12. Berati është qarku më i dobët, bastioni i LSI-së dhe vendlindja e Ilir Metës. Dhe pse ruajti dy mandatet e saj, ekipi i drejtuar nga Nasip Naço mori -1742 vota, ose ulja në % ishte -0.96 pikë. Në këtë qark, ekipi i PS i kryesuar nga Klosi e Felaj u rrit me 5.5 %, ndërsa PD u ul me -2.06 %.
11. Kukësi as kësaj radhe nuk i siguroi LSI-së një mandat. Kandidatja Selvi Beçaj mori 2699 vota më pak se sa LSI kishte marrë në vitin 2013, ndërsa rënia në përqindje është -6.05. Ekipi i PS-së, i drejtuar nga Mimi Kodheli ka shënuar një rritje të lartë, me plot 17.44%.
10. Në Shkodër, Agron Çela u rikonfirmua deputet me 221 vota më shumë se në vitin 2013, duke shënuar një rritje të vogël me 0.6%. PS është rritur me 2.4%, ndërsa PD ka rënë me -2.92%.
9. Fieri, qarku ku lista kryesohej nga kreu i atëhershëm i LSI-së, Petrit Vasili ka shënuar një rritje të lehtë, me 2020 vota, ose 0.75%. PS është rritur në këtë qark me 6.4 %, ndërsa PD ka një rënie të vogël me -0.54 %. LSI ruajti dy mandatet.
8. Në Vlorë, ekipi i LSI i drejtuar nga Shezai Rrokaj mori vetëm një mandat, dhe pse u rrit me 1955 vota krahasuar me vitin 2013, ose 0.97%. PS është rritur me 3.82%, ndërsa PD është dobësuar me -0.6%.
7. Gjirokastra ka siguruar vetëm një mandat, Vangjel Tavon, me 1170 vota më shumë se në vitin 2013, ose me rritje 2.09%. Partia Socialiste është rritur me 4.4%, ndërsa PD ka një rritje të ulët me 0.11%.
6. Në Dibër, ekipi i kryesuar nga Përparim Spahiu ka një rritje të dukshme, edhe pse ka siguruar vetëm mandatin e tij, sikundërse në vitin 2013. Votat janë shtuar me 2498, ndërsa me përqindje është rritur me 3.01%.
5. Në Elbasan, ekipi i kryesuar nga numri dy i LSI-së, Monika Kryemadhi ka një rritje me 5056 vota, ose 3.01%. Ajo ka siguruar vetëm dy mandate, sikundërse në vitin 2013, edhe pse votat janë shtuar. Në këtë qark PDIU ka marrë një mandat më shumë se në vitin 2013, teksa PS u ul me -1.97 %, ndërsa PD me -8.24 %.
4. Lezha ka siguruar përsëri vetëm një mandat, kësaj radhe Viktor Tushajn. Ai mori 2511 vota më shumë, ose një rritje të lartë me 3.25 %. Në këtë qark, PS i ka marrë një mandat PD, duke u rritur me 3.97 %, ndërsa PD është dobësuar me -5.52%.
3. Në vendin e tretë, për nga niveli i rritjes është Korça, e cila për pak vota humbi mandatin e dytë, dhe nxori deputet vetëm kryesuesin e listës, Edmond Panariti. LSI mori 4971 vota më shumë, ndërsa me përqindje u rrit 4.33 pikë. PS ka pasur një rritje të ulët me vetëm 1.34%, ndërsa PD u dobësua me -2.24%.
2. Qarku i dytë me rritjen më të lartë, është Tirana si përqindje. Ekipi i drejtuar nga Klajda Gjosha dhe LRI, mori 20 785 vota më shumë, duke marrë 5 nga 3 mandate që kishte në vitin 2013. Rritja e LSI-së me përqindje në Tiranë është 5.05 pikë, ndërsa PS është rritur me 1.03 % dhe PD është dobësuar me -5.06%.
1. Durrësi është kampioni i rritjes së LSI-së. Lefter Koka dhe Nora Malaj arritën të shtoni një mandat më shumë se në vitin 2013, duke marrë 10.262 vota, ose e thënë në përqindje, rritja është 6.84%. PS në këtë qark është rritur me 8.11%, ndërsa PD ka rënë me -6.86%.
(D.T/Shqiptarja.com)