BRUKSEL - Në takimin e radhes të liderëve social-demokratë të Ballkanit Perëndimor në Bruksel merrte pjesë edhe përfaqëuesi shqiptar i LSI, Sekretari Ndërkombëtar i saj, Ralf Gjoni.

Në këtë takim, që tashmë organizohet dy herë në vit nga Grupi i Social-Demokratëve në Parlamentin Evropian, morën pjesë përfaqësues të partive të majta të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dhe eurodeputetët Hannes Swoboda, Tanja Fajon, Libor Roucek, Knut Fleckenstein dhe përfaqësues të tjerë të Parlamentit Evropian. 

Gjatë këtij takimi, u theksua vëmendja e veçantë që grupi social-demokrat i kushton vendeve të Ballkanit Perëndimor në Parlamentin Evropian dhe u rikonfirmua vullneti i eurodeputetëve për përshpejtimin e axhendës evropiane të të gjitha vendeve. 

Pas dorëzimit të Raportit të Komisionit Evropian nga Komisioneri Stefan Fule për vendet e rajonit, pjesëmarrësit vlerësuan rekomandimin e KE për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, si dhe progresin e bërë nga vendet e tjera të rajonit, duke veçuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. 

Gjatë fjalës se tij, Sekretari Nderkombëtar i LSI, Ralf Gjoni tha: "Dëshiroj të falenderoj përzemërsisht eurodeputetët e Grupit të Socialisteve dhe Demokrateve në Parlamentin Evropian, jo vetëm për kontributin e tyre në fitoren në zgjedhje të Aleancës progresiste dhe pro-evropiane në Shqipëri, por mbi të gjitha për vëmendjen e vazhdueshme që i kanë kushtuar gjithnjë avancimit të procesit të integrimit evropian të të gjitha vendeve të rajonit tonë, dhe në veçanti për Shqipërinë". 

"Shqiperia sot, pas rekomandimit për Statusin, është një model pozitiv për rajonin dhe koalicioni i ri qeverisës do të tregojë predispozitën maksimale dhe do të punojë fort për të provuar se Shqipëria do ta meritojë jo vetëm statusin e kandidadit në BE, por edhe hapjen e negociatave në kohën e duhur. Shqipëria e mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe do vazhdojë ta forcojë rolin e saj tradicional konstruktiv në rajon. Të gjitha vendet që ne përfaqësojmë këtu sot, e kanë vendin dhe të ardhmen e tyre të sigurt në Bashkimin Evropian" - u shpreh Ralf Gjoni.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)