Lorenc Vangjeli: Njëri Oso Kukë, tjetri Piter Pan, dy bashkëpengjet nga PD-ja yrysh Amerikës

Lorenc Vangjeli: Njëri Oso Kukë, tjetri Piter Pan, dy bashkëpengjet nga PD-ja yrysh Amerikës

“Il Dottore” iku. Valentino Rossi kishte fituar gjithçka, por vendosi t’i thotë vetes: “Mjaft! Kaq ishte!”. U largua fitimtar, mbas një karriere që zgjati pothuaj tre dekada. Për një kampion është shumë e rëndësishme që të gjejë kohën e duhur për t’u larguar dhe është e rëndësishme të largohet pa humbur.

Rossi e la pa frymë gjithë botën e adrenalinës së asfaltit me këtë epilog karriere që i shkroi vetes, me një jetë kampioni të kaluar mes fitoresh të bujshme dhe humbjesh të dhembshme, rënieve dhe ringritjeve, mes triumfit dhe disfatës, mes podiumit të lagur me shampanjë dhe humnerës me gurë mospëlqimi.

Doktori tjetër, që shumë thonë se ka sëmurur Shqipërinë, e të tjerë betohen se e shërroi nga komunizmi, u betua se do të vazhdojë të qëndrojë. Si qëndrestarët e tij të dikurshëm, ai tha se nuk do të tundej nga e tija edhe nëse mbetet fare i vetëm. Me një listë të pafundme suksesesh dhe dështimesh, i ngjitur në majë kur të tjerët e dinin të groposur thellë, i adhuruar si ëngjëll dhe i yshtur si djall, bir i një dashurie të verbër për pushtetin dhe baba i urrejtjes pafund në pushtet, i admiruar si i njehsuar me turmën dhe i përçmuar si i ndryshëm nga individi, me një karrierë të tendosur në tre dekada, herë shofer në timon i makinës kaotike shqiptare e herë pasagjer që i gjuante me gurë çdo shoferi që luante timonin, Sali Berisha rikonfirmoi se do të vazhdojë të qëndrojë në pistën e përzishme të politikës shqiptare. Në morinë e kumteve, paralajmërimeve, kurtheve logjike dhe shpjegimeve që dha, pakkush vuri re dy momente kundërthënëse në monologun e Doktor Berishës përpara gazetarëve.

Ato ndodhën kur ai përmendi dy takime, të dy ambasadorëve amerikanë Lu dhe Kim. I pari me atë vetë dhe i dyti me zotin Basha. Për rastin e parë Berisha tha se Lu i kishte pozuar mundësinë e një “afere me para ruse” të kryetarit të PD-së, por pa prova. Ajo që Berisha la të nënkuptohej ishte se Lu e kishte nxitur të vepronte kundër Bashës dhe ai kishte refuzuar ta bënte. Për rastin e dytë, siç është bërë e qartë publikisht, Kim i ka kërkuar Bashës që të largojë Berishën. Pra, në harkun e tre vjetëve, dy ambasadorë amerikanë, sipas dëshmisë së Berishës dhe dëshmisë publike të vetë ambasadores Kim, kanë kërkuar largimin e dy personazheve më të rëndësishëm të PD-së.

Dhe ky është momenti për të pyetur: çfarë kanë amerikanët me ta? Cila është dërrasa e kalbur që kanë thyer, kufiri që kanë shkelur, luga e prishur e supës që i kanë hedhur fytit, mëkati gjeopolitik që kanë kryer, pra, çfarë e ka ngjallur zemëratën e amerikanëve?

Kanë thënë gabimisht “спасибо” ndaj rublave, siç pohon Berisha rrëfimin e ambasadorit Lu, i kanë shkelur syrin destabilitetit, siç bëri Basha në këto tre vite, kanë kuturisur më shumë sesa duhet në viset e yllit më të ri të flamurit amerikan, tek Republika me flamur me gjashtë yje apo të gjitha këto bashkë, shtuar edhe me “korrupsionin domethënës dhe minimin e demokracisë”, i kanë bërë amerikanët të ndjehen të “kërcënuar në sigurinë e tyre kombëtare”?

Çfarë ka ndodhur tjetër në mes të këtij segmenti kohor prej tre vjetësh nga takimi i parë në të dytin përveç shpalljes së Berishës Non Grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe dyshimeve të ngritura publikisht, por të parefuzuara zyrtarisht se edhe zoti Basha, nuk e kalon dot oqeanin edhe me DASH? Berisha tha gjithçka, por heshti për thelbin e problemit. Për të njëjtin thelb që e përcjell me heshtje edhe Lulzim Basha.

Si në një konspiracion të përbashkët, për këtë periudhë dhe aktet e marra që kanë ndodhur atëherë, nuk flasin as miqtë dhe as kundërshtarët e tyre, aa ata që nuk e çojnë dot mendjen më larg se përsheshi i kosit dhe as ata që kosin përshesh e dinë si dilemë të vetme, ose përshesh, ose kos.

