Lorenc Vangjeli: Në Tiranë mungon Rubikoni, por Berisha kapërceu Lanën dhe vrau Brutin e tij

Lorenc Vangjeli: Në Tiranë mungon Rubikoni, por Berisha kapërceu Lanën dhe vrau Brutin e tij

Sali Berisha

Jul Çezari kaloi Rubikonin, lumin e ndaluar të veriut të Perëndorisë Romake dhe ky ishte akti i kalimit në pikën e moskthimit. Çezari, në krye të legjioneve të tij dhe me forcën e shpatës, morri Romën dhe u shndërrua në Perandorin e saj.

Sali Berisha kapërceu Lanën dhe hyri në oborrin e selisë së PD-së diku nga ora 14.00. Në krye të një grushti besnikësh, ai pushtoi oborrin e selisë dhe pa gjetur rezistëncë, hyri në një nga sallat e katit të dytë, në një akt ende në tentativë për t’u ribërë kryetar i partisë, të cilës i ka diktuar vullnetin e tij.
As mbrojtësit e Republikës në Romë rreth 2070 vjet më parë dhe as policia e shtetit sot në Tiranë, nuk ishin në gjendje të ndalonin qoftë njërin, qoftë tjetrin. Berisha nuk është Çezari, por i ka bindur të gjithë se Basha ka qenë Bruti i tij i pabesë. Tirana është shumë larg të qenit Romë dhe Lana është një lumë shumë modest në krahasim me Rubikonin e famshëm, por tashmë zarat janë hedhur dhe pushteti i forcës është kudo njëlloj: ashtu si në bixhoz, shtëpia fiton gjithmonë.

Pjesa tjetër, e pandodhur më parë, është histori. Një grua e vetme duartrokiste për Lulzim Bashën përballë një legjioni burrash që brohorisnin emrin e Sali Berishës. Një grua e vetme dhe dobësia e saj njerëzore u bë për minuta të tëra barrikadë përballë forcës së shumë burrave, të armatosur me inat, por në fund edhe ajo u thye. Dy palët në “betejë” ishin pak a shumë në shifra, si raporti brenda PD-së, me ata që mbështesin kryetarin me vulë dhe zyrë dhe mtonjësit me revansh të projektkryetarit të ri të saj.
Lulzim Basha dhe Sali Berisha nuk kanë qenë kurrë më afër njëri-tjetrit fizikisht sesa të hënën në drekë, kur distanca politike mes tyre, që prej shtatorit, është e pafundme. Eshtë e dukshme që çdo shans për bashkëjetesë dhe bashkëpushtet partiak, është në kufinjtë e të pamundurës. Dyshja që ndau të njëjtin fat që prej më shumë se 17 vjetësh, tashmë i kanë fatet e ndara.

Ishte e paralajmëruar në media që do të ndodhte pikërisht kështu: mbas Kuvendit të tij, Berisha do të hynte në selinë e PD-së. Kjo hyrje do të ishte e vetmja mënyrë për të larguar me forcën e maskuar me paqe, gjithë pjesën legale të drejtimit të PD-së. Kjo është e vetmja mënyrë për të shmangur kalvarin e proceseve gjyqësore nga të cilat as Basha nuk mund të fitonte dhe as Berisha nuk mund të priste ta humbte.

Gjithë situata është inkandeshente dhe mjafton një shkëndijë që ky zhvillim i paralajmëruar mund të sjellë rezultate të paparashikuara. Një grua e vetme dhe kurajoja e saj është totalisht e pamjaftueshme për të penguar yryshin e një turme që siç ndodh shpesh me turmat, brohoret për humbjet që i duken fitore dhe që pret degën ku është ulur për të ndezur zjarr për t’u ngrohur. Instikti i turmës fiton gjithmonë edhe kur është i gabuar. Ashtu siç do të ndodhë me të gjitha gjasat edhe të shtunën në 18 e Kuvendit të Bashës, kur “gratë” e Bashës, nuk do të mundin të hyjnë në Pallatin e Kongreseve, ku do të bëhen gardh “burrat” e Berishës”. gjithmonë nëse Basha arrin deri në datën 18.

Berisha e kapërceu Lanën si Çezari Rubikonin dhe fitoi duke humbur. Njëlloj siç po humb PD-ja nëse ajo fiton ofertën e vjetër për lider të ri. Një Çezar që e vrau përfundimisht Brutin e tij.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave