LONDER - Një 22-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë në një spital të Londrës si pasojë e një goditjeje me thikë gjatë një sherri me bashkëmoshatarë të tij. Zënka ndërmjet të rinjve ka ndodhur në lagjen Woodgreen të Londrës, në dalje të një restoranti.

Viktimë e kësaj ngjarje ka mbetur Pelivan Zekaj, me origjinë nga Shkodra i cili jetonte në Angli prej disa kohësh së bashku me të afërmit e tij.

Dyshohet se Zekaj ka qenë në shoqërinë e agresorëve dhe pas një debati ata e kanë qëlluar me thikë duke i shkaktuar plagë të rënda.

Autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja dhe policia e Londrës është duke punuar për identifikimin e tyre.

Familjar dhe të njohur të Pelivan Zekaj kanë vendosur buqeta me lule dhe një flamur shqiptar në shenjë homazhi në vendin ku u godit për vdekje i riu.

Ngjarja ka ndodhur të enjten në mbrëmje dhe pas transportimit në spital, 22-vjeçari nga Shkodra nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Autoritetet policore kanë sekuestruar dhe një sërë kamerash sigurie te restorantit dhe rrugëve lidhëse dhe janë duke punuar për zbardhjen e imazheve, gjë që do t’i jepte mundësi të identifikonin autorët e ngjarjes e më pas arrestimin e tyre.

(ar/shqiptarja.com)