Lorenc Vangjeli: Turku Hajredin tronditi Tiranën

Lorenc Vangjeli: Turku Hajredin tronditi Tiranën

Pikture, Beteja e Gjoricës

Mjaftoi një postim i gabuar, por me qëllim të mirë nga një deputet i maxhorancës, që bota paralele e internetit në hapësirën mbarëshqiptare, të përmbytej nga një histeri pothuaj e pashpjegueshme. Në qendër të sulmeve u vu ngatërresa e parlamentarit socialist që konsideroi hero turkun pushtues me allti e topa, më pas u shënjestrua edhe forca politike që ai i përket dhe më pas u shpërfaq me një arrogancë tmerruese sovjetiku që fle nën lekurën e çdo shqiptari që edhe pse e kërkon me ngulm, refuzon evropianin brenda nesh: “Të ndryshojë teksti, titulli dhe kënga t’i kushtohet shqiptarëve dhe jo turkut Hajredin”, ishte kryeideja që duatrokitej nga sallata e padurueshme e patriotëve folklorikë, që kësaj herë e panë folklorin e hershëm si shpatë për hesape të së sotmes.

Kënga e famshme që njihet më së shumti pa titull, por identifikohet gabimisht me emrin e Hajredin Pashës, xhelatit otoman që udhëhoqi ekspeditën ndëshkimore, i kushtohet njërës prej kryengritjeve shqiptare kundër pushtuesit në mesin e shekullit të XIX-të. Ndoshta më e madhja mbas epopesë të Gjergj Kastriotit. Pak e njohur edhe dje, por sot, gati 200 vjet më pas, ky moment e monument i madh historik, ky çast që thotë: “O sa mir’, me qen’ dibran!”, pothuaj është harruar në vrundullin meskin të betejave qesharake të përditshme me të cilat furnizon përditshmërinë shqiptare politika lokale.

Epike dhe ngjethëse, burrërore dhe drithëruese, me një ritëm që e bën çiftelinë të dëgjohet si orkestër simfonike, me kryeinterpretimet e dibranit të pavdekshëm Aziz Ndreu dikur apo Arif Vladi më pas dhe me dhjetra motërzime e modernizime të tjera të saj në vite, kjo perlë e përkryer është një kurorë dafinash për atë epikë të pabesueshme heroike që dibranët e Shqipërisë ja falën gjithë Shqipërisë si lavdi kombëtare.

Dy versionet origjinale të këngës shkojnë nga katër deri në shtatë minuta, por teksti origjinal që i kushtohet kësaj kryengritjeje është me qindra vargje. “Një lloj Iliade shqiptare… që pasqyron të gjithë skenarin e betejës, armikun, armatimin dhe forcat e tij, forcat tona dhe qëndresën e tyre heroike dhe masive, heronjtë, dëshmorët, terrenin, motin dhe gjithçka u bë në atë betejë…” e përshkruan tekstin studiuesi dibran Sakip Cami. Janë me dhjetra personazhe që përmenden dhe për shumë nga ta, madje, vizatohet edhe çfarë kanë bërë në luftë apo si kanë rënë në betejë. Dikush që ikën me armë e dasmorë pikërisht ditën e dasmës,

“Ç’janë ata që luftojnë në gropa ?/ Can Bajrami e Ahmet Loka/ Or Ahmet ç’e bane Canin/ Kokë për kokë me kapedanin/ Ahmet Loka ka lan’ nam/ U ba dhandër n’istikam.”

Të tjerë thirren me emër e mbiemër në një apel epik e ngjethës,

“Llan Kaloshi i hipi atit/ S’I trembet pushkës as taksiratit/ Hajredin Pashën e ka xhet belaja/ E ka xhet belaja si e ka xhet/ Nand Malet e Dibrës janë lidhur me vdekë/ Lidhur me vdekë, lidhë të tanë/, S’nigjojnë Malet me dhanë nizamë.

Në apel thirren të nëntë malet e Dibrës dhe Drini, gratë e pleqtë, zjarri e topat, kosoret e karafijlet, flamuri, trimëria, sakrifica apo dhe toponimia.

“Banë besë plak e i ri/ Banë yrysh e ranë n’Dri/ Ranë në Dri me gjithë bajrak/ E mbushën Drinin plot me gjak…”

Përtej të vërtetës historike, lëmshi absurd i debatit që do të jetojë megjithatë jo më shumë se tre ditë, kryqëzohet në një pikë. Në bindjen e shumicës dërmuese të atyre që historinë e njohin si manual përdorimi lavatriçeje, qëndron marrëzia se kënga i kushtohet Hajredin Pashës. Një pohim naiv që dëshmon edhe njëherë se injoranca nuk është asnjëherë argument. Qoftë ky edhe nga ata që e dëgjojnë këngën në dasma me këmbët që kërcëjnë dhe jo me kokën që gjykon. Por kur eunukët japin leksione për seksin dhe prostitutat shkruajnë traktate virgjërie; kur hipokrizia e prostitutave fshihet nën arrogancën e anonimitetit dhe arroganca e anonimëve ngre piedestale lavdie vetjake; kur piedestalet e rreme lartojnë statuja plot fallsitet dhe statujat egoiste pa emër tejkalojnë majat e këmbanareve dhe minareve të besimit; atëherë kur dhe vetë besimi tregtohet si seks eunuku që jep leksione morali, fiks atëherë ky bëhet një problem më shumë se moral. Ai është një këmbanë alarmi që kujton se e liga ka fuqi të egër dhe se fuqia e të ligës mund të përmbysë ekuilibret morale të cilat e shndërrojnë një shoqëri në komunitet. Jemi shoqëri, por nuk jemi komunitet.

Është dhe shumë më keq se kaq. Për të dhënë një shembull, modernistët e FB të sotëm, do t’i kishin punuar qindin Ismail Kadaresë për romanin Kështjella. Sepse në atë vepër Gjergj Kastrioti pothuaj nuk përmendet fare, kurse personazh kryesor është pashai turk dhe komandantët e tij. Apo për të shkuar më tej, në viset klasike të BE-së e shumë përpara shpikjes së Facebook-ut, Molieri do të ishte gozhduar në të njëjtin kryq me Kadarenë sepse Tartufin e tij e nxorri në skenë vetëm në aktin e tretë të komedisë. Për të shkuar më tej, secili nga kritikët modern plot zulm e ngulm, do t’i kishte nxjerrë sytë Homerit sepse në Iliadën e tij, në dhjetra mijëra vargje, ai e përshkruan vetëm njëherë shkakun e luftës, Helenën e bukur. Pleqtë e urtë të Trojës, në vitin e dhjetë të ndeshjes së përgjakshme, kur e shohin atë që ecën përgjatë bedenave thonë: “…ja vlente Lufta për të”!

Është e njëjta teknologji kritike e tipike, e frymëzuar nga socrealizmi sovjetik që shtrihet edhe në përditshmërinë politike të Tiranës, e cila është mbizotëruese në mendësinë e sotme shqiptare. Njëlloj si dje kur kolektivi i ndërmarrjes së llullave apo fabrikës së tullave vendoste për cilësinë artistike të romanit apo peshonte lirizmin e poezisë, sot batalionet e kreshpëruar të anonimëve, bëjnë gjyqe dhe dënojnë gjindjen që nuk ju pëlqen.

Ka dhe më shumë se kaq. Beteja e pothuaj dyqind vjetëve më parë kujton betejat që duhet të luftohen sot. Me një brez që është në kulmin e vitalitetit, por që shpesh e sheh historinë si monedhë për të përditshmen, me një brez të ri që më mirë njeh historinë e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë apo edhe të Greqisë ku ndodhen me prindër emigrantë sesa atë të Shqipërisë ku kanë varret e gjyshërve, me një ngulm ikjeje duke hedhur përçmim e gurë pas shpine për moskthim, e nesërmja mund të projektohet zymtësisht nëse nuk kthehet vështrimi edhe tek e shkuara. Edhe në mënyrë kritike. Historia e Shqipërisë, absolutisht vepra më e rëndësishme e premtuar nga Akademia e Shkencave, duket të jetë një tekst i detyrueshëm dhe ndoshta një botim që duhet të shumëfishohet për t’u shpërndarë kudo. Nuk ka çmim të mjaftueshëm për të shmangur harresën. Si një apel për të kujtuar se në këto njëqind e kusur vite pavarësi, të gjithë shqiptarët që kanë qeverisur këtë vend, kanë dashur të kenë një hesap vetjak me historinë, por historia ka larë hesape krejt të tjera me ta.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Broz Simoni: 22/03/2023 11:00

    Titullin, " Kanga e Hajredin Pashës ", per mua, ia kanë vú pa u mendue, ndoshta edhe me i thurë " lavdi ", po konteksti difton te kunderten, se H. Pasha ka lane 12-mijë te vdekun te fusha Gjurices. Mund të jetë nji moterzim folklorik, ndoshta me tendencë prej atij/asaj që e ka shkrue tekstin qe mund ta ketë ndigiue t' kndueme. Unë kam shkrue nji monografi per nji kreshnik nga Beltoja e Shkodres që ka luftue e vrâ prej forcave të Kurt Beg Çelës, nji mbrojtës i interesave të pushtuesve turq. Kangen, simbas dokumenteve, e ka krijue nji Prendush Gega, i pashkollë, prej Kabashit të Pukës si pohon Dom Lazer Shantoja e titullin ia ka vu, ndoshta autori analfabet,P. Gega, ndoshta shkrimtari L. Shantoja. Titulli i kanges asht ne origjinal i botuem te " Zana popullore", bot. 1933, " Kanga e Zek Jakinit" por e kam gjatë edhe me titull, " Kanga e Kurt begj Çelës", te " Zana e Matit " se Kurti ishte prej Matit e kangen e kndon me kete titull Rrahime Zogu, vjeç 46 prej Matit. Po e kam gjetë edhe me titull " Zeka e Kinit" e kndueme ne Diber. Per mendimin tem titulli, " Kanga e H. Pashes" i asht vu pa u mendue e tingllon keq sot. Jjane moterzime folklorike njashtu si" Kanga e Lloqinë " me variantet qe dihen.

    Përgjigju
  • Shkrimtari: 21/03/2023 15:26

    narative dhe retorike e pa vlere per te mbuluar ate qe te gjithe e dine! toni gogu eshte nje hajvan ose dibrancr magjar nje gje e trashe qe sduhej jo te ishte ne kunvend por as me fillore! eshte paturpesia e rilindjes dhe deliri i eksibicionit mendjen per tu duk per tu bere protagonist! 0 absolut , respekte per gjithe profesoret e partise socialiste poshte keta funderrina me erjon velin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shtetet e pasura zotohen të japin për 300 miliardë dollarë në vit për vendet në zhvillim që përballen me efektin e ndryshimeve klimatike

Shtetet e pasura zotohen të japin për 300 miliardë dollarë në vit për vendet në zhvillim që përballen me efektin e ndryshimeve klimatike