Lorenc Vangjeli: Zot më ruaj nga miqtë, se nga armiqtë ruhem vetë!

Lorenc Vangjeli: Zot më ruaj nga miqtë, se nga armiqtë ruhem vetë!

Moment nga asambleja e PS

Erion Veliaj duhet të ketë shumë muaj që përsërit me vete një lutje kontraverse, të qëmtuar nga filozofia e jetës: “Zot, më ruaj nga miqtë se nga armiqtë ruhem vetë!”.

Dhe në një botë të egër si politika shqiptare, ku rregull i vetëm është loja pa rregulla, portretet e miqve të përkohshëm dhe ato të armiqve të përhershëm, shpesh janë e njëjta monedhë.

Që në momentin e parë kur bashkia e Tiranës u vu në qendër të ciklonit penal dhe mediatik, “ar/miqtë” e Veliajt e lidhnin mbijetesën e tij kryesisht me qëndrimin e Ramës ndaj vëllait të vogël. Duke supozuar se vëllai i madh mund të shtrinte krahun për të përqafuar apo për ta goditur deri në viset e SPAK-ut.

Paralelisht me këtë pritje, si rrallë herë një politikan i rangut të lartë, ai u vu nën shënjestrën e një zjarri të kryqëzuar nga armiqtë në mënyrë të dukshme dhe nga miqtë që hidhnin gurë duke fshehur duart. Duke dëshmuar dy pamje: sprovën e vjetër të Berishës që për interesin e momentit, ai është i gatshëm të bëjë aleancë me djajtë e radhës dhe provën e re se pushteti i socialistëve, më shumë se nga opozita nga jashtë, kërcënohet nga mëritë e brendshme.

E diela e asamblesë megjithatë dha një rezultat krejt të ndryshëm nga ai që prisnin ata që mezi presin të gabojë shefi i tyre. Edi Rama, politikani më pragmatist i tranzicionit afroi dhe njëherë leksionin e tij të parapëlqyer që politika nuk është shtrat pasioni dhe dashurie, por tryezë ekuilibri dhe interesash.

Ndarja e qarkut të Tiranës me një bashkëdrejtim tresh mes Veliajt, Spiropalit dhe Manastirliut, përveçse akt realizmi për të nesërmen e ballafaqimit me kundërshtarin, ishte dhe përgjigje për atë çfarë ai konsideron prioritet afatshkurtër të partisë së tij.

Shahu i Ramës me tre shënjestra, i riveshi pancir politik Veliajt, shënjoi Spiropalin si projekt të së nesërmes dhe gradoi Manastirliun për më tej e më tutje. Ky është gjithashtu dhe epilogu në paqe, i së paku një kahu të interesuar për sherr, që trazonte paraditet e sheshit përpara bashkisë. Për muaj të tërë, Veliaj pa një grusht opozitarësh që duke ndezur zjarr me molotovë e goma makinash, nuk arritën megjithatë që të ndiznin shkëndijën e protestave mbarë kombëtare.

Duke kërkuar dorëheqjen e Veliajt dhe duke i dhënë ultimatume SPAK-ut për arreste, i njëjti grusht opozitarësh nxitonte të bëhej dëshmitar i betejës epike të liderit të tyre, ku kërkohej ekzaktësisht e kundërta: rikthimi i Berishës në liri dhe lirimin nga akuzat e SPAK-ut.

Duke brohoritur “Poshtë Veliaj”, një pjesë e tyre mendonte” “Rroftë dikush tjetër!”. Duke nisur nga rezultati i arritur deri më tani, është e dukshme që opozita ka bërë një betejë humbëse pikërisht se rrethimi i shumëfishtë i bashkisë, nuk ishte vetëm vepër e saj.

Dhe se ajo u bë me hir e pahir, edhe zëdhënëse e betejave “të padukshme” brenda PS-së, rivaliteteve, armiqësive dhe aleancave fluide që ngrihen dhe fshihen pas shpinës së Edi Ramës. Pikërisht kësaj situate, si at i nervozuar nga sherri i bijve, Rama i dha përgjigje në asamblenë e të dielës.

Një kryeministër është i privuar nga ndjenjat bazike njerëzore: nga dashuria, urrejtja, simpatia, antipatia apo empatia. Një kryeministër është i dënuar dhe i shtrënguar të diktohet nga interesi. Nga interesi vetjak dhe i grupit që i përket.

Çdo shmangie nga ky rregull është vetëm një përjashtim që përforcon rregullin dhe klasifikohet si dobësi e kryeministrit. Kështu ka qenë dhe me arradhën e atyre pak burrave që kanë qeverisur vendin në këto tre dekada e kusur pluralizëm në vend. Kështu është dhe me Ramën.

Në zgjedhjen mes: “E dua dhe më duhet”, Rama nuk ka pasur kurrë dilema! Këtë enigmë të ar/miqve të Veliajt: “E do apo nuk e do më kryeministri”, Rama ju përgjigj në mënyrë lakonike: “Më duhet!’. Duke shpjeguar kështu se Veliaj është pjesë e qenësishme e interesit parësor të tij për zgjedhjet e ardhshme.

Si gjithë socialistët e tjerë apo dhe anonimët e shumë të katapultuar në qeverisjen e të gjitha niveleve, Veliaj ja kushtëzon karrierën e tij Ramës.

Ai ka kthyer në këmbim të këtij investimi të kryeministrit pikë së pari besnikëri dhe luajalitet pa kushte. Por ndryshe nga shumica e kolegëve që i qasen Ramës me këtë pikë të vetme të CV-së, Veliaj ka afruar dhe një përmasë vetjake politike: Rama ishte gjeologu që e zbuloi, Veliaj u bë minerali i tij i çmuar, nga i cili dolën së paku tre beteja personale politike. Edhe pse i ka shkaktuar shpesh kokëdhembje Ramës, Veliaj ka afruar po aq shpesh edhe aspirina për dhembjen e kokës së kryeministrit.

Nga e diela e asamblesë socialiste Erion Veliaj duhet të presë vetëm inercinë për inat të protestave nën zyrat e tij. Edhe armiqtë më të zellshëm të tij në opozitë janë të dëshpëruar nga rezultati zero i tyre, apo për më shumë, negativ, edhe ar/miqtë e tij në parti që janë një nga duart që shtyjnë urat e zjarrit, janë më të qetë.

Dhe tani gjasat janë që tabloja të përmbyset dhe aleancat fluide mes tyre, të marrin drejtim tjetër e të kërkojnë shënjestër tjetër.

Në Tiranë, si kudo gjetkë, çfarë nuk të vret, të bën më të fortë. E vetmja gjë që Veliajt i mbetet të bëjë në këta muaj interesantë, është të dijë të presë duke vrapuar drejt zgjedhjeve të përgjithshme duke e derdhur rezervuarin e tij tek lumi i kryeministrit. Duke u lutur njëkohësisht për të gjetur mbrojtje nga Zoti për miqtë sepse për armiqtë e tij, do të kujdeset edhe vetë Rama që t’ja mbajë larg.

Së paku, hë për hë, do të jetë kështu! Ndërkohë që ai vetë duhet të ulë kokën dhe të bëjë sërish kryeshërbëtorin zhurmshëm të kryeqytetit dhe të lerë Lanën ta gjejë vetë udhën drejt detit. Fiks siç ja kërkon dhe kryeministri i tij!

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano