LONDËR - Pritja 22-vjeçare ka marrë fund dhe Arsenali është zyrtarisht kampion i Premier League në Angli. Tifozët e 'Topçinjve' rrethuan stadiumin 'Emirates' ndërsa Londra veriore ishte në festë prej mijëra fansave që dolën në rrugët e qytetit deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Madje gjumë nuk kishte as për futbollistët dhe stafin e Arsenalit.
Mbyllja e ndeshjes Bournemouth 1-1 Man. City bëri që Arsenali zyrtarisht të niste festën edhe pse duhet një raund nga fundi i sezonit në Premier League. Mijëra tifozë u panë duke kënduar dhe kërcyer në rrugë, teksa nuk mungoi alkooli dhe fishekzjarret.
Futbollistët qëndruan brenda stadiumit me besimin se do të shpalleshin kampion dhe pas zyrtarizimit të titullit ishte koha për të hapur shampanjën. Fundjava që vjen sjell raundin e fundit në Premier League dhe Arsenali do ta festojë trofeun me autobus të hapur në rrugët e Londrës, diçka që nuk e bënte prej 22 vitesh. Urimet kanë filluar.
Komente





