LONDËR, 28 maj /ATSH-AFP/ - Kryeministri britanik, David Cameron nisi sot në Holandë dhe në Francë një turne evropian për të mbështetur planin e tij të reformës të BE-së, para një referendumi mbi qëndrimin e Britanisë në BE.
Bashkëbiseduesi i parë që takoi gjatë kësaj ofensive diplomatike, kryeminsitri holandez, Mark Rutte, është një aleat, tek i cili David Cameron shpreson të mbështetet para se të vendosë vendin në fund të vitit 2017 të zgjedhë mes qëndrimit në BE ose një "Brexit"-i.
Pas takimeve me kryeministrin holandez, Rutte, kryeministri britanik vijoi turneun e tij në Francë ku u takua me presidentin francez, François Hollande dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Laurent Fabius.
Ai i kërkoi sot Bashkimit Evropian dhe anëtarëve të tij të jenë më fleksibël dhe imagjinativë për reformimin e BE-së, në përfundim të takimit me presidentin francez, François Hollande.
Nga ana e tij, presidenti francez, Hollande rikonfirmoi se ishte në interes të Evropës dhe Britanisë së Madhe të ishin së bashku duke shprehur respektin e tij për atë që do të vendosë populli britanik.
"David Cameron do të paraqesë propozimet dhe ne do t'i diskutojmë", deklaroi ai.
Gjatë turneut të tij diplomatik në disa vende të BE-së, kryeministri britanik David Cameron do të paralajmërojë udhëheqësit evropianë se, Britania do të largohet nga blloku, nëse ata nuk bien dakord për bërje reformash të thella institucionale./
/ec/








