TIRANE- Çmimet fituese të lotarisë së kuponit tatimorë janë bazuar vetëm te informacioni që fituesit kanë shkruar në zarf, ndërkohë që 511 zarfet do t’i nënshtrohen verifikimit përfundimtar, për të parë nëse përputhen me numrin e kuponëve dhe shumën në lekë të secilit prej tyre. Kjo do të thotë se nëse në zarfe nuk rezultojnë të dhënat e vetëdeklaruara nga pjesëmarrësit, çmimi nuk do t’u jepet.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Financave bën me dije se sot nis verifikimi një për një i zarfeve fituese, ndërkohë që pranon se janë të drejta dyshimet për parregullsi, duke nisur nga çmimi i parë prej 1 milionë lekësh. “Shpallja e fituesve do të bëhet pas certifikimit të 500 zarfeve të përzgjedhur nga sistemi informatik, vetëm nëse ato do të përmbushin të gjitha rregullat e përcaktuara në rregulloren e lojës”, thekson deklarata.
 
Hetim çmimit të parë
Në deklaratë Ministria i përkufizon si korrekte edhe dyshimet për fituesen e çmimit të parë. “Dyshimet se si çmimi i madh Znj. Valbona LLeshi është fitues me 130 kuponë me një vlerë nominale 7,337,778 lekë është korrekt, kur dihet se vlera maksimale e kasës për të lëshuar një kupon tatimor është 150,000 lekë”, thekson Ministria. Burime të Shqiptarja.com thanë se për këtë rast do hetohen nëse faturat janë dërguar nga një biznes, nëse janë kuponë tatimorë apo fatura fiskale, dhe nëse nuk u janë dorëzuar blerësve, por janë grumbulluar nga shitësi.
 
Dyshimet
Ministria e Financave ka sqaruar edhe procedurën që është ndjekur për përzgjedhjen e 11 fituesve të kategorisë së parë dhe të dytë. Komisioni i Vlerësimit ka shqyrtuar 600 zarfe për çmimet 1 milionë dhe 100 mijë lekë të reja ku janë përzgjedhur 11 fitues dhe të tjerët janë skualifikuar. Më herët ka pasur dyshime për vërtetësinë e lojës promocionale të kuponit. Kjo për shkak se në listën që kishte publikuar Ministria e Financave disa fitues nuk kishin plotësuar numrin minimal të kuponëve të kërkuar. Rasti më flagrant është ai i një fituesi nga Tirana i cili përfiton çmimin prej 10 mijë lekëve dhe ka dërguar vetëm 2 kuponë tatimorë. 2 të tjerë po nga Tirana , figurojnë fitues me vetëm 10 kuponë të dorëzuar. Por të gjithë këta fitues do të skualifikohen. Ndërkaq polemika ka pasur dhe mbi vërtetësinë e faktit që shorteu ka qenë live, pasi pretendohet se ai është regjistruar, por Ministria e Financave sqaron se loja është zhvilluar gjatë transmetimit direkt.
 
Ministria/ Morën pjesë 28 mijë persona, përtej pritshmërive
Gati lotaria e dytë e kuponëve, ja dy variantet

Numri masiv i pjesëmarrësve në lotarinë e kuponëve tatimorë, ku morën pjesë më shumë se 28 mijë vetë, ka bërë që Ministria e Financave të nisë menjëherë veprimet për përsëritjen e saj. Zyra e shtypit të Ministrisë së Financave thotë se pjesëmarrja kaloi çdo pritshmëri, dhe se po mendohet për datën e lotarisë së ardhshme dhe variantin si do zhvillohet. “Rezultati i lotarisë ishte përtej pritshmërive të Ministrisë së Financave.

Shifra prej 28 mijë pjesëmarrësish tregoi një vëmendje mjaft të madhe të publikut ndaj kësaj nisme. Po përgatitet një strategji dyvjeçare në luftën kundër informalitetit, dhe lotaria promocionale do të jetë pjesë e saj. Nuk kemi ende një datë për lotarinë e ardhshme, pasi kjo vendoset me Vendim të Këshillit të Ministrave, por shumë shpejt do të kemi”, thotë zyra e shtypit të Ministrisë. Po studiohen dy variante për lotarinë e ardhshme të kuponit tatimore. Mund të përsëritet varianti i lotarisë që sapo përfundoi. Por po studiohet edhe mundësia që të shpallen termat e referencës dhe e drejta e zhvillimit të lotarisë së ardhshme t’i jepet përmes një tenderi një kompanie të profilizuar në fushën e lotarive”, thotë zyra e shtypit. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)      


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)