Francesca Lollobrigida është atletja e parë e cila i solli Italisë medaljen e artë në Lojërat Olimpike Dimërore që po mbahen në Milano dhe Cortina. Patinatorja mori vendin e parë në garën e patinazhit të shpejtë në disiplinën e 3000 metrave, duke vendosur gjithashtu edhe rekord olimpik. Francesca e mbylli garën me kohën sensacionale 3 minuta, 54 sekonda dhe 28 të qintat.

Një rezultat historik i arritur pikërisht në ditën e ditëlindjes, që e bëri një moment të jashtëzakonshëm jo vetëm për Italinë, por edhe vetë sportisten 35-vjeçare, e cila nuk i mbajti dot lotët teksa festonte duke mbajtur në krahë flamurin tre ngjyrësh dhe djalin e saj Tommaso të lindur në 2023-in.

Wiklund me 2 sekonda e 25 të qintat më ngadaltë mori medaljen e argjendtë, ndërsa Maltais plotësoi podiumin me medaljen e brozntë.

Spektakolare rezultoi edhe gara për meshkuj në snowboard big air ku shkëlqeyn sportistët japonezë. Kiri Kimura zuri vendin e parë me 179.5 pikë, ndërsa medalja e argjendtë u fitua nga Kimata me 171.5 pikë. Podiumin e plotësoi kinezi Su Yiming, i cili ishte edhe fituesi në Olimpiadën dimërore të Pekinit në vitin 2022. Deri më tani janë mbyllur vetëm 5 nga 116 eventet e Lojërave Olimpike Dimërore, ndërsa përveç Italisë dhe Japonisë kanë fituar medalje të artë Norvegjia, Suedia dhe Zvicra.

Ndërkohë 41-vjeçarja amerikane Lindsey Vonn është dëmtuar rëndë pas rrëzimit në pistë. Ajo mori pjesë në garë me një ligament të këputur në gjurin e majtë. Ngjarja shkaktoi panik tek publiku, ndërsa gjatë transmetimit u dëgjuan britmat e dhimbjes. Menjëherë personali mjekësor u afruar pranë saj dhe bëri të mundur transportimin në spital përmes helikopterit.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:55
Garoi me ligament të dëmtuar, përplasje e frikshme e Lindsey Vonn në Olimpiadë! Transportohet me helikopter (VIDEO)

41-vjeçarja kërkonte me çdo kushte të vendoste rekord, duke u bërë skiatorja më e vjetër alpine e cila fiton një medalje Olimpike. Kjo edhe pse 9 ditë më parë ajo pësoi një këputje ligamenti në gjurin e majtë. Mirëpo dëshira e madhe i ka kushtuar shtrenjtë pasi amerikania pësoi një dëmtim të frikshëm. Gjatë garës ajo fluturoi në ajër dhe u përplas keq në dëborë.

Ngjarja shkaktoi panik tek publiku, ndërsa gjatë transmetimit u dëgjuan britmat e dhimbjes. Mënjehrë personali mjekësor u afruar pranë saj dhe bëri të mundur transportimin në spital përmes helikopterit.