Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar për 16 vjeçaren nga Rusia që gjeti vdekjen ditën e sotme në plazhin e Ksamilit në zonën e quajtur “Tre Ishujt”.

Zv/kryetari i LSI-së, Luan Rama me anë të një statusi në facebook ka shkruar se ky sezon turistik po shënon një bilanc lufte me numrin e viktimave të mbytur në plazhet tona dhe pavarsisht këtij bilanci lufte askush nuk reagon dhe këtë mungesë të reagimit Rama e cilëson si mosveprim kriminal dhe të qëllimtë.

Reagimi i plotë:
Kohë turizmi - bilanc lufte!

Edhe një tjetër viktimë në plazhet shqiptare! Pas Durrësit, Shëngjinit, Velipojës, Vlorës etj. hartës së viktimave të mosveprimit kriminal e të qëllimtë të qeverisë i shtohet edhe Ksamili! Kohë turizmi - bilanc lufte!

Askush nuk reagon, askush nuk zbaton ligjin, megjithëse ky vend ka edhe qeveri që ka kryeministër, ka edhe ministri të ashtuquajtur turizmi qe ka edhe ministër, ka agjensi te bregdetit me drejtor, ka bashki me kinse kryetarë! Ka madje edhe Prokurori të Republikës!

Ka e çfarë nuk ka, por askush nuk është për të kryer detyrën, edhe pse ka akte që detyrojnë e normojnë masat e sigurisë në plazhe, qofshin ato publikë apo privatë!

Mosveprim kriminal dhe i qëllimtë, për sa kohë askush nuk reagon pas kaq e kaq shumë rastesh të mbytjes së pushueve e turistëve në plazhet shqiptare!

Redaksia Online 
E.S / shqiptarja.com