Në Tiranë ka shumë torrollakë që besojnë ende se djegia e mandateve ishte një provë force me Edi Ramën. Që janë të bindur se largimi nga sistemi ishte presion për kryeministrin dhe pasojë e zemëratës për zbulimin e frakturave elektorale të 2017-ës. Dy dosjet e famshme që u paraqitën si zbulimi që pataksi Bashën kur i lexoi në janar 2019 tek Bild-i gjerman, ishin përmendur shumë herë në ditarin televiziv të Tiranës, në Opinionin e Blendi Fevziut dhe në Java në RTSH dhe Javanews.al duke nisur minimalisht që në nëntorin e 2017-ës.

Copëzat e puzzle-s të hetimit për dosjet 339 dhe 184, me të cilat opozita “u tmerrua” nga masakra elektorale e Edi Ramës, qarkullonin në wts-p gazetarësh, të cilët pohonin po që në atë kohë, se në përgjime kishte rënë edhe kryeministri, disa ministra, por edhe aktorë të opozitës. Po në atë kohë ishte paralajmëruar se hetimi për mënyrën sesi ishin hetuar ato dy dosje dhe mënyra sesi ato dosje u vunë në funksion të një skenari destabilizues për Shqipërinë, ishte më i rëndësishëm se edhe vetë përmbajtjes së dosjeve. Ka shumë torrollakë të tjerë miopë që edhe pse është e qartë që djegia e mandateve ishte gozhda e fundit që ju vu kryqit të PD-së, nuk duan të pranojnë se dalja nga sistemi nuk ishte akt kundër Ramës, por ishte shantazh kundër amerikanëve. Basha më shumë dhe Berisha më pak, të shoqëruar me mëdyshje nga Kryemadhi dhe të paralajmëruar që të mos e bëjnë nga Meta, vendosën bojkotin total.

Që ishte mjeti dhe mënyra për të kërcënuar amerikanët me destabilitetin e vendit. Ky është kyçi për të kuptuar gjithçka ndodhi më pas në Tiranë. Për të shpjeguar sepse amerikanët morrën direkt në mbrojtje Edi Ramën, pse ata e paralajmëruan opozitën se mund “…të shpallej organizatë e dhunshme” dhe pse opozita në tërësi ka sot marrëdhënie të tendosura me Uashingtonin zyrtar dhe prognozë të zymtë për nesër. Ky është rasti për të kuptuar edhe marrëdhënien e komplikuar mes Berishës dhe Bashës. Një marrëdhënie që është shumë më ndryshe nga mënyra sesi e shohin edhe miqtë, edhe kundërshtarët e tyre. Ish-kryeministri është peng i njeriut që me gjasë nuk do të bëhet kurrë kryeministër. Të dy bashkë ata luajnë dy karaktere të ndryshme, por në të njëjtin rol.

Njëri produkt vendas, tjetri mall importi. Njëri Oso Kukë, tjetri Piter Pan. Njëri do të hidhet në erë, tjetri nuk do të rritet kurrë. Ky çift i çartur, ku Berisha thotë “Mbas meje qameti” dhe Basha që nuk do për qamet të piqet, është në marrëdhënie fatale siameze: njëri ka mendjen brilante, vullnetin e mbinjerëzor, sakrificën vetjake e forcën e mbijetesës, tjetri ka fatin e mbarë që e ka përkëdhelur deri më tani dhe që vlen shumë më shumë se çdo veti e virtyt tjetër. Njëri ka dorën e gjatë, tjetri ka xhepin e thellë.

I shënjuar nga fati, por humbës nga takati vetjak, Basha ka vënë axhendën ekonomike, përballë ambicjes së tij politike, Ai zgjodhi hilen, përballë rregullit, tradhëtinë përballë besimit, gënjeshtrën përballë sinqeritetit. Dhe tani, është duke zgjedhur Doktorin nga halli, përballë SHBA-së, çka siç thuhet hapur tashmë, është një akt lufte me superfuqinë.

Vlera e një burri matet me peshën e miqve e tij. “Il Dottore” nga Italia është krenar si motoristi me më shumë tifozë vetjakë se gjithkush tjetër në këtë sport. Vlera e një politikani matet me shumën e armiqve të tij. Sa më të mëdhenj, sa më të shumtë ata, aq më i rëndësishëm është vetë politikani dhe aq më e madhe, heroike e patetike është beteja e tij. Por ky nuk është rasti i dy burrave të PD-së që kanë zgjedhur të ngasin mbrapsht gomerët e tyre dhe mbi të gjitha, kanë zgjedhur miqësira të gabuara.

Sepse siç thuhet në Shkodër, “Prite Zot, rrezikun!”, po sikur Oso Pani dhe Piter Kuka, po sikur Saliu&Luli, të jenë fitues. Po sikur ta mundin ata Amerikën që qeveris botën, çdo të ndodhë pastaj me pjesën tjetër të botës? “Oчень хорошо, PD!”. Marrëzia sjell të qeshura vetëm kur turpi tremb lotin e dëshpëruar.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rusia: Administrata amerikane në largim bën gjithçka për të minuar planin e Trump për paqe në Ukrainë

Rusia: Administrata amerikane në largim bën gjithçka për të minuar planin e Trump për paqe në Ukrainë