Londër, Boris Johnson mohon zërat e juristëve dhe ligjvënësve: Nuk e kam gënjyer Mbretëreshën

Londër, Boris Johnson mohon zërat e juristëve dhe ligjvënësve: Nuk e kam gënjyer Mbretëreshën

Kryeministri i Britanisë Boris Johnson mohoi prerazi të enjten se ai e gënjeu Mbretëreshën Elizabeth, kur i kërkoi të pezullonte parlamentin për pesë javë, deri në prag të afatit për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian. Pezullimi ka shkaktuar polemika dhe po sfidohet në gjykatat britanike, duke i tërhequr thellë gjyqtarët në ujërat e politikës.

I pyetur nëse e kishte gënjyer Mbretëreshën kur e këshilloi atë të pezullonte Parlamentin dhe nëse e kishte mashtruar atë rreth arësyeve se përse e kërkonte pezullimin, ai u përgjigj: "Absolutisht jo". Ai tha se ishte "marrëzi" të sugjeroje që pezullimi i parlamentit ishte diçka e pazakontë, apo një përpjekje për të minuar demokracinë.

Komentet e tij u bënë disa orë pasi një gjykatë skoceze me tre gjyqtarë vendosi që këshilla e qeverisë së tij për Mbretëreshën, që çoi në pezullimin pesë-javor të parlamentit, duke filluar nga e hëna, është "e paligjshme" sepse në thelb maskon arsyen e vërtetë të qeverisë për të kërkuar mbylljen e përkohshme të parlamentit.

Vendimi skocez solli tronditje në sistemin politik britanik tashmë të goditur nga çështja Brexit, duke i hapur rrugën një përballjeje ligjore dramatike të martën. Gjykata më e lartë e vendit duhet të vendosë të martën nëse vendimi skocez është i drejtë, apo nëse do të mbështesë dy aktvendime të kundërshtuara nga gjykatat angleze dhe veriirlandeze, të cilat e quajnë të ligjshëm pezullimin e parlamentit.

Vendimi i Gjykatës së Edinburgut të enjten i ka shtuar dramës akuzat e rrepta të disa juristëve dhe ligjvënësve kundër Johnson se ai qëllimisht ka mashtruar Mbretëreshën kur i kërkoi pezullimin e parlamentit, për të cilin ai thotë se nuk kishte si qëllim të pengonte ligjvënësit që të mos e lejonin kryeministrin ta nxirrte vendin nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

Ish-prokurori i përgjithshëm, Dominic Grieve, i cili ka bërë fushatë pro Bashkimit Evropian dhe që zoti Johnson e përjashtoi nga partia konservatore javën e kaluar së bashku me 20 ligjvënës të tjerë rebelë, thotë se të gënjesh Mbretëreshën, kjo është çështje dorëheqjeje. “Nëse qeveria mashtron Mbretëreshën, kjo do të ishte vërtet diçka shumë serioze. Në të vërtetë, sipas mendimit tim, do të ishte çasti që zoti Johnson të dorëhiqej, madje shumë shpejt," tha ai.

Fuqinë për të pezulluar Parlamentin e ka Mbretëresha, e cila tradicionalisht vepron me këshillën e kryeministrit dhe automatikisht pranon një kërkesë për pezullimin e parlamentit kur ajo i bëhet.

Zyra e Kryeministrit thotë se kërkesa e tij ishte diçka rutinë dhe në përputhje me rregullat e kërkimit të një pezullimi, që bëhet rregullisht çdo vjeshtë në Britani, në prag të caktimit nga qeveria të një axhende të re parlamentare. Më pas, programi i ri shpaloset në atë që njihet si “Fjalimi i Mbretëreshës” dhe që ajo e mban me ‘pompozitet’ përpara të dyja dhomave të parlamentit britanik.

Të enjten Kryeministri Johnson u tha gazetarëve në Londër: "Ne kemi nevojë për Fjalimin e Mbretëreshës, ne duhet të vazhdojmë dhe të bëjmë shumë punë në nivel kombëtar".

Por kohëzgjatja dhe momenti i pezullimit të tanishëm të parlamentit ka ngjallur polemika dhe ka shkaktuar zemërim tek partitë e opozitës si dhe tek konservatorët rebelë. Të dyja këto fraksione synojnë ta pengojnë Johnson ta nxjerrë Britaninë nga BE-ja në fund të tetorit, nëse me Brukselin nuk ka një marrëveshje për shkëputje. Pezullimi i parlamentit nga Kryeministri Johnson është sa dyfishi i kohëzgjatjes normale, thonë ekspertët ligjorë.

Pezullimi u bë shkak për protesta para parlamentit dhe në qytete të tjera. Një peticion në internet kundër kësaj mase është nënshkruar nga më shumë se 1 milion njerëz.

Të hënën, ligjvënësit e opozitës u përpoqën të pengonin pezullimin duke mos e lejuar kryetarin e Dhomës së Komuneve të ngrihej nga karrigia. Në parlament pati skena dramatike: ligjvënësit e Partisë Laburiste nisën të këndojnë këngën e Flamurit të Kuq, një himn socialist të shekullit XIX, ndërsa nacionalistët skocezë kënduan këngët patriotike Lulja e Skocisë dhe ‘Scots wha hae’. Disa deputetë mbanin pankarta ku shkruhej “Po na mbyllin gojën”.

Kritikët e Johnson thonë se një Brexit pa marrëveshje do të dëmtonte Britaninë, do të çonte në humbje vendesh pune dhe në recesion. Ata gjithashtu akuzojnë kryeministrin se po urdhëron pezullimin e parlamentit për të penguar kritikat dhe shqyrtimin e strategjisë së tij për çështjen Brexit.

Gjykata Skoceze u pajtua me ta, duke hedhur poshtë idenë se pezullimi i tanishëm është një formalitet kushtetues. Ajo u pajtua me 70 ligjvënës, të cilët i kërkuan gjykatës heqjen e pezullimit. Në aktvendimin e saj të njëzëshëm, Gjykata e Edinburgut, gjykata më e lartë skoceze e apelit, deklaroi se zoti Johnson ishte motivuar nga "qëllimi i pahijshëm për t’i mbyllur gojën parlamentit", dhe se ai në thelb e kishte mashtruar Mbretëreshën duke e këshilluar që ta pezullonte Parlamentin.

Gjykata e Lartë në Londër, një gjykatë më e ulët se ajo skoceze, hodhi poshtë një sfidë të ngjashme juridike ndaj pezullimit, të ngritur nga aktivistët pro-BE-së. Në argumentin e tyre, gjyqtarët anglezë thanë se pezullimi i Parlamentit është "thjesht politik" dhe për këtë arsye kjo "nuk është çështje e gjykatave". Një pozicion të ngjashëm mori të enjten një gjykatë në Belfast, duke i sjellë një lehtësim kryeministrin britanik.

Por kundërshtarët e zotit Johnson po shfrytëzojnë vendimin skocez, duke sulmuar përmes tij kryeministrin, i cili ndodhet në një pozitë aspak të lakmueshme.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit