PRISHTINË- Kapiteni i kombëtares shqiptar, Lorik Cana, beson se kuqezinjtë mund të arrijnë një rezultat pozitiv në ndeshjen kundër Serbisë, në Beograd.
Numri pesë i kuqezinjve ka thënë se do të bëjnë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.
Sipas Kosovapress, kapiteni i kombëtares shqiptare ka thënë se lojtarët do të japin shpirtin në fushë dhe do t'i bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës. Ai ka vlerësuar edhe kundërshtarin duke thënë se janë vërtet të fortë, por kjo gjë i motivon akoma më shumë.
"Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe premtojnë se do të bëjmë të gjithë shqiptarët të ndihen krenarë për ne", u shpreh Cana.
Mbiemri Cana nuk është i panjohur në Serbi. Vite më parë, i ati i kapitenit të kombëtares shqiptare Lorik Canës, ka shënuar një gol pikërisht në Beograd.
"Babai im ka luajtur në Beograd ndaj Crvena Zvezdës me Prishtinën e madhe. Ai shënoi gol, ndërsa ekipi i asaj kohe fitoi ndeshjen në kampionatin jugosllav. Shpresojmë të përsërisim atë sukses për të kënaqur një komb të tërë", tha Cana.
Ai që është simboli i sakrificës, dëshirës për të fituar dhe i përkushtimit maksimal ka premtuar se lojtarët e kombëtares janë të motivuar aq shumë sa duan të bëjnë historinë.
"Kjo ndeshje është me shumë vlerë. Jemi në një moment të mirë dhe duam të shkruajmë historinë. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, sepse kemi përballë një ekip të fortë, por ne jemi Shqipëria dhe hyjmë në fushën e lojës për të fituar në çdo stadium. Do kërkojmë ta godasim kundërshtarin dhe të luajmë në grup siç bëjmë gjithmonë. Forca e grupit, sakrifica dhe ndihma për njëri-tjetrin është sekreti ynë. Do t'ia dalim dhe kemi shumë besim", ka përfunduar Cana./ATSh/