Deputeti i sapo betuar në seancën e sotme në Kuvend, Ralf Gjoni, thotë se nëse situata do ta sillte, nuk do të votonte për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Gjoni, i cili më herët ka qenë Këshilltar i Metës, thotë se ka një respekt për të, por shumë ndryshe u shpreh për Monika Kryemadhin, bashkëshorten e presidentit që drejton Lëvizjes Socialiste për Integrim.
"Kam aderuar pranë LSI dhe pranë zotit Meta kam kujtime të bukura, dashuri, kujtime që i ruaj me qetëi, nuk i hedh poshtë. Shkarkimin e zotit Meta unë nuk do e votoja në parlament, meqë jam i deputeti i 94, dhe i ndryshimeve kushtetuese. Unë nuk do e votoja, në këto kushte jo një herë. Nuk kam hakmarrje ndaj LS, kam veç dashamirësi dhe veç miq nga ajo parti dhe nuk kam pse t'i hedh poshtë. Partia është kapur peng nga një marrëzi e një liershipi. Unë kam qenë për integrim, jo për çizme, rrugaçëri, bojë, jo për çintegrim", tha Gjoni.
Ralf Gjoni ishte kandidat për deputet i LSI-së në listat e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, dhe zgjodhi ta pranojë mandatin pas dorëheqjes në bllok të opozitës, me përjashtim të tre deputetëve.
Ai thotë se në dijeninë e tij vijon të jetë anëtar i LSI-së, i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI. Në një deklaratë për mediat në mbyllje të seancës plenare, Gjoni e ftoi kryetaren e LSI-së që të mbledhë komitetin Drejtues ku ai është anëtar, dhe vendimi për tu përjashtuar nga partia *siç është bërë me të tjerët), ose jo, t'i takojë këtij organi të drejtësisë.
"Nuk jam njoftuar zyrtarisht për një përjashtim, është lakuar në media që partia ka përjashtuar disa emra nga anëtarësia, unë nuk jam në dijeni për një mbledhje të KDK, për një votim. Ftoj lSI-në të mbledh KDK-në, të jetë mbledhje e hapur për mediat, me votim të fshehtë, dhe të shohim si votohet", tha deputeti Ralf Gjoni.
Ai foli për nevojën e ndryshimit të kodit zgjedhor në Shqipëri dhe listat e hapura.
"Vendi ka nevojë për sistem të ri zgjedhor. Sistemi aktual me lista të mbyllura deformon vullnetin e zgjedhësve, është cilësi skandaloze e deputetëve që u larguan. ka mbaruar koha kur partitë politike janë pronare të listave. Duhet sistem i ri zgjedhor", u shpreh deputeti.
I pyetur nëse e ndjen veten tradhtar ashtu siç i ka etiketuar më herët kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kandidatët e tjerë që pranuan mandatin, Gjoni përgjigjet:
"Tradhti është fjalë e madhe, është përdhunuar fjala 'tradhti' gjatë 60-70 viteve të fundit, ku tradhtia ndaj vendit u kthye në tradhti ndaj partisë. Ata që tradhtuan janë ata që ikën nga kuvendi. Nuk e kuptoj se çfarë kemi tradhtuar, ne kemi marrë një përgjegjësi për të mbushur vakancat, për të mbajtur në këmbë parlamentin që është themeli i demokracisë", përfundoi deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë, që sot u betua bashkë me dy kolegë të tjerë të ardhur nga listat e LSI-së, Nimet Musai dhe Enada Koçiu.