Pasditen e sotme, organizata “Biznes Albania” në të cilët marrin pjesë rreth 25 shoqata të vendit, i ka dorëzuar kreut të LSI librin e propozimeve të politikave të biznesit për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Ky është një veprim që përfaqësuesit e komunitetit të biznesit do t vijojnë edhe me forcat e tjera politike që marrin pjesë në zgjedhjet 23 qershorit.
Në një dalje për mediat, kreu i LSI shprehu angazhimin “për të kontribuar në përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor, respektimin e ligjeve dhe akteve të etja për të konsoliduar një partneritet të ri midis shtetit dhe sipërmarrjes”, pasi sipas Metës “mbi 80 % e gjithë zhvillimit ekonomik në vend sot e përballon sektori provuam, po kështu edhe të punësimit, dhe është vendimtare për përmirësimin e ekonomisë së vendit, dhe ekonomisë familjare, mbarëvajtja e biznesit, gjallërimi i tij, nxitja e mëtejshme”.
Meta tha se biznesi duhet mbështetur pa paragjykime politike dhe partiake, pasi pa zhvillimin ekonomik nuk mund të arrihet integrimi europian.
"LSI do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë në këtë drejtim, sepse biznesi duhet parë pa paragjykime politike dhe partiake. Dhe në këtë kohë krize, edhe në vendet e tjera europiane, sidomos në vendet fqinje, që kanë qenë partneret tona kryesore tregtare dhe ekonomike, absolutisht që është detyrë kryesore e politikës që t’i kthejë besimin që meriton sipërmarrja e lirë vendase, investitorë vendas dhe të huaj për të çuar më tej iniciativat e tyre për të hapur vende të reja puna dhe për të krijuar të gjitha lehtësirat të cilat do të krijojnë një klimë shumë më të kirë dhe do të ndikojnë në një rritje të qëndrueshme ekonomike në vend. Sidomos në interes të rritjes së prodhimit, në interes të rritjes së eksporteve dhe në interes të rritjes së kapaciteteve konkurruese të Shqipërisë, sepse flasim për integrimin evropian, por në rast se ne nuk krijojmë bazat e një ekonomie që konkurron, që prodhon, që eksporton, atëherë natyrisht që ky projekt integrimi është një faliment dhe nuk është një progres dhe një zhvillim, çka është ambicia jonë për vendin dhe të gjithë qytetarët tanë", tha kreu i LSI-së në fjalën e tij.
META: TE ZBATOHET KODI ZGJEDHOR DHE TE PRANOHET REZULTATI
Kreu i LSI, Ilir Meta, lidhur me çështjen e KQZ-së tha se është e rëndësishme që të zbatohet kodi, si dhe të pranohet rezultati i zgjedhjeve nga pala humbëse.
"Pavarësisht nga problemi që e njohim të gjithë është e rëndësishme të respektohet Kodi, është e rëndësishme të evitohet gjuha e denigrimit ndërmjet gjithë aktorëve gjatë kësaj fushate. Duhet të tregojmë një nivel më të lartë të gjithë si forca politike dhe si politikanë përderisa kërkojmë të marrim statusin e vendit kandidat. Duhet të jemi në një standard komunikimi edhe me njëri-tjetrin, edhe të debatit, edhe të dialogut. Në këtë drejtim unë besoj se janë të gjitha mundësitë që zgjedhjet e 23 qershorit të arrijnë në standardet më të mira pavarësisht nga çështja e KQZ-së. Të pranojmë të gjithë rezultatin e zgjedhjeve, të pranojmë vullnetin e popullit tonë dhe të vazhdojmë të punojmë për zhvillimin e vendit, për zhvillimin e sipërmarrjes së lirë", tha Meta.
META: BRENDA DHJETORIT 2013 SHQIPERIA DO MARRE STATUSIN E VENDIT KANDIDAT
Nëse zgjedhjet e 23 qershorit do të realizohen brenda standardeve të kërkuara dhe me një përgjegjshmëri të madhe nga të gjithë aktorët, sipas kreut të LSI, vendi ynë do të mund të marrë statusin e vendit kandidat në BE brenda dhjetorit të këtij viti.
"Shqipëria është shumë pranë marrjes së statusit të vendit kandidat pas miratimit të tre ligjeve sot, sepse tre ligjet kanë qenë një minimum i domosdoshëm për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe ky minimum tashmë është realizuar. Së dyti, mbetet mbarëvajtja e procesit zgjedhor të 23 qershorit si një test kyç për demokracinë dhe për funksionimin e institucioneve në vend. Dhe unë i ftoj të gjithë të tregojnë përgjegjshmëri maksimale për të arritur standardet më të larta në zgjedhjet e 23 qershorit dhe jam optimist se Shqipëria, brenda muajit dhjetor, do ta marrë statusin e vendit kandidat. Njëkohësisht mendoj se fakti që kjo ngjarje pozitive ndodhi sot, në kulmin e fushatës elektorale, tregon se mund të gjendet gjithmonë mundësia e një kompromisi në interesin e vendit, pavarësisht nga fjalimet elektorale dhe nga retorikat shpeshherë të ngarkuara dhe natyrisht që është një gjë tepër pozitive", theksoi Meta.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)