LSI asnjë fjalë për tubimin e
PD, aktivitete për ekonominë 

LSI asnjë fjalë për tubimin e<br />PD, aktivitete për ekonominë 
Tubimi i Partisë Demokratike duke bllokuar për një orë akset kombëtare ka kaluar në heshtje për partinë e tretë në vend, LSI-në. Nga kjo parti nuk ka pasur asnjë reagim, duke mos komentuar as protestën dhe as qasjen e Policisë së Shtetit ndaj saj.

Një ditë përpara dialogut të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, LSI është treguar indiferente ndaj protestës, duke marrë pjesë në takime me fokus ekonominë e duke shpërndarë mesazhe për punësim të qëndrueshëm e të mirëpaguar.

Zyra e shtypit e kësaj partie njoftoi dje dy aktivitet, një me gratë të Gjoshës dhe Braimllarit, dhe një me hapjen e një biznesi të ri ku ishte i pranishëm Ilir Meta.

Gjosha
LSI ka paraqitur skemën e mbështetjes së grave kryefamiljare në programin e saj elektoral në një takim me mbështetëse të saj në kryeqytet, Njësia administrative nr. 11. E pranishme ishte Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha dhe përfaqësues të tjerë të lartë të LSI. Kryetarja e LGI paraqiti edhe disa pika të programit të ri për mbështetjen e gruas. Program ky që synon fuqizimin e rolit të tyre. “Për gruan LSI ka një program të veçantë të cilin do ta ndajmë me ju. Një vëmendje të veçantë do t’i kushtohet grave kryefamiljare. Ky propozimi ynë është që ndihma ekonomike të jetë e dyfishuar. Propozimi tjetër është mbështetja për të gjitha ato gra dhe vajza të cilat duan të kenë një biznes të tyrin, pasi sot vetëm 15% e bizneseve drejtohen nga gra. Është problem tejet i madh pronësia apo marrja e kredive nga gratë dhe mundësitë që u jepen atyre.

Unë jam e bindur se një grua në biznes do të ishte edhe më e zonja se burrat. Sepse në qoftë se nënat dhe gratë janë të suksesshme në familje, jam e bindur që edhe biznesi do të lulëzonte më shumë”, - tha Klajda Gjosha. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të politikës dhe konsensusit në mënyrë që qytetarët të marrin atë që meritojnë: më shumë mundësi punësimi dhe vende punë të mirëpaguara. “Ne po punojmë maksimalisht për mundësi punësimi, me vende pune të mirëpaguara për të përballuar kostot e jetesës por që të bëhet kjo gjë kërkohet bashkëpunim, kërkohet konsensus politik”, - deklaroi Braimllari.

Meta
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, inspektoi investimin e kryer në kompaninë e prodhimit të vezëve “Ovvital”, që është mundësuar nga financimi i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural. Pasi u njoh nga afër me ambientet e kompanisë, teknologjinë e përdorur dhe kapacitetet prodhuese të shtuara falë edhe investimeve të fundit, Kryetari i Kuvendit duke folur për mediat, vlerësoi mbështetjen që i është dhënë sektorit të prodhimit të vezëve industriale, që ka njohur një shumëfishim gjatë viteve të fundit, duke u shprehur se investime të tilla garantojnë jo vetëm rritje ekonomike por edhe punësim të qëndrueshëm.

“Kuptohet që me teknologji të tillë kaq moderne, dhe me një menaxhim kaq të suksesshëm të standardeve evropiane, këto janë vende pune të sigurta, të qëndrueshme edhe të mirëpaguara. Dhe padyshim që impiante të tilla nuk janë gjithçka, ato thjeshtë janë lokomotivat e zhvillimit të gjithë bujqësisë sonë, të blegtorisë sonë, të industrisë ushqimore në atë rrugë që duam, të standardeve evropiane. Kjo është rruga e një suksesi afatgjatë edhe për sipërmarrësit, edhe për vendin, por edhe për qytetarët tanë që kanë nevojë për produkte më cilësore dhe për vende pune më të qëndrueshme dhe më të mirëpaguara”,- tha Meta.
 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Eridana Çano emërohet drejtoreshë e re e SASPAC

Eridana Çano emërohet drejtoreshë e re e SASPAC