkaqe natyrore.
Nga ana tjetër, ceremonia pati edhe shfaqje surprizë, duke përfshirë një numër kabareje nga këngëtarja dhe kantautorja amerikane Lady Gaga, si dhe një rikthim emocional i ikonës kanadeze Celine Dion.
Pavarësisht shiut të vazhdueshëm rreth 320.000 spektatorët ndoqën plot entuziazëm spektaklin shumëngjyrësh.