Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka hapur për herë të parë një ankand online për targat e personalizuara të automjeteve. Në ankandin e parë konkurrojnë 6 targa, ndërsa çmimet e nisjes variojnë sipas kombinimit të përzgjedhur.

Në ankand janë nxjerrë targat Q 888 Q, Q U33 N, 7777, L OND ON, K OSO VA dhe M ON3 Y. Për shembull, çmimi fillestar për targën 7777 është 6500 euro, ndërsa për M ON3 Y është 2100 euro.

Më herët ankandet zhvilloheshin fizikisht, ndërsa tashmë procesi është kaluar edhe online. Për të paraqitur oferta, të interesuarit duhet fillimisht të regjistrohen në faqen e institucionit dhe më pas mund të ndjekin e të ofertojnë në ankand në kohë reale.

Sipas DPSHTRR-së, ankandi online shënon një tjetër hap drejt modernizimit dhe dixhitalizimit të shërbimeve, duke krijuar një mënyrë të hapur dhe konkurruese për përzgjedhjen e targave të veçanta.