TIRANE - Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), Luan Rama, tha sot në një konferencë për shtyp, se vendi më i përshtatshëm për të zgjidhur çështjen e imunitetit është Kuvendi.

Imuniteti, sipas Luan Ramës, është detyra e radhës në kuadër të marrjes së statusit kandidat, ndërsa se retorika nuk i shërben zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, tha se Partia Socialiste “nuk ka arsye të jetë në anën e kundërt të të gjithë faktorëve që ndikojnë në integrimin evropian të vendit”.

Ndërkaq, në lidhje me referendumin popullor për çështjen e imunitetit, Rama tha se edhe pse nga pikëpamja kushtetuese ai është legjitim, në rastin konkret nuk krijon mundësinë për të përmbushur detyrimet par tetorit.

Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm, ishte një tjetër pikë e konferencës së sotme të LSI, për të cilën Luan Rama u shpreh se është “treguesi më domethënës i shterpësisë i atyre që janë marrë me këtë çështje. Kushtetuta e sqaron se si zgjidhet emërimi i Prokurorit, ai nuk duhet të jetë kandidaturë që vjen prej interesave partiake”.

Në përfundim Rama u shpreh se “atributin për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm e ka Presidenti i Republikës dhe ai duhet të vendosë se çdo të bëhet me këtë kauzë”.

(Gre.M/Shqiptarja.com)